Republika e Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të paragrafit 11 të nenit 5, paragrafit 2 të nenit 23, paragrafi 6.1 dhe 6.2 të nenit 24, paragrafit 6 të nenit 41 të Ligjit nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, (Gazeta zyrtare nr. 17/16, shtator 2011), dhe nenit 3 pika (a) të Ligjit nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës (Gazeta zyrtare 30/2008, qershor 2008)), nenit 8 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, shtojca 1 paragrafi 7 i Rregullores (QRK) nr. 02/2021 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive të datës 30.03.2021, Udhëzimit administrativ nr. 03/2013 për standardet e hartimit të akteve normative (GZ, nr. 03/2013, dt. 16.05.2013), nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV PËR ORGANIZIMIN DHE MBARËVAJTJEN E GARAVE ME NXËNËS NË NIVEL TË SHKOLLËS, KOMUNËS, NIVEL NACIONAL DHE PËR PJESËMARRJEN E NXËNËSVE TË KOSOVËS NË GARA NDËRKOMBËTARE
Neni 1 – Qëllimi
- Ky Udhëzim administrativ përcakton fushëveprimin e tij, sistemin e garave me nxënës, institucionet bartëse, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, fushat e organizimit të garave dhe procedurat e realizimit të garave sipas fushave dhe niveleve të organizimit, të cilat do të ndikojnë në:
- 1.1. Nxitjen e punës me nxënës dhe motivimin e nxënësve për mësim në fushat që kanë prirje, talente dhe interesime të veçanta;
- 1.2. Ngritjen e nivelit garues të nxënësve në Kosovë dhe institucionalizimin e garave me nxënës;
- 1.3. Afirmimin e nxënësve dhe institucioneve arsimore për arritje të veçanta në garat me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar;
- 1.4. Kultivimin dhe promovimin e vlerave kombëtare dhe vlerave të përgjithshme kulturore dhe qytetare.
Neni 2 – Fushëveprimi
Ky Udhëzim administrativ zbatohet në tërë sektorin e arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës.
Neni 3 – Përkufizimet/definicione
- Gara – është përpjekje për të dalë i/e pari/a në një fushë të caktuar të veprimtarisë, marrëveshje ndërmjet palëve me zotimin se cili do ta kryejë diçka më shpejt, më mirë dhe me rezultatet më të larta për të fituar garën. Gjithashtu, gara definohet si konkurrencë ndërmjet individëve dhe ekipeve.
- Garues – është personi/nxënësi që merr pjesë në garë/a, në një fushë të caktuar, në konkurs, konkurrencë, ku maten kompetencat në fushën përkatëse dhe bëhen të gjitha përpjekjet për të fituar garën.
- Garat me nxënës – janë veprimtari jashtmësimore që kanë për qëllim të nxisin punën me nxënës për të nxjerrë në pah prirjet, talentin dhe interesimet e tyre në fusha të veçanta si dhe për të ofruar mbështetjen për nxitje dhe avancim të mëtejmë.
- Garat e diturisë – janë garat që organizohen në ndërlidhje me kurrikulat për klasat apo nivelet e arsimit për të cilat organizohen garat, si: Gjuhë amtare, gjuhë angleze, histori, gjeografi, edukatë qytetare, matematikë, fizikë, kimi, biologji, TIK, etj. Garat e diturisë u mundësojnë nxënësve për të dëshmuar tërësinë e arritjeve në një apo disa fusha kurrikulare/lëndë mësimore gjatë garave me bashkëmoshatarët e tyre. Garat e diturisë organizohen në mënyrë individuale apo në grupe/ekipe, në nivel të shkollës, komunës dhe në nivel shtetëror.
- Garat për fushat artistike – janë gara që organizohen në fushat e artit, për nxënësit e klasave dhe niveleve të ndryshme të shkollimit, në mënyrë individuale apo në grupe/ekipe, që nga niveli i shkollës e deri në nivel shtetëror. Garat përfshijnë fushat e artit, si artin figurativ, muzikor, letrar dhe artin skenik.
- Garat për kreativitet dhe inovacion – janë gara që organizohen me nxënës për ide a projekte kreative dhe/ose inovative në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe kreativitetin digjital. Garat në këtë fushë organizohen në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara me konkurset për pjesëmarrje në këtë fushë të garave me nxënës.
- Garat e debatit – janë gara të organizuara në formate të diskutimeve apo debateve për një çështje/tematikë të caktuar, ku ndeshen alternativat, idetë, argumentet dhe mbi të gjitha zhvillohet kultura e nxënësve në fushën e debateve. Debatet me nxënës organizohen nga organizatat e specializuara në bazë të kërkesave të konkurseve për fushat e përfshira në debat dhe rregullat e formatit të debatit.
- Organizata/shoqata profesionale të specializuara – janë organizatat/shoqatat e regjistruara në MASHTI për organizimin e garave me nxënës në fusha të ndryshme, që kanë marrëveshje apo autorizime të veçanta për organizimin e garave të ndryshme ndërkombëtare në nivel vendi dhe për përfaqësimin në gara ndërkombëtare jashtë shtetit.
Neni 4 – Parimet
Procesi i organizimit të garave me nxënës, në çdo nivel të arsimit dhe garimit, mbështetet në këto parime:
- 1.1. Gjithëpërfshirja;
- 1.2. Mosdiskriminimi;
- 1.3. Barazia;
- 1.4. Transparenca;
- 1.5. Objektiviteti.
Neni 5 – Sistemi i garave me nxënës në arsimin parauniversitar
- Sistemi i zhvillimit të garave me nxënës që organizohen nga institucionet arsimore në Kosovë, është unik sipas fushave të garave dhe niveleve ku organizohen garat.
- Sistemi i garave me nxënës mbështetet në qëllimet dhe parimet e vendosura me këtë UA.
- Vendimet dhe informacionet lidhur me specifikat e sistemit ta garave me nxënës sipas fushave të zhvillimit të garave, bëhen nga organet dhe komisionet përkatëse para fillimit të garave.
