Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) publikoi raportin me titull “Perceptimet e të rinjve mbi Dhunën Seksuale dhe Ngacmimet Seksuale.”
Ky hulumtim, i realizuar me kryesisht me moshat 15-16 vjeç, zbulon se çdo i treti fëmijë deklaron se është ngacmuar seksualisht. Raporti gjithashtu tregon se njohuritë e tyre mbi pasojat ligjore për autorët e veprave penale si “Dhuna Seksuale” dhe “Ngacmimi Seksual” janë të kufizuara. /Prinderimi.com
Në konferencën e lansimit morën pjesë ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), znj. Arbërie Nagavci, ambasadori suedez në Prishtinë, z. Jonas Westerlund, përfaqësues të institucioneve publike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Hulumtimi u zhvillua me një qasje sistematike ku ekipi menaxhues i projektit, në bashkëpunim me një konsulent të jashtëm me përvojë në hulumtimin e opinionit publik, hartoi një pyetësor të detajuar. Pyetësori mbulonte tema të ndryshme, njohuritë ligjore të nxënësve për pasojat e përfshirjes në marrëdhënie seksuale pa pëlqim, perceptimet mbi ngacmimin seksual, dhe vendet ku mund të kërkojnë ndihmë në rast të dhunës seksuale apo ngacmimit seksual.
Pyetësori përmbante gjithashtu informacione demografike, si mosha, gjinia, komuna dhe përkatësia etnike e respondentëve. Ky raport hulumtues është është strukturuar për të reflektuar gjetjet e hulumtimit në një format të qartë dhe të lexueshëm, me synim rritjen e vetëdijes dhe nxitjen e diskutimeve të informuara mbi dhunën dhe ngacmimin seksual ndërmjet nxënësve, edukatorëve dhe publikut të gjerë.
Rezultatet e hulumtimit shfaqën disa gjetje të rëndësishme
Së pari, 60.5% e nxënësve raportuan se në familjet e tyre flitet për ngacmimin dhe dhunën seksuale, ndërsa 39.5% deklaruan të kundërtën, duke sugjeruar nevojën për rritjen e komunikimit familjar për këto tema. Të gjithë nxënësit (100%), ishin të vetëdijshëm se pasojat ligjore për përfshirjen në marrëdhënie seksuale nën moshën e lejuar është burgimi, duke treguar një nivel të mirë të ndërgjegjësimit ligjor.
Gjithashtu, 85.6% e nxënësve raportuan saktësisht se mosha e lejuar për të hyrë në marrëdhënie seksuale, sipas Kodit Penal të Kosovës, është 18-vjeç, ndërsa 14.4% prej tyre kishin keqkuptime mbi këtë çështje. Megjithatë, 91.2% e nxënësve besonin gabimisht se marrëdhëniet seksuale me pëlqim me persona nën moshën e lejuar janë të ligjshme, gjë që tregon nevojën për edukim të mëtejshëm për ligjet përkatëse.
“Ndërkohë, 88.3% e nxënësve e dinin saktësisht se periudha e dënimit për përfshirjen në akte seksuale me persona nën moshën e lejuar është 10 vite, ndërsa pjesa tjetër kishte informacion të pasaktë ose keq interpretonte ligjin”.
Rezultatet gjithashtu treguan se:
88.9% e nxënësve raportuan saktësisht se dallimi maksimal i lejuar në moshë mes partnerëve të mitur është pesë vjet. Të gjithë nxënësit (100%) kishin një kuptim të qartë për atë që përbën ngacmim seksual, duke përfshirë prekjen e padëshiruar dhe shprehjet me kuptim seksual. Përvojat personale me ngacmimin seksual treguan se 26.7% e nxënësve janë ndjerë viktima të ngacmimit seksual, duke theksuar nevojën për ndërhyrje dhe mbështetje. Ndër nxënësit që kanë raportuar ngacmimin seksual, 90% e tyre e kishin bërë këtë te familjarët dhe të afërmit, duke sugjeruar besimin e madh në mbështetjen familjare.
Gjithashtu, 34.8% e nxënësve nuk e dinin periudhën e dënimit për dhunimin e një të mituri/e, ndërsa pjesa tjetër kishte njohuri të ndryshme për këtë çështje. Të gjithë nxënësit (100%) raportuan se mund të kërkojnë ndihmë nga policia nëse janë viktima të dhunës seksuale apo ngacmimit seksual, por u mungonin informatat për burimet alternative të ndihmës.
Lexoni raportin e plotë këtu https://heyzine.com/flip-book/8402a77a5b.html#page/6
Ky hulumtim është pjesë e projektit “Thuaj Jo gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimeve seksuale”, që mbështetet nga Projekti HumanRightivism i implementuar nga Community Development Fund – CDF, i përkrahur nga Embassy of Sweden in Pristina.
Prinderimi.com