PISA 2025: Pse po mungojnë kaq shumë nxënës në shkollë?
Kur flasim për rezultatet e PISA-s, zakonisht fokusohemi te pikët në matematikë, lexim dhe shkencë. Por rezultatet e vitit 2025 për Kosovën zbulojnë një problem tjetër, më pak të diskutuar: sa shpesh janë nxënësit realisht në shkollë?
Sipas PISA 2025, 54% e 15-vjeçarëve në Kosovë raportuan se kishin munguar të paktën një ditë të plotë në dy javët para testimit. Mesatarja e OECD-së ishte vetëm 22%. Edhe më e lartë ishte përqindja e nxënësve që kishin humbur të paktën një orë mësimi: 56% në Kosovë, krahasuar me 24% në vendet e OECD-së. Ndërkohë, 47% e nxënësve në Kosovë thanë se kishin arritur të paktën një herë me vonesë në shkollë, një shifër më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 50%.
Problemi nuk duket të jetë vetëm i viteve të fundit. Në Kosovë, përqindja e nxënësve që raportuan se kishin munguar një ditë të plotë ishte 46% në vitin 2018, u rrit në 51% në vitin 2022 dhe arriti në 54% në vitin 2025. Për mungesat e orëve, shifra ishte 48% në 2018, 53% në 2022 dhe 56% në 2025. Vonesat u rritën nga 38% në 2018 në 44% në 2022 dhe 47% në 2025.
Këto shifra marrin një rëndësi tjetër kur shihen në raport me të nxënit. OECD raporton se mungesat nga shkolla lidhen negativisht me performancën në shkencë dhe me qëndrimet e nxënësve ndaj të nxënit në pothuajse të gjitha sistemet arsimore. Kjo lidhje mbetet edhe pasi merren parasysh dallimet socio-ekonomike të nxënësve dhe shkollave. Megjithatë, OECD paralajmëron se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mungesa shkakton rezultate më të dobëta; mund të ndodhë edhe e kundërta, që nxënësit që kanë vështirësi akademike ose janë më pak të angazhuar të zgjedhin më shpesh të mungojnë.
PISA tregon gjithashtu se mungesat janë më të zakonshme te nxënësit nga prejardhje socio-ekonomike më të pafavorizuara në shumicën e vendeve. OECD vëren se sistemet ku hendeku i mungesave mes shkollave më të favorizuara dhe atyre më të pafavorizuara është më i madh priren të kenë edhe pabarazi më të mëdha në performancën akademike.
Për Kosovën, kjo ngre një pyetje që shkon përtej disiplinës: çfarë po i mban fëmijët larg shkollës?
Një nxënës mund të mungojë për arsye familjare, ekonomike, shëndetësore, për shkak të transportit, bullizmit, vështirësive në mësim, mungesës së motivimit ose ndjenjës se nuk i përket shkollës. PISA nuk përcakton se cila prej këtyre arsyeve qëndron pas mungesave në Kosovë, prandaj do të ishte gabim që çdo mungesë të interpretohej si mungesë interesi.
Por një shifër prej 54% duhet të nxisë pyetje serioze. Nëse më shumë se gjysma e 15-vjeçarëve kanë humbur të paktën një ditë të plotë mësimi brenda vetëm dy javësh, problemi nuk mund të shihet vetëm si çështje e sjelljes së nxënësit.
Ndoshta pyetja që duhet t’u bëjmë fëmijëve nuk është vetëm “Pse mungove?”, por edhe “Çfarë po të bën të mos duash të jesh në shkollë?” Sepse përpara se të kërkojmë rezultate më të mira, duhet të sigurohemi që fëmijët janë aty për t’i arritur ato.
Prinderimi.com