- Garat me karakter ndërkombëtar u referohen përcaktimeve të institucionit apo organizatës që udhëheqë zhvillimin e garave me karakter ndërkombëtar në fushën/at përkatëse.
Neni 6 – Institucionet bartëse për organizimin e garave me nxënës në arsimin parauniversitar
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, koordinon dhe organizon garat me nxënës në nivel shtetëror.
- Drejtoria Komunale e Arsimit, koordinon dhe organizon garat me nxënës në nivel komunal.
- Institucionet edukativo arsimore/shkollat, i organizojnë garat me nxënës në kuadër të shkollës.
- Institucionet bartëse për organizimin e garave me nxënës në arsimin parauniversitar, formojnë komisione për organizimin e garave me nxënës.
- 4.1. Komisionet formohen në fillim të vitit të ri shkollor, më së largu deri me 30 shtator;
- 4.2. Mandati i komisioneve përcaktohet nga 3-5 vite. Mandati dhe detyrat e komisioneve përkatëse, përcaktohen me aktin e themelimit të komisioneve, bazuar në këtë UA;
- 4.3. Përbërja e komisioneve dhe përfaqësimi në komisione përcaktohet në varësi të fushave të organizimit të garave dhe specifikave tjera që lidhen me institucionin që organizon gara për nxënës.
Neni 7 – Detyrat dhe përgjegjësitë e MASHTI-t
- Planifikon garat me nxënës në nivel qendror, duke i përfshirë në planin strategjik për arsimin parauniversitar dhe në planin vjetor të punës së MASHTI-t.
- Themelon komisionin në nivel të MASHTI-t prej 7-9 anëtarë, për koordinimin e organizimit të garave me nxënës në nivel qendror. Komisioni në përbërje me përfaqësues MASHTI/Departamenti i arsimit parauniversitar/, DKA, shkolla, universiteti, ekspertë, organizatat/shoqatat profesionale të specializuara që merren me organizimin e garave me nxënës, themelohet nga Sekretari i përhershëm i Ministrisë, me propozim nga Departamenti për arsim parauniversitar në MASHTI.
- Siguron buxhetin vjetor për organizimin e garave në nivel qendror, ndarjen e çmimeve për nxënësit fitues të garave nacionale.
- Siguron mbështetjen dhe përkrahjen e nxënësve fitues në gara, përmes përkrahjes dhe organizimit të aktiviteteve dhe programeve përkrahëse për nxënësit fitues në garat e organizuara në nivel vendi, në përputhje me talentin, interesimet, nevojat dhe karakteristikat e këtyre nxënësve.
- Siguron mbështetjen dhe përkrahjen e nxënësve për përgatitje dhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare ku përfaqësohet shteti.
- Monitoron, mbikëqyrë cilësinë e funksionimit të sistemit të garave me nxënës përmes Komisionit për organizimin dhe koordinimin e garave dhe mekanizmave tjerë të MASHTI-t, si dhe siguron përmirësimin dhe avancimin e vazhdueshëm të këtij sistemi.
- Përcakton kriteret dhe mënyrën e regjistrimit në MASHTI të organizatave/shoqatave profesionale të specializuara që organizojnë gara me nxënës, që aplikojnë për të siguruar përkrahje të ndryshme financiare dhe jofinanciare për organizimin e garave dhe për programe dhe aktivitete të përkrahjes për nxënës.
- Siguron dhe bën transparente çdo vit listën e organizatave/shoqatave profesionale të specializuara që përfaqësojnë shtetin në garat ndërkombëtare, që kanë autorizime speciale në gara të ndryshme ndërkombëtare dhe listën e organizatave/shoqatave profesionale të specializuara që organizojnë gara me karakter kombëtar dhe regjional.
Neni 8 – Detyrat dhe përgjegjësitë e komisionit të MASHTI-t për garat me nxënës
- Harton planin e veprimit për zhvillimin e garave me nxënës, së paku brenda mandatit të komisionit.
- Bën koordinimin dhe organizimin e garave me nxënës në nivel vendi.
- Përcakton mënyrën e punës së komisionit për koordinimin dhe organizimin e garave në nivel vendi dhe ndarjen e roleve, detyrave dhe përgjegjësive të anëtarëve të komisionit.
- Bën regjistrimin e organizatave/shoqatave të specializuara për organizimin e garave me nxënës sipas përcaktimeve me këtë UA dhe përgjegjësive të deleguara nga MASHTI.
- Përcakton fushat e garave me nxënës në nivel qendror, në baza vjetore.
- Përgatit dhe publikon thirrje/konkurse dhe udhëzues për zhvillimin e garave me nxënës.
- Bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me DKA dhe organizatat e specializuara në organizimin e garave në nivel shtetëror.
- Formon komisione të posaçme profesionale, duke angazhuar ekspertë të pavarur të lëndëve, profesorë universitarë dhe mësimdhënës të shkollave të ndryshme, të cilët hartojnë kritere dhe instrumente të vlerësimit me kërkesa sipas natyrës së garave dhe klasave.
- Udhëheqë punën me komisionet profesionale sipas natyrës së garave për hartimin e instrumenteve të vlerësimit dhe vlerësimin e garave.
- Siguron ndërlidhjen e garave me nxënës që organizohen nga niveli qendror me garat në nivel komune dhe garat që organizohen nga organizatat e specializuara.
- Monitoron organizimin e garave në nivel shtetëror.
- Harton raporte vjetore rreth garave me nxënës në nivel vendi dhe rekomandime për përcaktimin e masave përkrahëse për nxënës.
- Krijon, përditëson dhe ruan bazën e të dhënave vjetore për nxënësit pjesëmarrës në garat në nivel qendror dhe garat me karakter ndërkombëtar.
Neni 9 – Detyrat dhe përgjegjësitë e DKA-së
- Planifikon garat me nxënës në nivel të komunës, duke i përfshirë në planin zhvillimor të arsimit në nivel komunal dhe në planin vjetor të punës.
- Siguron buxhetin vjetor për organizimin e garave në nivel të komunës, ndarjen e çmimeve komunale për nxënësit fitues të garave komunale, aktivitetet dhe programet mbështetëse.
