Nëse nxënësit përvetësojnë idenë se vështirësia nënkupton që ata nuk janë të aftë për të kryer një detyrë, kjo mund të ndikojë në motivimin e tyre. Ky proces me tre hapa i inkurajon ata të këmbëngulin dhe të mos dorëzohen. “E urrej Beowulf-in.” I bëj me kokë nxënësit dhe i shpjegoj se ka të drejtë të ketë mendimet e veta për llojet e tregimeve që lexojmë. Por, disa minuta më vonë, ankesa shndërrohet në: “Nuk jam i mirë në këtë.”
Këto dy deklarata nuk janë të njëjta. E para më tregon se si ndihet nxënësi për Beowulf-in, ndërsa e dyta më tregon se nxënësi ka vendosur ta konsiderojë frustrimin e tij si dëshmi të aftësive që zotëron. Ndjenja është shndërruar në një pengesë për të nxënit.
Mësimdhënësit dëgjojnë variante të këtyre deklaratave gjatë gjithë ditës. “Po kam vështirësi me emëruesit” shndërrohet në “Nuk jam i mirë në matematikë”. “Nuk i kuptoj elektronet” bëhet “Jam shumë i dobët në shkencat natyrore”. Ndonjëherë, nxënësit i përdorin ndjenjat për të identifikuar një mangësi reale në aftësitë e tyre. Por shpesh ata bëjnë diçka që e bëjmë të gjithë: lejojnë që mënyra se si ndihen për diçka të përcaktojë atë që besojnë për aftësitë e tyre.
Psikologët e quajnë këtë heuristika afektive. Hulumtimet kanë zbuluar se ndjenjat pozitive dhe negative mund të veprojnë si rrugë të shkurtra mendore gjatë procesit të gjykimit. Në vend që të shqyrtojë të gjitha dëshmitë për aftësitë tona në lidhje me një detyrë, truri mund të shtrojë një pyetje shumë më të shpejtë: Si ndihem për këtë pikërisht tani?
Në shkollë, kjo rrugë e shkurtër mendore mund ta shndërrojë mendimin “Kjo më duket e vështirë” në “Nuk jam i mirë në këtë lëndë”. Kjo përbën një problem, sepse sapo nxënësit përdorin një ndjenjë të përkohshme për të etiketuar aftësitë e tyre, kjo etiketë mund të fillojë të ndryshojë sjelljen dhe motivimin e tyre.
Një nxënës që vendos se “Nuk jam i mirë në këtë” ka shumë më pak arsye për të provuar. Përpjekja mund të fillojë t’i duket e kotë, duke e shtyrë të marrë pjesë më pak, të shmangë detyrat më të vështira ose të dorëzohet më shpejt sa herë që ndihet i frustruar.Me kalimin e kohës, nxënësi mund t’i konsiderojë këto zgjedhje si dëshmi shtesë se etiketa fillestare ishte e vërtetë.
Qëllimi im si mësimdhënëse nuk është t’i bind nxënësit se emocionet e tyre janë të gabuara. Nëse një nxënës ndihet i frustruar, i shqetësuar, i mërzitur ose i hutuar, dua ta di këtë. Këto ndjenja më ofrojnë informacione të vlefshme për procesin e tij të të nxënit në atë moment.
Por, për t’i ndihmuar nxënësit të shmangin etiketimin e aftësive të tyre, dua që ata të mësojnë një dallim të rëndësishëm: një ndjenjë mund ta pasqyrojë saktë një përvojë, pa i pasqyruar domosdoshmërisht saktë aftësitë e tyre.
Beowulf-i mund të duket i vështirë për t’u kuptuar, por kjo nuk do të thotë se nxënësi është i dobët në gjuhën angleze.
Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë më saktë ndjenjat dhe aftësitë e tyre dhe për të parandaluar që heuristika afektive të shndërrohet në një etiketë për aftësitë, zbatoj tre hapa të vegjël në klasë: emërtimin, verifikimin dhe riformulimin.
