Fillimi i vitit shkollor shpesh sjell gëzim dhe emocion për fëmijët, por për shumë prindër ai shoqërohet me stres financiar. Çështja e blerjes së librave dhe materialeve mësimore mbetet një barrë e rëndësishme, edhe pse shteti ofron subvencione për të lehtësuar këtë proces. /prindërimi
Tabela e përmbajtjes
TogglePërvoja e prindërve në Kosovë
Një sondazh i organizuar nga Rrjeti i Prindërve të Kosovës tregon se shumica e prindërve nuk janë të kënaqur me vlerën e subvencioneve.
Sipas rezultateve, 76 për qind e prindërve janë përgjigjur se paratë e ndara nuk kanë qenë të mjaftueshme për të blerë librat e nevojshëm për fëmijët e tyre. Vetëm 24 për qind e kanë cilësuar ndihmën financiare si të mjaftueshme. Madje disa prej prindërve kanë theksuar se ende nuk i kanë marrë subvencionet, duke e shtuar kështu vështirësinë në fillim të vitit shkollor.
Ky realitet flet për një hendek mes asaj që ofrohet dhe nevojave reale të familjeve, sidomos të atyre që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë.
Kostoja e librave dhe materialeve shtesë
Çmimi i librave nuk është i vetmi problem. Prindërit përballen edhe me kosto të tjera si fletoret, lapsat, çantat, uniformat dhe aktivitetet shtesë. Për një familje mesatare, këto shpenzime arrijnë shifra të konsiderueshme që shpesh tejkalojnë mundësitë financiare. Në këtë kontekst, subvencionet mbulojnë vetëm një pjesë të nevojave, duke i lënë prindërit të mbushin boshllëqet me sakrifica të tjera.
Nagavci në anën tjetër, ka mbrojtur skemën e subvencionimit me 80 euro për çdo nxënës të klasave nga 1 deri në 9, duke thënë se kjo shumë është e mjaftueshme për sigurimin e teksteve.
“Kam parë disa reagime, të them të drejtën më shumë nga persona politikë. Sa i përket shumës, ne kemi raportet nga terreni. Sivjet kemi ndarë nga 80 euro për të gjithë nxënësit. Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën i blejnë komplet tekstet, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën përdorin tekstet bazë të viteve paraprake, ndërkohë që fletoret e punës blihen nga kjo shumë. Edhe në vendet e zhvilluara të Evropës tekstet përdoren disa vjet radhazi”, ka thënë Nagavci.
Ky është viti i tretë rresht, që Qeveria subvencionon prindërit për blerje të librave. Më herët librat shpërndaheshin në shkolla.
Procesi i subvencionimit, edhe në dy vjetët e kaluar, ka zgjatur përtej 1 shtatorit – kur është dita e parë e vitit shkollor.
Zejnie Fejzulla, nënë e një vajze e cila do të vijojë mësimet në klasën e katërt, thotë se nuk është aspak e kënaqur me procesin e subvencionimit të librave. Ajo tregon se vajzës ia ka blerë tekstet shkollore me mjete vetanake, derisa potencon se mjetet nuk i ka pranuar ende.
Siç thotë Fejzulla, kostoja për blerjen e librave dhe mjeteve të tjera shkollore, tashmë ka kaluar shifrën prej 80 eurove.
“Aspak e kënaqur, as librat nuk po mund t’i blejmë me ato 80 euro. Për cilën klasë? Klasën e katër. A iu kanë dalur mjetet? Jo, ende nuk më kanë dalur. Mua më është dashur patjetër t’ia marrë (librat). Por, pak është. As librat me 80 euro s’po mundemi t’i marrim. Nuk e di si ia kanë vendos lapsin ashtu. Sa të kanë kushtuar librat për vajzën në klasën e katërt? Që dy-tri ditë duke vrapuar pas librave, nuk e di faturat…E kanë kaluar shifrën 80 euro? Po, po patjetër. Me fletore dhe mjete të tjera, patjetër që po. Vetëm librat a e kanë kaluar shifrën 80 euro? Mua po më duket se po. Libri më i lirë ishte tri euro. Nga tri euro e më lartë çmimet. A ke aplikuar për mjete? Po, kam aplikuar, ende nuk më kanë dalur. Aspak s’është në rregull. Ka edhe njerëz që nuk mund t’i marrin pa iu dalur mjetet”, thotë Fejzulla.