- Themelon komisionin në nivel të DKA-s prej 3-7 anëtarë për koordinimin e organizimit të garave me nxënës në nivel komunal. Komisioni themelohet nga drejtori i DKA, në përbërje: përfaqësues nga DKA, shkolla (drejtorë, mësimdhënës) dhe organizatat/shoqatat profesionale të specializuara që merren me organizimin e garave me nxënës.
- Mbështet dhe organizon aktivitetet dhe programet përkrahëse për nxënësit fitues në garat e organizuara në nivel komune, në përputhje me talentin, interesimet dhe nevojat e nxënësve.
- Ofron mbështetje për nxënësit e komunës për pjesëmarrje në garat nacionale dhe garat me karakter ndërkombëtar.
- Përcakton mënyrën e punës së komisionit për koordinimin dhe organizimin e garave në nivel komunal dhe ndarjen e roleve, detyrave dhe përgjegjësive të anëtarëve të komisionit.
Neni 10 – Detyrat dhe përgjegjësitë e komisionit komunal për organizimin e garave me nxënës
- Harton planin dinamik për organizimin e garave me nxënës në nivel komunal dhe i informon shkollat MASHTI-n dhe organizatat me të cilat bashkëpunon për organizimin e garave komunale.
- Formon komisione të posaçme profesionale në nivel komune, duke angazhuar mësimdhënës të shkollave të ndryshme, të cilët hartojnë instrumente vlerësuese të garave, sipas lëndëve dhe fushave të garave.
- Udhëheqë punën me komisionet profesionale komunale.
- Organizon dhe koordinon garat me nxënës në nivel komunal.
- Koordinon aktivitetet me shkollat, MASHTI-n dhe organizatat e specializuara, lidhur me organizimin e garave që lidhen me rolin e DKA-s.
- Harton raporte në baza vjetore për autoritetet komunale dhe MASHTI-n rreth garave me nxënës në nivel komune.
- Krijon, përditëson dhe ruan bazën e të dhënave vjetore për nxënësit pjesëmarrës në garat komunale dhe nxënësit e komunës pjesëmarrës në garat në nivel shtetëror dhe në garat me karakter ndërkombëtar.
Neni 11 – Detyrat dhe përgjegjësitë e institucionit edukativo-arsimor (shkolla)
- Planifikon garat me nxënës në nivel të shkollës, duke i përfshirë ato në planin zhvillimor dhe planin vjetor të punës së shkollës.
- Themelon komisionin në nivel të shkollës prej 3-5 anëtarë për koordinimin e organizimit të garave me nxënës në nivel shkolle. Komisioni themelohet nga drejtori i shkollës me miratim paraprak nga Këshilli drejtues i shkollës.
- Rregullon me rregullore të shkollës organizimin e garave me nxënës në nivel të shkollës dhe ndarjen e shpërblimeve nga shkolla për nxënësit fitues të garave në nivel të shkollës, përgjegjësitë e mësimdhënësve rreth procesit të garave me nxënës.
- Ofron mbështetje për nxënësit pjesëmarrës në garat që organizohen nga DKA, MASHTI dhe organizatat e specializuara.
- Udhëheqë punën me aktivat profesionale për hartimin e instrumenteve (teste) me kërkesa (pyetje, detyra) për secilën lëndë/fushë të organizimit të garave të diturisë dhe secilën klasë.
- Mban bazën e të dhënave vjetore për realizimin e garave me nxënës në nivel shkolle.
- Raporton çdo vit në DKA lidhur me rezultatet e nxënësve në garat në nivel të shkollës, nxënësit që përfshihen në nivele të tjera të garave në nivel komunal, në nivel qendror/shtetëror dhe në gara ndërkombëtare.
- Bashkëpunon me shkollat tjera lidhur me përgatitjen e instrumenteve vlerësuese për gara në lëndët dhe fushat ku nuk ka mësimdhënës të profilit përkatës.
- Informon prindërit lidhur me mundësitë e pjesëmarrjes së nxënësve në gara dhe me planin dinamik të organizimit të garave.
- Merr pëlqimin e prindit/kujdestarit ligjor për pjesëmarrje të fëmijëve në garat jashtë shkolle, përfshirë edhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.
Neni 12 – Detyrat dhe përgjegjësitë e komisionit të shkollës për organizimin e garave me nxënës
- Harton planin dinamik për organizimin e garave me nxënës në nivel shkolle.
- Formon komisionet profesionale në nivel shkolle për hartimin e instrumenteve vlerësuese sipas lëndëve dhe fushave të garave.
- Udhëheqë punën me komisionet profesionale për garat në nivel shkolle.
- Organizon, administron dhe vlerëson garat me nxënës në nivel shkolle.
- Bashkëpunon me aktivat profesionale për organizimin e garave dhe ofrimin e përkrahjes për nxënësit pjesëmarrës në gara të niveleve të tjera.
- Në bashkëpunim me komisionet profesionale dhe aktivat profesionale përzgjedh ekipin e shkollës për përfaqësim në garat komunale të diturisë.
- Koordinon aktivitetet me DKA për pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës në garat komunale dhe në nivelet tjera të organizimit të garave.
- Krijon, përditëson dhe ruan bazën e të dhënave vjetore për nxënësit pjesëmarrës në garat në nivel të shkollës dhe nxënësit e shkollës që marrin pjesë në garat në nivel komunal, në nivel shtetëror dhe në garat me karakter ndërkombëtar.
- Harton raporte për organizimin e garave në nivel shkolle.
Neni 13 – Procedurat e zhvillimit të garave me nxënës
- Procedurat për zhvillimin e garave me nxënës, fillojnë në fillim të vitit të ri shkollor dhe përfundojnë në maj të vitit përkatës shkollor.