1. Emërtojeni ndjenjën
Kur një nxënës thotë: “Nuk mund ta bëj këtë”, instinkti im është t’i përgjigjem: “Po, mundesh.” Por kjo formë sigurie mund të mos e adresojë atë që nxënësi po përpiqet të më tregojë për procesin e tij të të nxënit dhe mund t’i ushtrojë presion që ta gjejë vetë zgjidhjen. Në vend të kësaj, kam filluar të pyes: “Çfarë po ndien pikërisht tani?”
Ndonjëherë, shprehja “Nuk mundem” nënkupton se nxënësi është i hutuar. Herë të tjera, nënkupton se ndihet i frustruar, i turpëruar, i mbingarkuar ose nuk e di fare nga t’ia fillojë. Hulumtimet kanë zbuluar se emërtimi i emocioneve lidhet me reduktimin e aktivitetit të amigdalës në përgjigje ndaj stimujve emocionalë negativë.
Vetëm shprehja e ndjenjave me fjalë mund ta ndryshojë mënyrën se si i përpunojmë ato. Me fjalë të tjera, emërtimi i një ndjenje mund të krijojë distancën e nevojshme emocionale për ta shqyrtuar atë, në vend që thjesht të reagojmë ndaj saj.
Për një nxënës, të shprehurit se ndihet i frustruar mund të bëjë më shumë sesa thjesht t’i japë informacion mësimdhënësit. Mund ta bëjë emocionin më pak mbizotërues. Dhe sapo ndjenja të mos zërë më aq shumë hapësirë mendore, mund të kuptojmë se ku qëndron në të vërtetë problemi.
Pikërisht atëherë shtroj një pyetje tjetër: “Cila pjesë të duket e vështirë?” Një nxënës në matematikë që thotë “Jam shumë i dobët me thyesat” mund të ketë ngecur vetëm te gjetja e një emëruesi të përbashkët. Një nxënës që thotë “Nuk e kuptoj kiminë” mund të mos e kuptojë vetëm njërin nga hapat e barazimit të një reaksioni kimik.
Të njëjtën gjë e vërej edhe në orët e gjuhës angleze. Kur lexojmë Hamletin dhe një nxënës thotë “Nuk e kuptoj Shekspirin”, e pyes se çfarë konkretisht nuk kupton. Ndoshta nxënësi më tregon katër vargje të një monologu. Tani, deklarata “Nuk e kuptoj Shekspirin” është shndërruar në një pikënisje për ta ndihmuar pikërisht aty ku po has vështirësi.
Nuk kemi pse t’i bindim nxënësit që të mos ndihen të frustruar. Frustrimi i tyre mund të jetë plotësisht i arsyeshëm. Emërtimi i tij mund ta bëjë ndjenjën më të menaxhueshme dhe më pas mund t’i ndihmojmë nxënësit të kuptojnë saktësisht se nga buron ajo.
2. Verifikojeni ndjenjën përmes dëshmive
Pasi nxënësit të emërtojnë atë që ndiejnë, dua që ata të zhvillojnë një zakon tjetër: përpara se të lejojnë një ndjenjë t’u tregojë se për çfarë janë të aftë, duhet ta verifikojnë atë. I mësoj nxënësit që, kur ndihen të frustruar, duhet të mbledhin dëshmi për atë që po funksionon dhe për atë ku po hasin vështirësi.
Në klasën time, kjo nënkupton gjetjen e tri dëshmive që kundërshtojnë një përfundim negativ. Nëse një nxënës thotë: “Jam shumë i dobët në këtë”, mund t’i përgjigjem: “Mirë. Më trego tri gjëra që i di ose që mund t’i bësh saktë.” Në fillim, nxënësit zakonisht kanë nevojë për ndihmë për t’i identifikuar ato.
– Ndoshta u janë përgjigjur saktë shtatë nga dhjetë pyetjeve. Kjo është dëshmia e parë.
