ZKA: Shkollat në Kosovë ende nuk ofrojnë mbështetje të barabartë për nxënësit me nevoja të veçanta
Mungojnë profesionistët, pajisjet dhe mbështetja e qëndrueshme. ZKA rekomandon ndryshime, ndërsa ekspertët kërkojnë që arsimi gjithëpërfshirës të mos mbetet vetëm në letër.
Sistemi arsimor në Kosovë ende nuk arrin t’u sigurojë të gjithë nxënësve me nevoja të veçanta mbështetjen që u nevojitet për të mësuar dhe për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën shkollore. Kjo është një nga përfundimet kryesore të raportit të auditimit të performancës të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), për periudhën 2022–2025.
Auditimi, i cili përfshiu Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, si dhe dhjetë shkolla publike, evidentoi mangësi në identifikimin, vlerësimin dhe ofrimin e mbështetjes për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.
Sipas gjetjeve, ekipet komunale të vlerësimit nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa shkollat përballen me mungesë të stafit profesional dhe mbështetës. Asistentët, mësuesit mbështetës, psikologët dhe pedagogët nuk janë të mjaftueshëm, ndërsa shpërndarja e tyre shpesh nuk bazohet në analiza të dokumentuara të nevojave.
Problem mbetet edhe cilësia e të dhënave. ZKA ka evidentuar mospërputhje ndërmjet të dhënave të regjistruara në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim dhe gjendjes reale në shkolla. Në disa raste, mungesa e mbështetjes institucionale ka bërë që barrën ta marrin përsipër vetë prindërit, duke angazhuar dhe paguar asistentë privatë.
Por çfarë duhet të ndryshojë?
Kosova ka nevojë për një sistem ku çdo shkollë të ketë qasje të rregullt në profesionistë të fushave të ndryshme. Përveç psikologëve dhe pedagogëve, në varësi të nevojave duhet të sigurohen edhe logopedë, terapistë dhe profesionistë të tjerë të specializuar. Numri i asistentëve duhet të përcaktohet sipas nevojave individuale të nxënësve dhe jo vetëm sipas mundësive buxhetore të komunave.
Po aq e rëndësishme është pajisja e shkollave me mjete konkrete pune: materiale mësimore të përshtatura, teknologji asistive, pajisje për komunikim alternativ, materiale vizuale dhe mjete për zhvillimin e aftësive motorike, sociale dhe akademike. Mësuesit duhet të kenë trajnime të vazhdueshme për mënyrën se si të përshtatin mësimdhënien dhe vlerësimin për nxënësit me nevoja të ndryshme.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm praninë e nxënësit në shkollë, por sigurimin e mbështetjes që i mundëson atij të zhvillojë potencialin dhe të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në procesin mësimor.
ZKA ka dhënë 14 rekomandime për përmirësimin e ekipeve vlerësuese, planifikimit të kapaciteteve, cilësisë së të dhënave dhe monitorimit institucional në raportin e saj të publikuar online.
Tani mbetet që këto rekomandime të shndërrohen në veprime konkrete. Sepse një sistem vërtet gjithëpërfshirës nuk matet vetëm me numrin e fëmijëve që janë në klasë, por me mundësinë që secili prej tyre të mësojë, të zhvillohet dhe të ndihet i përfshirë.
Prinderimi.com