- Për secilën fushë të garave me nxënës, garat zhvillohen sipas këtyre procedurave:
- 2.1. Hartohet plani dinamik për zhvillimin e garave;
- 2.2. Informohen palët e interesit me planin dinamik për zhvillimin e garave në secilën fushë dhe nivel të organizimit;
- 2.3. Ngriten komisionet profesionale vlerësuese dhe komisionet për organizimin dhe menaxhimin e garave, në varësi të specifikave të fushës së organizimit të garave dhe nivelit të organizimit;
- 2.4. Anëtarët e komisioneve nënshkruajnë deklaratën në betim se nuk kanë konflikt interesi;
- 2.5. Zhvillohen instrumentet vlerësuese sipas fushave të organizimit të garave;
- 2.6. Përcaktohet kohëzgjatja e garave, fillimi dhe mbarimi i garave, në varësi të fushave të garave dhe instrumenteve vlerësuese;
- 2.7. Zhvillohen të gjitha përgatitjet teknike për organizimin e garave;
- 2.8. Sigurohen pëlqimet e prindërve/kujdestarëve ligjor për pjesëmarrje të fëmijëve në garat jashtë shkolle;
- 2.9. Administrohen garat sipas rregullave të miratuara nga komisionet përkatëse;
- 2.10. Analizohen dhe përpunohen rezultatet e garave;
- 2.11. Bëhen publike rezultatet paraprake të garave me nxënës, brenda 7 ditëve nga data e zhvillimit të garave. Për garat në fushat specifike, brenda kohës së përcaktuar nga komisioni profesional përkatës;
- 2.12. Shqyrtohen ankimimet e nxënësve, tri ditë pas bërjes publike të rezultateve paraprake;
- 2.13. Bëhen publike rezultatet përfundimtare të nxënësve pas shqyrtimit të ankimimeve të nxënësve.
- Procedura specifike për organizimin e garave përcaktohen me konkurset përkatëse për garat me nxënës dhe me udhëzuesin për zhvillimin e garave sipas fushave dhe niveleve të organizimit.
- Garat me nxënës që organizohen nga shkolla deri në nivelin qendror, zhvillohen në tri faza:
- 4.1. Faza e parë zhvillohet në nivel të institucionit edukativo-arsimor;
- 4.2. Faza e dytë zhvillohet në nivel komunal;
- 4.3. Faza e tretë zhvillohet në nivel shtetëror.
- Për garat që zhvillohen nga institucionet arsimore, MASHTI harton kalendarin vjetor të garave, i cili duhet të përfundojë në maj të vitit përkatës shkollor.
Neni 14 – Pjesëmarrja e nxënësve në gara të fushave të ndryshme
- Në gara mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar të institucioneve arsimore publike dhe private, në klasat dhe nivelet e arsimit për të cilat organizohen garat me nxënës, të përcaktuara me këtë udhëzim administrativ.
- Qasja e pjesëmarrjes në sistemin e garave është vullnetare, me pajtim të nxënësit/es pa ndonjë imponim dhe i shërben nxitjes dhe motivimit të nxënësve për të qenë garues me bashkëmoshatarët e tij/saj në fusha të ndryshme me interes për nxënësin.
- Institucionet arsimore bëjnë të gjitha angazhimet që të nxisin interesimin dhe pjesëmarrjen e nxënësve në gara, në fushat për të cilat vlerësohet se ka potenciale dhe mundësi të garimit.
- Pjesëmarrja e nxënësve në gara bëhet sipas klasave, niveleve të arsimit, niveleve të organizimit (nivel shkolle, nivel komunal dhe në nivel shtetëror), fushave të organizimit të garave dhe përcaktimeve me këtë UA.
- Për garat në fusha të veçanta, MASHTI cakton numrin e nxënësve/ekipeve të shkollave për pjesëmarrje në garat komunale dhe garat nacionale. Kriter për caktimin e numrit të nxënësve/ekipeve të shkollave merren: fusha specifike e garave, numri i shkollave në nivelin përkatës dhe numri i nxënësve në vitin përkatës shkollor.
Neni 15 – Fushat e organizimit të garave me nxënës
- Fushat e organizimit të garave:
- 1.1. Garat e diturisë;
- 1.2. Garat për fushat artistike;
- 1.3. Garat për kreativitet dhe inovacion;
- 1.4. Garat e debatit.
- Garat e sportit organizohen nga Federata e Sportit Shkollor e Kosovës.
- Garat mund të organizohen në formate të ndryshme, në përputhje me nivelet e shkollimit, në formë individuale, në çifte apo në ekipe, në përputhje me kriteret dhe konkurset për pjesëmarrje në gara.
Neni 16 – Organizimi i garave të diturisë
- Garat e diturisë organizohen në baza vjetore për nxënësit e klasave të pesta (5) dhe nxënësit e klasave të nënta (9).
- Në klasën e pestë (5) garat e diturisë organizohen në fusha kurrikulare/lëndë: Gjuhë amtare dhe matematikë, shkencat e natyrës, shkencat shoqërore. Garat e diturisë në klasën e pestë (5) organizohen vetëm në nivel të shkollës.
- Në klasën e nëntë (9) garat e diturisë organizohen në fusha kurrikulare/lëndë: Gjuhë amtare, gjuhë angleze, histori, gjeografi, edukatë qytetare, matematikë, fizikë, kimi, biologji, TIK.
- Garat e diturisë për nxënësit e klasave të nënta (9) organizohen në nivel shkolle, nivel komunal dhe në nivel qendror.
- Mënyra e organizimit të garave të diturisë në nivel shkolle është individuale, ndërsa në nivel komunal dhe në nivel qendror, garat e diturisë me nxënësit e klasës së nëntë (9) organizohen me grupe/ekipe të shkollave që përfaqësojnë të gjitha fushat/lëndët e përfshira në gara të diturisë.
- Ekipi i shkollës për përfaqësim në garat e diturisë në nivel komunal formohet nga lista e nxënësve fitues të garave në nivel shkolle. Ekipi i shkollës që fiton garat komunale, përfaqëson komunën në garat në nivel qendror.
- Modalitetet e organizimit të garave të diturisë mund të jenë të ndryshme, me teste, me formatin e kuizeve (me publik apo pa publik), apo të kombinuar. Për modalitetet vendoset nga komisionet gjegjëse (shkollë, DKA, MASHTI).
