Në epokën e digjitalizimit të skajshëm, ku adoleshentët ndërveprojnë më shumë me botën virtuale se atë reale, rreziku i fshehur pas ekranit është bërë më i madh se kurrë më parë. Nëse dikur shqetësimet tona si prindër përqendroheshin tek orët e gjata para pajisjeve, tani një kërcënim i ri, shumë më i errët, po merr hov: tortura seksuale përmes internetit./prindërimi

Ky fenomen përfshin një formë të sofistikuar manipulimi dhe shfrytëzimi, ku grabitqarët virtualë përdorin identitete të rreme për të mashtruar adoleshentët, shpesh duke i futur në kurthe seksuale dhe të dhunshme, duke i shantazhuar me përmbajtje intime përmes kërcënimeve e më pas, duke i kontrolluar përmes frikës.
Çfarë është tortura seksuale digjitale?
Tortura seksuale përmes internetit ndodh kur një individ, zakonisht duke u shtirur si bashkëmoshatar, manipulon një të mitur për të ndarë imazhe ose video intime dhe më pas përdor ato për ta shantazhuar. Nuk ndalet me kaq.
Grabitqarët kërkojnë që viktima të kryejë veprime të dhunshme, ndaj vetes apo kafshëve, madje i detyrojnë të shkruajnë emra ose numra në lëkurën e tyre. Në raste ekstreme, kërcënimi shkon deri në nxitje për vetëvrasje.
“Kur adoleshenti mendon se gjithçka do të publikohet dhe nuk sheh rrugëdalje, tragjedia është vetëm një hap larg.”– Hina Talib, MD, FAAP
Shembuj realë, pasoja të rënda
Rasti i Ryan, një nxënës amerikan i shkollës së mesme, i cili u manipulua nga një grabitqar që u shtir si vajzë dhe më pas e kërcënoi për para, përfundoi tragjikisht me vetëvrasje. Ai nuk arriti të përballonte turpin dhe frikën se familja e tij do ta gjykonte. Historia e Gavin Guffey, i cili gjithashtu i dha fund jetës pas manipulimeve seksuale online, e tronditi opinionin publik dhe çoi në miratimin e një ligji të ri shtetëror në Karolinën e Jugut kundër këtij lloj abuzimi.
Pse adoleshentët bien pre?
Adoleshentët janë në fazën e ndërtimit të vetëvlerësimit dhe identitetit. Kërkimi për vëmendje, pranimi, ndjenjat e vetmisë apo mungesa e mbikëqyrjes i bëjnë ata më të cenueshëm ndaj grabitqarëve që përdorin gjuhën e afërsisë, romantikës apo edhe dhunës për t’i kontrolluar.
Edhe pse shumica e viktimave janë vajza, meshkujt nuk janë të përjashtuar poashtu. Shënjestrimi ndodh pa dallim gjuhe, vendi, shtrese shoqërore, moshë apo bindjeje.
Si ta mbrojmë fëmijën në mënyrë efektive
-
Krijoni një marrëdhënie të hapur: Bisedoni rregullisht me fëmijën tuaj për aktivitetet online pa tone gjykimi. Më e rëndësishmja: sigurojini që, çfarëdo që të ndodhë, ai mund t’ju tregojë gjithçka.
-
Përdorni kontrollin prindëror: Aktivizoni opsionet e privatësisë në rrjetet sociale, përdorni programe që monitorojnë aktivitetin dhe vendosni limite të qarta për përdorimin e aplikacioneve.
-
Zhvilloni vetëdijen kritike: Shpjegoni që edhe nëse një bashkëbisedues online duket i besueshëm, askush nuk ka të drejtë të kërkojë diçka personale apo intime.
-
Bëni edukim të vazhdueshëm mbi rreziqet online: Mos prisni që shkolla të mbulojë këtë temë. Si prindër, jeni linja e parë e mbrojtjes.
Nëse fëmija juaj është shënjestruar, çfarë duhet të bëni?
Mos u nxitoni me pyetje ose kritika. Filloni duke e përqafuar dhe siguruar se nuk është faji i tij/saj. Kërkoni ndihmën e profesionistëve dhe raportoni rastin në platformat përkatëse si CyberTipLine ose institucionet vendore që merren me sigurinë online.
Të edukuarit për këto rreziqe nuk duhet të ndodhë vetëm pas një tragjedie. Është përgjegjësi prindërore të jemi gjithmonë një hap përpara grabitqarëve, duke i pajisur fëmijët tanë me dije, vetëbesim dhe guxim për të thënë jo.

