Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar sot lidhur me deklaratat e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci e cila një ditë më parë tha se kontratat kolektive nuk mund të diskutohen në kohë fushate.
SBASHK-u në një reagim për media thekson se në vend që të merret sinqerisht me kërkesat që zëshëm ia thanë kryetarët dhe udhëheqësit sindikalë, që nga çerdhet e deri në universitete, në protestën madhështore të 4 dhjetorit, ministrja Nagvci, del me deklarata duke u munduar të dezinformojë e duke thënë gjëra krejt të pavërteta.
“Nuk janë të vërteta ato që thotë Ministrja Nagavci… Tenton ta mashtrojë opinionin se, nuk paska munguar asnjëherë dialogu me SBASHK -un, por e vërteta është se i kemi dërguar shumë kërkesa për takime dhe, duke dhënë arsyetime se qenka shumë e angazhuar, nuk ka gjetur kohë për dy vite me radhë të takohej me përfaqësuesit e SBASHK-ut, e për të dëgjuar kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit, e për t’u angazhuar që t’i realizojë ato.
Pra, Ministrja nuk po e thotë të vërtetën. E vërteta është se, me fajin e saj nuk ka pasur fare dialog”, tha ai.
Sipas SBASHK-ut, as lidhur me pagat, Ministrja nuk po e thotë të vërtetën, por po mundohet të dezinformojë opinionin.
“Në vitin 2024, me ngritjen që Ministri Murati i bëri vlerës së koeficientit, ndodhi ngritja ironike e nënçmuese e pagës për punëtorët në Arsimin Parauniversitar prej vetëm 28 euro. Para Qeverisë Kurti, pagat në sektorin e arsimit në Kosovë ishin, bile, të njëjta a të përafërta me të punësuarit në këtë sektor në Shqipëri, Maqedoni apo në Mal të Zi, kurse tani realiteti është i dhembshëm.
Pagat e punëtorëve të arsimit në Shqipëri, janë për qindra euro më të larta se pagat e punëtorëve të arsimit në Kosovë. Pra, edhe për pagat, Nagavci nuk e tha të vërtetën.
Nagavci nuk e tha të vërtetën as për Kontratën e Re Kolektive të Arsimit dhe për të krijuar mjegull, e me qëllim të keq, e përziente Marrëveshjen Kolektive në nivel vendi me Kontratën Kolektive të sektorëve”, thuhet ndër të tjera në reagim.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.