– Ndoshta i kanë kuptuar dy hapat e parë, por kanë ngecur te hapi i tretë. Kjo është dëshmia e dytë.
– Ndoshta mund ta shpjegojnë konceptin me gojë, edhe pse kanë pasur vështirësi ta shprehin me shkrim. Kjo është dëshmia e tretë.
Këto tri dëshmi nuk duhet të provojnë se nxënësi e ka zotëruar plotësisht aftësinë. Ky nuk është qëllimi.Ato thjesht e nxisin trurin të marrë në konsideratë informacione që ndjenja mund të jetë duke i anashkaluar. Mësimdhënësit mund ta shndërrojnë këtë praktikë në një rutinë. Kur dëgjoni një nxënës që kalon nga përshkrimi i një përvoje te etiketimi i vetvetes, ndërhyjini duke i thënë:
“Verifikoje. Më jep tri dëshmi.” Nxënësit mund t’i shkruajnë tri dëshmitë në anë të fletës së vlerësimit, t’ia tregojnë një bashkëmoshatari ose t’i identifikojnë drejtpërdrejt në punën e tyre. Me kalimin e kohës, dua që ata ta dëgjojnë mendimin “Nuk jam i mirë në këtë” në mendjen e tyre dhe ta dinë se çfarë duhet të bëjnë më pas:
Mirë, cilat janë tri dëshmitë e mia?
Kjo është e rëndësishme, sepse nxënësit nuk janë gjithmonë vlerësues të saktë të procesit të tyre të të nxënit. Hulumtimet mbi metakognicionin kanë treguar se mënyra se si përjetohet të nxënit dhe ajo që nxënësit realisht dinë ose mund të bëjnë nuk përputhen gjithmonë.
Një moment frustrimi mund ta tërheqë vëmendjen tonë aq shumë, saqë bëhet e lehtë të anashkalojmë gjithçka që kemi bërë mirë. Ndonjëherë, tri dëshmitë do t’u tregojnë nxënësve pikërisht se ku kanë nevojë për më shumë ushtrime. Kjo është pozitive. Tani ata kanë diçka konkrete mbi të cilën mund të punojnë.
Deklarata “Këto tri gjëra i kam bërë saktë, por kam nevojë për ndihmë me këtë pjesë” i ofron nxënësit një hap të ardhshëm, ndërsa deklarata “Thjesht nuk jam i mirë në këtë” nuk i ofron asnjë drejtim. Ne mund t’i mësojmë nxënësit që të mos lejojnë një ndjenjë të vetme të përcaktojë të gjithë gjykimin për aftësitë e tyre.
3. Riformulojeni mënyrën e interpretimit të ndjenjës
Ndonjëherë, koha më e mirë për ta adresuar një ndjenjë është përpara se nxënësit ta përjetojnë atë. Përpara se t’u jap nxënësve një detyrë që e di se do të jetë e vështirë, ua bëj të ditur këtë. Jo për t’i frikësuar, por për ta bërë vështirësinë diçka të pritshme.
Mund t’u them: “Kjo pjesë e radhës mund t’ju duket e paqartë në fillim. Kjo është normale. Mund të nevojiten disa përpjekje përpara se të filloni ta kuptoni.” Ky paralajmërim i vogël u ofron nxënësve një mënyrë tjetër për ta interpretuar atë që ndodh më pas.
Kur një problem matematikor kërkon më shumë kohë sesa pritej, kur një eksperiment laboratorik nuk funksionon në përpjekjen e parë ose kur një tekst duhet lexuar tri herë, nxënësi nuk ka pse të arrijë në përfundimin:
Të gjithë të tjerët e kuptojnë. Unë duhet të jem i dobët në këtë.Nxënësit tashmë janë përgatitur të presin disa vështirësi.