- Për modalitetet e organizimit të garave, nxënësit paraprakisht duhet të jenë të informuar.
- Instrumentet vlerësuese për garat e diturisë me nxënës, me kërkesa (pyetje dhe detyra) për lëndë/fusha të përfshira në gara, zhvillohen nga komisionet e posaçme profesionale:
- 9.1. Në nivel shkolle, nga mësimdhënësit e shkollës, të lëndëve të përfshira në garat e diturisë;
- 9.2. Në nivel komunal, nga mësimdhënës të shkollave në nivel të komunës;
- 9.3. Në nivel shtetëror, nga ekspertë të pavarur të lëndëve, profesorë universitarë dhe mësimdhënës të shkollave të ndryshme;
- 9.4. MASHTI në bashkëpunim me DKA-të, mund të hartojë teste të standardizuara për garat e diturisë në nivel shkolle dhe komune.
- Kërkesat për garat e diturisë (pyetjet, detyrat), hartohen në përputhje me kurrikulat përkatëse, me forma të ndryshme (të mbyllura, të hapura, të kombinuara, me plotësim, etj.), si dhe me përfshirje të të gjitha niveleve të vështirësive të kërkesave.
- Garat e diturisë si në nivel shkolle, ashtu edhe në nivel komunal dhe në nivel qendror, organizohen në kohën kur nuk pengohet procesi i rregullt i mësimit.
- Nxënësit e shkollës që kanë zënë vendin e parë në garat e diturisë në nivel qendror, mbështeten nga MASHTI për të marrë pjesë në garat regjionale dhe ndërkombëtare që organizohen me pjesëmarrje të ekipeve të shkollave apo individuale.
- Në secilin nivel të organizimit të garave të diturisë me nxënës (në nivel shkolle, në nivel komunal dhe në nivel shtetëror), shpallen 3 nxënësit më të mirë apo tri ekipet më të mirat, të cilët promovohen dhe shpërblehen nga institucioni përkatës.
Neni 17 – Garat për fushat artistike
- Garat për fushat artistike, organizohen për nxënësit e klasave dhe niveleve të ndryshme të shkollimit, në mënyrë individuale dhe/apo në grupe/ekipe.
- Për nivelin fillor (klasa 1-5), garat në fushat artistike organizohen në: vizatim, pikturë, skulpturë, interpretim individual/vokal – instrumental. Garat e nivelit fillor organizohen vetëm në nivel shkolle.
- Për nivelin e mesëm të ulët (klasa 6-9) dhe të mesëm të lartë (klasat 10-12), garat për fushat artistike organizohen në nivel shkolle, nivel komunal dhe në nivelin shtetëror. Garat në fushat artistike në këto nivele, përfshijnë tematika të veçanta nga:
- 3.1. Arti figurativ (vizatim, pikturë, skulpturë, dizajn;
- 3.2. Arti letrar (ese, poezi, tregim, përrallë, dramë;
- 3.3. Arti muzikor (muzikë vokale, muzikë instrumentale dhe vokalo-instrumental);
- 3.4. Vallëzim/et (valle popullore, balet, vallëzim modern.
- MASHTI çdo vit përcakton fushat tematike prioritare për organizimin e garave artistike dhe mënyrën e pjesëmarrjes në gara (individuale apo në grupe sipas fushave artistike), të cilat janë pika referimi për hapjen e konkurseve në nivel shkolle, komune dhe në nivel shtetëror.
- Me konkurset përkatëse (në nivel shkolle, në nivel komunal dhe në nivel shtetëror) nxiten nxënësit me talente dhe interesime që të konkurrojnë me punimet, kreacionet, produktet dhe performancat e tyre artistike brenda një afati të caktuar me konkurset përkatëse.
- Në secilin nivel të organizimit të garave artistike, ngritën komisione profesionale vlerësuese:
- 6.1. Në nivel shkolle, nga mësimdhënësit e shkollës – fusha/lëndët e artit;
- 6.2. Në nivel komunal, nga mësimdhënës të fushave të artit nga shkollat e ndryshme të komunës;
- 6.3. Në nivel shtetëror, nga artistë të pavarur, profesorë universitarë dhe mësimdhënës të shkollave nga fushat përkatëse të artit.
- Numri i anëtarëve të komisioneve profesionale, përcaktohet sipas fushave artistike, në nivel komunal dhe në nivel shtetëror, jo më pak se tre (3) anëtarë për një fushë artistike.
- Garat për fushat artistike organizohen në ditë të ndryshme, sipas fushave tematike të arteve dhe planit dinamik për organizimin e garave.
- Bazuar në vlerësimin më të lartë për punimet, kreacionet, produktet dhe performancat artistike më cilësore dhe më origjinale në secilin nivel të organizimit të garave (në nivel shkolle, komune dhe në nivel shtetëror) shpallen nxënësit apo ekipet më të mira në secilën fushë artistike të garimit.
- Nëse komisionet kanë arsye të qëndrueshme për të dyshuar se ndonjë punim, kreacion a produkt artistik i nxënësve nuk është origjinal i nxënësit/ve, ata kanë të drejtë të kërkojnë dëshmi shtesë duke kërkuar ripërsëritje të detyrës ose pjesë të saj.
- Nxënësit e shpallur fitues nga shkolla marrin pjesë në garat në nivel komune, pastaj nxënësit fitues në garat komunale përfaqësojnë komunën në garat artistike të nivelit shtetëror, nxënësit fitues të garave në nivel shtetëror përfaqësojnë Republikën e Kosovës në garat ndërkombëtare, garat e fushave të njëjta.
- Në secilin nivel të organizimit të garave artistike me nxënës (në nivel shkolle, në nivel komune dhe në nivel shtetëror), nxënësit më të mirë që zënë vendet e para në fushat përkatëse artistike apo ekipet e vendeve të para, promovohen dhe shpërblehen nga institucioni në nivelin përkatës të garave.
