Vera është koha më e dashur për fëmijët.
Por kjo kohë për prindërit sjell natyrshëm një pyetje të rëndësishme: si mund të shfrytëzohen këta muaj në atë mënyrë që fëmijët jo vetëm të argëtohen, por edhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në të njëjtën kohë?
Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është përmes regjistrimit të fëmijës në një Shkollë Verore. Përmes pjesëmarrjes në të, fëmija mund të luajë, të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme mësimore si dhe të socializohet me fëmijë të tjerë. Shkolla verore zakonisht udhëhiqet nga mësues dhe educatorë të perkushtuar, të cilët krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës, ku fëmijët mësojnë përmes lojës, përfitojnë aftësi të reja, e forcojnë vetëbesimin dhe e ndërtojnë identitetin e tyre, duke e bërë verën një mundësi të artë për ndryshim dhe rigjenerim të energjive në kahje të reja.
Sidoqoftë, përfitimet e shkollës verore janë të shumta. Le të kuptojmë disa prej më të rëndësishmeve:
- Shfrytëzimi i kohës në mënyrë të dobishme
Edhe pse periudha e verës është e gjatë, përdorimi i duhur i saj mund ta kthejë atë në një avantazh për fëmijën dhe në zhvillimin e një rutine të shëndetshme. Shumica e shkollave verore funksionojnë me orar të caktuar gjatë disa ditëve të javës, gjë që e bën më të lehtë organizimin e kohës për fëmijën. Kjo ndihmon në krijimin e një rutine të ekuilibruar mes pushimit, argëtimit dhe mësimit, duke i mësuar fëmijës disiplinën, durimin dhe përgjegjësinë.
- Socializimi
Shkolla verore është një mundësi e shkëlqyer për socializimin e fëmijëve me bashkëmoshatarët e tyre. Përmes aktiviteteve dhe lojërave në grup, fëmijët mësojnë të bashkëpunojnë, të krijojnë miqësi të reja, të zhvillojnë aftësi udhëheqëse, si dhe të zgjidhin probleme së bashku. Kjo i ndihmon ata të ndihen pjesë e një komuniteti më të gjerë dhe të mësojnë nga perspektiva të ndryshme.
- Pjesëmarrja në aktivitete jashtëshkollore
Pushimet e verës janë një mundësi për pushim dhe relaks pas një viti të gjatë shkollor intenziv. Ndryshimi që ju duhet atyre është diçka përtej punës akademike kurrikulare, dhe që ju ndihmon ta lirojnë Stresin dhe ngarkesat e marra nga obligimet e zakonshme. Shkollat verore zakonisht ofrojnë aktivitete më të lehta dhe kreative, të cilat ndihmojnë fëmijët të relaksohen, si: vizatimi, sporti, vizitat në muze apo qendra kulturore, klubet e leximit, dhe punë dore.
- Zhvillimi i aftësive për jetën
Përmes ekspozimit ndaj aktiviteteve dhe përvojave të reja, fëmijët zhvillojnë aftësi të rëndësishme për jetën, si komunikimi, vetëdija personale, kurioziteti dhe njohja e vetes. Shumë qendra edukative apo organizata ofrojnë programe të ndryshme verore në fusha si teknologjia, kampingu, sporti apo lidershipi. Fëmijët mund të mësojnë kodim, shkrim kreativ, eksperimente shkencore, sporte në natyrë, dhe shumë aktivitete të tjera vullnetare që e bëjnë verën më produktive, sfiduese dhe mundësi për rritje.
Si mund ta gjeni shkollën e duhur për fëmijën tuaj?
- Njohja e fëmijës tuaj
Për ta gjetur shkollën e përshtatshme për fëmijën tuaj, është e nevojshme ta njjhni orientimin e fëmijës në radhë të parë. Disa fëmijë mund të kenë prirje më shumë për zhvillimin e aftësive të tyre teknologjike, dhe kështu ju mund të kërkoni një shkollë/kamp që ofron këto gjëra. Në anën tjetër, disa fëmijë mund të kenë më shumë nevojë për aktivitete sportive dhe në natyrë, prandaj kjo domethënë se duhet ta kërkoni shkollën që ofron mundësi të tilla.
- Konsultimi me mësuesin
Përzgjedhja e shkollës mund të bëhet edhe në bashkëpunim me mësuesin dhe prindin, duke e bërë më të lehte zgjedhjen e duhur, ngase mësimdhënësit konsiderohet se i njohin nxënësit e tyre dhe atë që ju bën dobi në zhvillimin e tyre afatgjatë shkolloro-jetësor.
- Rrjetizimi (Networking)
Rrjetizimi apo Networking është një mënyrë shumë efikase për gjetjen e mundësive, në këtë rast të shkollës verore. Shumica e prindërve veqse janë të kyqur në grupe ku shpërndahen njohuri, mundësi, dhe rrugë të ndryshme për zhvillimin e fëmijëve. Prandaj kontakti me të tjerët është i domosdoshëm që të kemi qasje në këto burime edukative që i shërbejnë prindërimit të mirë dhe të përgjegjshëm. Në Kosovë, mund të beheni pjese e grupit Prinderimi.com në Facebook, dhe aty të bëni pyetje dhe kërkesa rreth shkollave aktuale verore që janë hapur në vend.
Si përfundim, vera nuk duhet të kalojë para syve të fëmijëve si një periudhë e zakonshme. Ajo duhet të jetë një mundësi për të mësuar gjëra të reja, për pushim dhe rekreacion, kujtimet dhe Përvojat e së cilës mbesin gjatë tek ata, duke ju dhënë fëmijëve motiv dhe energji për vazhdimin e vitit të ri shkollor me më shumë aftësi.
