Me çdo brez, duket se edhe stilet e prindërimit pësojnë një lloj transformimi. Prindërit e Gjeneratës X, të cilët shpesh konsiderohen si brezi i parë i fëmijëve që rriteshin duke kaluar kohë vetëm në shtëpi, u përqendruan në prindërimin e përfshirë, ndërsa në disa raste edhe në prindërimin “helikopter” ose prindërimin e fshehtë. Ndërkohë, tre në katër prindër të Gjeneratës Y, ose mijëvjeçarëve, përqendrohen te prindërimi i butë.
Hulumtimet e reja tregojnë se prindërit e Gjeneratës Z po largohen nga qasjet e prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe po krijojnë një stil të tyre hibrid të prindërimit. Ata po përqendrohen në thyerjen e cikleve të trashëguara familjare dhe në prindërimin e bazuar në shkak dhe pasojë, ose në një kombinim të stileve të ndryshme, në varësi të situatës.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Kiddie Academy, vetëm rreth 38% e prindërve të Gjeneratës Z me fëmijë të moshës 0–6 vjeç përdorin prindërimin e butë.
Shumica dërrmuese, ose katër në pesë prindër të anketuar, pajtohen se nuk ekziston një qasje që funksionon njësoj për të gjithë kur bëhet fjalë për prindërimin, thotë Casey Miller, CEO i Kiddie Academy. Sipas tij, shumica e prindërve të Gjeneratës Z synojnë një qasje hibride që kombinon mesatarisht tri stile të ndryshme prindërimi.
Çfarë tregoi sondazhi për prindërit e Gjeneratës Z?
Kiddie Academy anketoi 2,000 prindër të fëmijëve të moshës 0–6 vjeç dhe zbuloi se 54% e prindërve të Gjeneratës Z i japin përparësi përgatitjes së fëmijëve për botën reale, ndërsa prindërit mijëvjeçarë përqendrohen më shumë në mbështetjen emocionale dhe mendore të fëmijëve.
Ndërkohë, prindërit e Gjeneratës Z mendojnë se prindërimi i butë funksionon vetëm në disa situata. “Në përgjithësi, prindërit më të rinj besojnë se stilet e prindërimit duhet të kombinohen dhe të përdoren në varësi të rrethanave”, thotë Miller.
Sipas sondazhit, këta prindër përdorin një sërë qasjesh:
- 37% përdorin “thyerjen e ciklit”, pra përpiqen të shërojnë traumat e trashëguara ndër breza;
- 33% përdorin prindërimin e bazuar në lidhjen emocionale;
- 31% i japin përparësi shkakut dhe pasojës, ose pasojave reale të sjelljes;
- 20% përdorin prindërimin e udhëhequr nga fëmija.
Sondazhi i pyeti prindërit edhe se si do të reagonin në situata të jetës reale. Për shembull, nëse fëmija do të kishte një shpërthim emocional në makinë, 42% e prindërve do ta ndalonin makinën derisa fëmija të qetësohej, ndërsa 40% do të prisnin deri në kthimin në shtëpi për të vendosur pasoja dhe 34% do t’ia hiqnin lodrat për pjesën e mbetur të udhëtimit.
Në përgjithësi, Miller thotë se largimi nga prindërimi i butë është pjesë e një tendence më të gjerë për kombinimin e stileve të ndryshme dhe përshtatjen e tyre me nevojat individuale të fëmijës. Shtatë në dhjetë prindër po zgjedhin stilin e prindërimit bazuar në atë që ka nevojë fëmija i tyre, në krahasim me 23% që përpiqen ta zbatojnë stilin e tyre të preferuar pavarësisht personalitetit të fëmijës.
Ku mund të mos mjaftojë prindërimi i butë?
Prindërimi i butë thekson empatinë dhe komunikimin me respekt, pa ndëshkime të ashpra, shpjegon Cynthia Vejar, PhD, LPC, drejtuese e programit dhe profesoreshë e asociuar e këshillimit klinik për shëndetin mendor në Lebanon Valley College.
Largimi i prindërve të Gjeneratës Z nga prindërimi i butë mund të tregojë një dëshirë për të mos iu përmbajtur një etikete apo një modeli të vetëm prindërimi. Në vend që të ndjekin këto etiketime, prindërit mund të përqendrohen te llojet e sjelljeve që janë më ose më pak të përshtatshme për familjen e tyre, thotë Vejar.
Prindërimi i butë mund të jetë gjithashtu i vështirë sepse kërkon shumë punë emocionale nga prindi, thotë psikoterapistja Lexi Berard, MA, AMFT. Për të qenë efektiv, prindi duhet të ketë inteligjencë të lartë emocionale dhe aftësi të mira për rregullimin e emocioneve. Një studim ka zbuluar se më shumë se një e treta e “prindërve të butë” raportojnë rraskapitje prindërore.
“Prindërimi i butë është vërtet i vështirë dhe disa prindër po e gjejnë veten të frustruar”, shton Berard. Një keqkuptim i zakonshëm është se duke pranuar emocionin e fëmijës mund të shmangim shpërthimet emocionale. Kjo nuk është e vërtetë. Asnjë stil prindërimi nuk i shmang plotësisht shpërthimet; rëndësi ka mënyra se si prindi reagon ndaj tyre.