Neni 18 – Garat për kreativitet dhe inovacion
- Garat për ide a projekte kreative dhe/ose inovative organizohen çdo vit nga MASHT-i, në bashkëpunim me DKA-të e shkollat dhe përfshijnë nxënësit nga klasa 6 gjer në klasën 12.
- Garat organizohen në formë të një konkursi të shpallur nga MASHTI çdo vit.
- MASHTI krijon një komision profesional me ekspertë të pavarur e kompetentë të fushave të ndryshme, të cilët e hartojnë përmbajtjen e konkursit, ku specifikojnë kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë një ide ose projekt i nxënësve për t’u cilësuar si ide a projekt kreativ dhe/ose inovativ.
- MASHTI përmes DKA-ve i informon shkollat, përkatësisht nxënësit, për konkursin, në mënyrë që secili nxënës i interesuar të mund të aplikojë në kuadër të këtij konkursi. Pas mbylljes së konkursit, komisioni i MASHTI-it do ta bëjë vlerësimin e të gjitha ideve e projekteve kreative dhe/ose inovative që janë dorëzuar nga nxënësit përmes shkollave dhe DKA-ve.
- Pas vlerësimit, komisioni përzgjedhë dhe shpallë 10 nxënësit me idetë a projektet kreative dhe/ose inovative më cilësoret dhe më origjinalet (dhjetë vendet e para të ranguara nga 1 deri në 10) në nivel vendi, promovohen dhe shpërblehen nga MASHTI.
- MASHTI do të përkrahë financiarisht realizimin praktik të tri ideve/projekteve të para kreative/inovative.
Neni 19 – Garat e debatit
- Garat e debatit organizohen çdo vit nga MASHTI, në bashkëpunim me DKA-të e shkollat dhe përfshijnë nxënësit e klasave 8-9 dhe klasave 10-12.
- Për organizimin e garave të debatit, MASHTI përcakton temat për debate (tema të përgjithshme që lidhen me rolin e të rinjve në shoqëri, debate për tema sociale, arsim, shëndetësi, teknologji, mjedis, kulturë, art, sport, etj.) bën thirrje publike dhe përzgjedhë organizatat e specializuara të certifikuara për organizimin e debateve të standardizuara.
- MASHTI përmes DKA-ve i informon shkollat dhe nxënësit për temat e debateve, dinamikën e konkursit për pjesëmarrje në garat e debatit, në mënyrë që secila shkollë e interesuar të mund të aplikojë me një ose disa ekipe të veta në kuadër të garave të debatit.
- Organizatat e specializuara të përzgjedhura nga MASHTI për organizimin e debateve të standardizuar (nën mbikëqyrjen e komisionit të MASHTI):
- 4.1. Hartojnë përmbajtjen e konkursit dhe organizojnë garat, në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga MASHTI;
- 4.2. Organizojnë trajnim themelor mbi këto formate të debatit për të gjithë nxënësit/ekipet që janë paraqitur në konkurs;
- 4.3. Organizojnë turneun e debatit duke përfshirë të gjitha ekipet e paraqitura në konkurs. Turneu zhvillohet në faza të ndryshme deri te finalja, sipas fazave të përcaktuara me konkurs;
- 4.4. Pas përfundimit të turneut të debatit përzgjidhen dhe shpallen tri ekipet fituese të turneut (tri vendet e para) dhe tre folësit më të mirë (tri vendet e para).
- Të gjitha ekipet fituese dhe folësit më të mirë promovohen dhe shpërblehen nga MASHTI, si dhe inkurajohen e mbështeten që të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.
- Shkollat nga klasa 5 mund të fillojnë me promovimin e garave të debatit në nivel shkolle.
Neni 20 – Kriteret dhe procedura e shpalljes së fituesve
- Kriteret për shpalljen e fituesve në gara sipas fushave, tematikave të fushave dhe niveleve ku organizohen garat, mbështeten në nenet 16-19 të këtij UA.
- Kriteret për shpalljen e fituesve në gara bëhen publike në konkurset dhe thirrjet përkatëse për pjesëmarrje të nxënësve në gara.
- Kriteret për shpalljen e fituesve të tri vendeve të para në garën përkatëse përcaktohen nga komisionet profesionale, në varësi të fushave të garave.
- Fituesit e tri vendeve të para përcaktohen në bazë të pikëve maksimale të arritura nga garuesit ose ekipet garuese.
- Fitues të garave nuk shpallen garuesit ose ekipet garuese që nuk arrijnë në minimum 60% të pikëve nga maksimumi i pritur në garën përkatëse.
- Garuesit ose ekipet garuese me pikë të njëjta shpallen fitues të barabartë me vendin përkatës.
- Shpalljen e nxënësve/ekipeve fitues në gara sipas fushave përkatëse e bën komisioni i nivelit përkatës për organizimin e garave me nxënës, pas vlerësimeve nga komisioni profesional.
- Shpallja e fituesve bëhet jo më vonë se 7 ditë nga dita e zhvillimit të garave.
- Emrat e fituesve publikohen në faqen zyrtare të institucionit apo organizatës që ka udhëhequr garat në nivelin përkatës.
Neni 21 – Organizimi i garave nga organizatat/shoqatat profesionale të specializuara
- Të gjitha organizatat/shoqatat profesionale të specializuara që merren me organizimin e garave me nxënës regjistrohen në MASHTI, në sekretarinë e komisionit të MASHTI për garat me nxënës, sipas afateve dhe kritereve në thirrjet publike që bëhen çdo vit.
- Regjistrimi i organizatave/shoqatave profesionale të specializuara në MASHTI, bëhet për të siguruar mundësi pjesëmarrje në konkurset komunale dhe të MASHTI për zhvillimin e garave me nxënës dhe për të siguruar përkrahje të ndryshme financiare dhe jo financiare për organizimin e programe dhe aktivitete të përkrahjes për nxënës.