Studimet tregojnë se procesi i të nxënit shpesh nuk përputhet me atë që presim intuitivisht. Hulumtimet mbi konceptin e vështirësive të dëshirueshme (desirable difficulties) theksojnë një ide të ngjashme: disa kushte që e bëjnë të nxënit më të vështirë në një moment të caktuar mund ta përmirësojnë atë në planin afatgjatë.
Vështirësia mund të jetë pjesë e procesit të të nxënit dhe jo dëshmi se të nxënit nuk po ndodh. Kjo mund të shndërrohet në një zakon të thjeshtë për mësimdhënësit. Përpara një detyre sfiduese, identifikoni pjesën ku nxënësit ka të ngjarë të hasin vështirësi dhe tregojuni diçka të tillë:
– “Ushtrimet e para mund t’ju duken të pazakonta.”
– “Shumica e njerëzve duhet ta rilexojnë këtë pjesë.”
– “Projekti juaj i parë ndoshta nuk do të funksionojë.”
– “Mund të keni vështirësi të vendosni se cilat dëshmi janë të rëndësishme.”
Më pas, tregojuni se çfarë duhet të bëjnë kur të arrijnë në atë pikë. Unë e zbatoj këtë praktikë përpara pjesëve të vështira të Beowulf-it. Në vend që të pres derisa nxënësit të ndihen të frustruar, mund t’u them: “Sot do të ketë pjesë ku ndoshta do ta humbni rrjedhën e tregimit. Kjo është e pritshme. Kur të ndodhë, ndaluni dhe përpiquni të identifikoni pikën ku e humbët rrjedhën.”
Tani, kur shfaqet hutimi, ai nuk përbën një surprizë. Nuk po përpiqem t’i bind nxënësit se çdo vështirësi është e dobishme. Ndonjëherë, hutimi nënkupton se udhëzimet e mia nuk kanë qenë të qarta ose se një nxënës ka nevojë për më shumë mbështetje. Por, kur e di se një detyrë do të jetë e vështirë, mund t’ua bëj të ditur këtë paraprakisht.
Nëse nxënësit presin që të nxënit ndonjëherë të jetë i vështirë, ata mund të kenë më pak gjasa ta ngatërrojnë atë ndjenjë me një dëshmi se nuk janë të aftë ta kryejnë detyrën.
Ndjenjat janë informacione, jo verdikte
Një nxënës mund ta përfundojë përfundimisht leximin e Beowulf-it dhe të më thotë: “Ende e urrej Beowulf-in.” Kjo është në rregull. Detyra ime nuk është të bëj që çdo nxënës i klasës së dymbëdhjetë ta dashurojë një poemë epike të anglishtes së vjetër.
Megjithatë, dua që ata ta njohin dallimin ndërmjet këtyre tri deklaratave:
– “Nuk më pëlqen kjo.” – Shpreh një preferencë.
– “Kjo është e vështirë.” – Përshkruan një përvojë.
– “Unë nuk mund ta bëj këtë.” – Shpreh një përfundim.
Nëse nxënësit po shkojnë drejt këtij përfundimi, mund t’i ndihmojmë të mos nxitojnë në gjykimin e tyre.
Emërtojeni: Çfarë po ndien në të vërtetë?
Verifikojeni: Çfarë tregojnë dëshmitë?
Riformulojeni: Çfarë tjetër mund të nënkuptojë kjo ndjenjë?
Ndonjëherë, kur një nxënës ndihet i frustruar, kjo nënkupton se ka nevojë për ndihmë. Ndonjëherë, nënkupton se ka nevojë për më shumë ushtrime. Dhe ndonjëherë, ndjenja e pakëndshme nga e cila dëshiron të largohet është thjesht mënyra se si përjetohet të nxënit përpara se diçka të fillojë të marrë kuptim.
Një ndjenjë mund t’i tregojë nxënësit se diçka është e vështirë, por nuk duhet të vendosë në vend të tij se për çfarë është i aftë.
Burimi: Edutopia
Autorja: Cathleen Beachboard
Përkthim: Prinderimi.com