“Thyerja e ciklit” kundrejt prindërimit hibrid
Kur prindërit përdorin një qasje hibride, ata shpesh kombinojnë disa stile për të krijuar mënyrën e tyre të prindërimit. Në thelb, prindërimi hibrid nënkupton marrjen parasysh të qëllimeve dhe vlerave të familjes, temperamentit të prindit dhe temperamentit të fëmijës, duke zgjedhur një mënyrë që funksionon për të dyja palët. Prindërimi hibrid nënkupton mbajtjen e dy gjërave njëkohësisht”, shpjegon psikologia klinike Emily Guarnotta, PsyD, PMH-C. “Do të thotë të marrësh parasysh ndjenjat e fëmijës dhe, njëkohësisht, të ruash kufijtë.
Për shembull, nëse fëmija bërtet sepse dëshiron më shumë kohë para ekranit, një qasje tolerante mund të jetë t’i lejohet ta vazhdojë. Një qasje hibride, ndërkohë, e pranon emocionin e fëmijës, por ruan kufirin. Ndërsa prindërimi që synon “thyerjen e ciklit” kërkon që prindërit të shqyrtojnë mënyrën se si janë rritur, të identifikojnë ndikimin që kjo ka pasur tek ata dhe të vendosin se çfarë duan të bëjnë ndryshe me fëmijët e tyre.
Pse po ndryshojnë stilet e prindërimit?
Prindërit e brezave të mëparshëm u rritën me qasje më autoritare dhe tradicionale, të cilat theksonin bindjen, respektin ndaj autoritetit dhe pavarësinë. Ndërsa prindërit mijëvjeçarë ishin ndër ata që nxitën lëvizjen e prindërimit të butë, si reagim ndaj përvojave të tyre të fëmijërisë.
Prindërit e Gjeneratës Z janë të rinj në këtë bisedë, thotë Guarnotta. Ata u rritën duke parë prindërit mijëvjeçarë të dokumentonin vështirësitë dhe rraskapitjen e tyre dhe duan të gjejnë një mes. Ajo që duket se po humb popullaritet mes prindërve më të rinj është ideja se duhet t’i përmbahesh vetëm një filozofie prindërimi. Ideja se duhet të jesh i butë 100% të kohës po zëvendësohet nga një qasje më fleksibile dhe hibride.
Ky ndryshim nuk është domosdoshmërisht refuzim i prindërimit të butë, por një evolucion i tij.
“Prindërit sot po pyesin: ‘Çfarë është e qëndrueshme dhe realiste për familjen time?’ Po shohim një reagim ndaj prindërimit të përsosur në dukje dhe një theks më të madh te autenticiteti dhe shëndeti mendor i prindit”, thotë Guarnotta.
Përfitimet e kësaj qasjeje mund të jenë të rëndësishme. Prindërit që reflektojnë qëllimisht mbi modelet familjare kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një stil prindërimi proaktiv dhe të shmangin reagimet automatike që përsëriten dhe kalojnë nga një brez në tjetrin.
Kombinimi i empatisë dhe pasojave të qëndrueshme mund të krijojë një qasje që merr më të mirën nga filozofi të ndryshme të prindërimit. Megjithatë, ekzistojnë rreziqe kur stilet e prindërimit bëhen thjesht reagim ndaj së kaluarës: “I kam urryer prindërit e mi për diçka që bënin, prandaj unë do të bëj krejt të kundërtën.”
Një qëndrim i balancuar dhe reflektues i ndihmon prindërit të shmangin kalimin nga një ekstrem në tjetrin.
Çfarë do të thotë kjo për prindërit sot?
Prindërit përballen me një zhurmë të madhe informacioni. Google, ChatGPT dhe rrjetet sociale janë plot me ndikues që u tregojnë prindërve çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë, duke pretenduar se edhe gjërat më të vogla mund të kenë ndikime të mëdha te fëmijët. Është e natyrshme që kjo mbingarkesë informacioni t’i bëjë prindërit të ndihen të hutuar dhe t’i shtyjë të kthehen te ajo që u duket e drejtë, në vend që të ndjekin çdo këshillë që dëgjojnë.
Bukuria e një qasjeje hibride është se prindërit mund të marrin atë që funksionon nga prindërimi i butë dhe nga stilet e tjera dhe të lënë mënjanë atë që nuk u përshtatet. Ata duhet të marrin parasysh edhe mirëqenien e tyre emocionale, e cila është e rëndësishme për maratonën e prindërimit.
Sipas Guarnottas, kjo qasje është më e qëndrueshme për prindërit në planin afatgjatë, më e qartë për fëmijët, sepse u ofron kufij, dhe më autentike, sepse u lejon prindërve të jenë njerëzorë pa u përpjekur të jenë të përsosur gjatë gjithë kohës.
Artikull nga: Shery Gordon
Përkthim: Prinderimi.com