- Për regjistrim në MASHTI për organizimin e garave me nxënës, organizata/shoqata profesionale e specializuar plotëson kriteret në vijim:
- 3.1. Është e regjistruar në autoritetin përkatës në Kosovë, sipas legjislacionit në fuqi;
- 3.2. Fushëveprimtaria e saj është edukimi/arsimi;
- 3.3. Ka marrëveshje/dëshmi të verifikueshme, autorizime speciale për organizimin e garave të ndryshme ndërkombëtare në vend që janë të standardizuara dhe për përfaqësimin në gara ndërkombëtare jashtë vendit;
- 3.4. Ofron dy referenca që dëshmojnë përvojë të suksesshme në organizimin e garave me nxënës;
- 3.5. Plotëson kërkesat tjera të përcaktuara nga MASHTI, Komisioni i MASHT-it për garat me nxënës me thirrje publike.
- Organizatat/shoqatat profesionale të specializuara të regjistruara në MASHTI, marrin konfirmime zyrtare edhe nga MASHTI, kyesuesi i Komisionit për gara me nxënës.
- Lista e organizatave/shoqatave profesionale të specializuara për organizimin e garave me nxënës të regjistruara në MASHTI, publikohen në faqen zyrtare të MASHTI-t dhe/apo në shtojcën e aneksit të këtij UA.
- Në raport me garat me nxënës në fusha të ndryshme, organizatat/shoqatat profesionale të specializuara ushtrojnë dy funksione:
- 6.1. Organizojnë gara me angazhim nga DKA dhe MASHTI;
- 6.2. Organizojnë gara në fusha të ndryshme në mënyrë të pavarur, përfshirë garat me karakter ndërkombëtar, për të cilat kanë autorizime të veçanta për organizimin e garave ndërkombëtare në nivel vendi.
- Garat e ndryshme me nxënës që organizohen në mënyrë të pavarur nga organizatat/shoqatat profesionale, zhvillohen pa ndërhyrje nga institucionet shtetërore e publike.
- Kur organizatat e specializuara organizojnë gara, konkurse a vlerësime që kanë karakter ndërkombëtar, që janë të standardizuara, që njihen e vlerësohen ndërkombëtarisht apo që mundësojnë kualifikim e pjesëmarrje për nxënësit në gara jashtë vendit, atëherë MASHTI, DKA-të dhe shkollat do t’i inkurajojnë nxënësit për pjesëmarrje në to.
- Në përputhje me kompetencat dhe mundësitë e tyre, MASHTI dhe DKA-të ofrojnë përkrahje të ndryshme financiare e jo financiare për organizatat që përfaqësojnë shtetin në garat ndërkombëtare dhe për aktivitetet e programet përkrahëse që këto organizata i ofrojnë për nxënësit fitues dhe të përzgjedhur në gara, konkurse a vlerësime ndërkombëtare.
Neni 22 – Pjesëmarrja e nxënësve në garat ndërkombëtare
- Pjesëmarrja e nxënësve në garat ndërkombëtare, bëhet sipas procedurave, kritereve dhe afateve të përcaktuara nga organizatori/institucioni ndërkombëtar që i organizon garat me nxënës.
- Nxënësit që kanë fituar në tri vendet e para në garat në nivel kombëtar, kanë të drejtë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare, në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga organizatori i garave ndërkombëtare.
- Pjesëmarrja e nxënësve në garat ndërkombëtare, ku përfaqësohet shteti mbështetet nga MASHTI.
- MASHTI, mund të mbështesë edhe nxënës të cilët me iniciativa vetjake marrin pjesë në garat ndërkombëtare prestigjioze.
- Në garat ndërkombëtare të nxënësve ku përfaqësohet shteti mund të marrin pjesë edhe mësimdhënësi/it e tyre që kanë punuar për të arritur këtë nivel përfaqësimi. Miratimi për pjesëmarrjen e mësimdhënësve bëhet nga punëdhënësi dhe MASHTI.
Neni 23 – Promovimi dhe përkrahja e nxënësve fitues në gara të fushave të ndryshme
- Promovimi i nxënësve fitues, bëhet përmes formave dhe mundësive të ndryshme, si:
- 1.1. Prezentimi i nxënësve fitues në faqet zyrtare të institucioneve arsimore dhe në ngjarje të veçanta që organizohen nga institucionet arsimore përkatëse;
- 1.2. Performimi para prindërve dhe komunitetit të arsimit dhe me gjerë në nivel shkolle, komune dhe në nivel shtetëror;
- 1.3. Hapja e ekspozitave në nivel shkolle, nivel komunal dhe shtetëror;
- 1.4. Realizimi i emisioneve televizive me nxënës fitues të garave, etj.
- Format e përkrahjes që ofrohen nga komuna dhe MASHTI për nxënësit fitues në gara të fushave të ndryshme përfshijnë aktivitete dhe programe përkrahëse, si:
- 2.1. Certifikata/mirënjohje për rezultatet e arritura në gara;
- 2.2. Shpërblimi monetar, sipas shumës së përcaktuar nga komisioni përkatës;
- 2.3. Shkollat/kampe verore/dimërore;
- 2.4. Kurset e ndryshme që ofrohen nga institucionet e ndryshme;
- 2.5. Realizimi i projekteve të pavarura;
- 2.6. Ofrimi i mundësive për shfrytëzimin e laboratorëve dhe pajisjet e institucioneve universitare, institutive;
- 2.7. Përfshirja e nxënësve në rrethe/grupe me interesa të veçanta;
- 2.8. Përkrahje për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
- Për realizimin e aktiviteteve e programeve të promovimit dhe përkrahjes së nxënësve në nivel komunal dhe në nivel shtetëror, DKA dhe MASHTI bashkëpunojnë me organizata profesionale të specializuara në punë me nxënës në fusha të ndryshme që lidhen me fushat e garave me nxënës.
- Format e përkrahjes nga shkolla mund të jenë: certifikata/mirënjohje për rezultatet e arritura në gara, përfshirja në projekte të shkollës që lidhen me nxënës dhe aktivitete ekstarkurrikulare, etj.
- Promovimi dhe përkrahja e nxënësve fitues në gara të fushave të ndryshme, mund të bëhet edhe nga komuniteti dhe donatorët/bizneset e ndryshme.
Neni 24 – Ankimimet
- Nxënësi, ekipi garues ka të drejtë në ankimim.
- Ankimimet kryhen tri ditë pas shpalljes së rezultateve.
- Ankimimet bëhen në komisionin e institucionit ose organizatës që ka udhëhequr garat në fushat apo nivelet përkatëse.
- Ankimimet shqyrtohen nga komisioni profesional i cili themelohet nga komisioni i institucionit ose organizatës që ka udhëhequr garat në fushat apo nivelet përkatëse.
- Ankimimet shqyrtohen dhe marrin përgjigje me shkrim brenda pesë ditëve.
- Vendimet e komisioneve profesionale janë vendime përfundimtare, ato nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komisionit profesional dhe vërtetohen nga kryetari/kryesuesi i komisionit të institucionit apo organizatës përkatëse.
Neni 25 – Ngritja e kapaciteteve
- Për të përkrahur institucionet arsimore në zbatimin e këtij UA, MASHTI përgatit një udhëzues me udhëzime për hapat që duhet ndjekur në planifikimin, organizimin, realizimin e garave me nxënës sipas përcaktimeve me këtë UA dhe për shfrytëzimin e përvojave për përmirësim të vazhdueshëm të kësaj praktike.
- MASHTI, DKA, institucionet edukativo arsimore dhe organizatat profesionale të specializuara, bashkëpunojnë në ngritjen e kapaciteteve të komisioneve për organizimin e garave dhe të komisioneve vlerësuese.
- MASHTI për organizimin e garave me nxënës, çdo vit shkollor organizon sesione informative, zhvillon udhëzues mbështetës dhe broshura informative, video dhe forma tjera interaktive që lidhen me zhvillimin e garave me nxënës.
Neni 26 – Raportimi
- Institucionet përkatëse për organizimin e garave (Shkolla, DKA, MASHTI) sipas sistemit të garave të përcaktuara me këtë UA, në baza vjetore përgatisin raporte përmbledhëse të cilat përfshijnë:
- 1.1. Organizimin dhe mbarëvajtjen e garave me nxënës;
- 1.2. Fushat e garave të organizuara dhe arritjet e tyre;
- 1.3. Bazën e të dhënave për nxënësit pjesëmarrës në gara dhe nxënësit fitues të garave;
- 1.4. Format e përkrahjes dhe promovimit të nxënësve fitues;
- 1.5. Institucionet mbështetëse;
- 1.6. Organizatat/shoqatat profesionale të specializuara të angazhuara për organizim të garave;
- 1.7. Mësimet për përmirësim të vazhdueshëm të kësaj praktike;
- 1.8. Orientimet për organizimin e garave në vitin vijues.
- Për pjesëmarrjen dhe arritjet në garat ndërkombëtare, hartohen raporte të veçanta nga MASHTI.
- Raportet bëhen publike në faqet zyrtare të institucionit përkatës.
Neni 27 – Financimi
- MASHTI/Departamenti për arsim parauniversitar, planifikon dhe ndan buxhet vjetor për garat me nxënës, mbështet financiarisht programet, projektet dhe aktivitetet e përkrahjes së nxënësve fitues në gara të fushave të ndryshme në nivel shtetëror dhe për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
- DKA planifikon dhe ndan buxhet vjetor për garat me nxënës, mbështet financiarisht programet, projektet dhe aktivitetet e përkrahjes së nxënësve fitues në gara të fushave të ndryshme në nivel komunal dhe për pjesëmarrje në garat e nivelit shtetëror dhe në garat ndërkombëtare.
- MASHTI dhe DKA bashkëpunojnë me organizatat profesionale të specializuara, donatorët dhe entitetet tjera për të mbështetur pjesëmarrjen e nxënësve në garat ndërkombëtare dhe programet, projektet dhe aktivitetet për përkrahjen e mëtejme të nxënësve me arritje të veçanta në gara të fushave të ndryshme.
- MASHTI brenda tri viteve nga hyrja në fuqi e këtij UA, siguron kodin e veçantë buxhetor për financimin e garave me nxënës.
Neni 28 – Dispozitat kalimtare
- Me hyrjen në fuqi të këtij UA:
- 1.1. MASHTI bën thirrje për regjistrim të organizatave/shoqatave profesionale të specializuara për organizimin e garave me nxënës;
- 1.2. Çdo vit përditësohet aneksi i këtij UA me të dhënat e organizatave/shoqatave profesionale të specializuara, të regjistruara në MASHTI që i plotësojnë kriteret për organizimin e garave me nxënës në fusha të caktuara, në bazë të thirrjeve publike nga Komisioni për gara në MASHTI;
- 1.3. Organizatat/shoqatat profesionale të specializuara që kanë autorizime speciale për organizimin e garave të ndryshme ndërkombëtare në vend dhe për përfaqësimin në gara ndërkombëtare jashtë vendit, regjistrohen në MASHTI në afatet e përcaktuara nga MASHTI. Bazuar në verifikimin e dëshmive, të njëjtit marrin konfirmime zyrtare edhe nga MASHTI;
- 1.4. Garat me nxënës në tri vitet e para nuk organizohen në të gjitha fushat, MASHTI përcakton fushat prioritare sipas viteve për organizimin e garave me nxënës;
- 1.5. Institucioni edukativo-arsimor/shkolla, mund të organizojë gara të diturisë edhe në klasat që nuk janë të përcaktuara me këtë UA, përmes të cilave synon nxitjen e punës me nxënës dhe motivimin e nxënësve për mësim në fushat që kanë prirje dhe interesime të veçanta.
Neni 29 – Shtojca e UA Aneksi 1
Organizatat/shoqatat profesionale që kanë organizuar gara me nxënës deri në hyrjen në fuqi të këtij UA
- Shoqata e Gjuhës Shqipe e Kosovës.
- Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.
- Shoqata Kosovare e Fizikës.
- Shoqata e Kimistëve të Kosovës
- Federata e Sportit Shkollor e Kosovës.
Neni 30 – Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi 7 ditë pas publikimit ne Gazeten Zyrtare.
Arbërie Nagavci
Ministre
Datë: 17.06.2022
