Një nga gjërat më të bukura që sjell dërgimi i fëmijëve në shkollë është mundësia që ata të përjetojnë një botë të tërë përtej jetës së tyre në shtëpi. Ata mësojnë çfarë do të thotë të jenë pjesë e komunitetit të shkollës, të krijojnë miqësi, të lidhen me mësuesit dhe të ndryshojnë e të rriten si individë. Si prindër, e kuptojmë rëndësinë që fëmijët t’i përjetojnë vetë këto përvoja, por njëkohësisht duam të dimë se çfarë ndodh gjatë kohës që ata janë larg nesh.
Disa prindër e kanë të vështirë të marrin një përgjigje nga fëmijët kur i pyesin: “Si shkoi dita?” Është e dobishme të kemi një mënyrë të qartë për t’iu afruar fëmijëve, në mënyrë që ata të ndihen rehat të flasin dhe të ndajnë me ne detajet e mira, por edhe ato më pak të mira, të ditës së tyre në shkollë.
Prandaj biseduam me ekspertë dhe prindër të tjerë për të kuptuar se si mund t’i nxisim këto biseda. Ja disa pyetje që mund t’ua bëni fëmijëve për shkollën dhe që mund t’i ndihmojnë të flasin më lirshëm.
Bëjini pyetjet sa më konkrete
Bëjini pyetjet pas shkollës sa më specifike të jetë e mundur, sugjeron Dana Basu, PsyD, psikologe klinike e licencuar. Pyetjet e përgjithshme si “Si shkoi dita?” mund t’i lënë fëmijët pa përgjigje. Ndërsa pyetjet për aktivitetet që kanë bërë ose emocionet që kanë përjetuar mund t’i ndihmojnë shumë më tepër.
Më pëlqen t’u bëj fëmijëve të mi pyetje specifike për ditën e tyre në shkollë, sepse kjo i ndihmon të përqendrohen në momente të veçanta”, thotë Dr. Basu. “Kjo ua lehtëson kujtimin e ngjarjeve dhe momenteve që kanë përjetuar gjatë ditës. Pyetje që mund t’u bëni fëmijëve për shkollën Dr. Basu ndan disa nga pyetjet e saj të preferuara:
Për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e ciklit fillor:
- Me kë luajte gjatë pushimit?
- Çfarë bëtë në orën e edukatës fizike?
- Kush e pati një ditë të vështirë në shkollë?
- Për çfarë kishe nevojë për ndihmë sot? Kush të ndihmoi?
- Cila ishte gjëja jote e preferuar gjatë ditës?
Për fëmijët më të rritur:
- Me kë punove gjatë laboratorit të shkencës?
- Cila ishte gjëja më qesharake që ndodhi sot?
- Me kë qëndrove gjatë drekës?
- Cili është mësuesi yt i preferuar ose më pak i preferuar këtë vit?
- A ka diçka që mund të bëj për të të mbështetur sot?
Filloni duke folur për ditën tuaj
Fëmijët kanë më shumë gjasa të hapen me ne nëse edhe ne hapemi me ta, thotë Elizabeth Manly, ish-mësuese e ciklit fillor. Filloni një bisedë të zakonshme duke u treguar si shkoi dita juaj. Edhe këtu, detajet mund të jenë të dobishme. Mund t’u tregoni, për shembull, se harruat kafenë ose se ju u prish stilolapsi i preferuar.
Sa më shumë t’u tregoni, aq më shumë do të kuptojnë se si të flasin për ditën e tyre, thotë Manly. Shpesh fëmijët më të vegjël nuk dinë si të flasin për ditën e tyre. Harrojmë se edhe kjo është një aftësi që duhet mësuar. Kur të vijë radha për t’i pyetur për ditën e tyre, Manly pajtohet me këshillën e Dr. Basu: bëjini pyetjet sa më konkrete.
Pyetini çfarë hëngrën si ushqim mes vakteve, me kë luajtën gjatë pushimit dhe çfarë tregimi lexuan, sugjeron ajo. “Ndonjëherë pyetja e përgjithshme ‘Si shkoi dita?’ është shumë e madhe për fëmijët e vegjël. Ata as nuk dinë nga t’ia fillojnë! Nëse i pyesni se çfarë bënë në edukatën fizike, përgjigjen e dinë menjëherë.”
Mos pyetni menjëherë – lidhuni me fëmijën fillimisht
Elle Kwan, nga Hand in Hand Parenting, ka një mënyrë paksa ndryshe për ta trajtuar këtë situatë. “Përgjigjja ime është: mos pyetni asgjë”, thotë Kwan. “Të paktën jo në fillim.” Kjo mund të jetë e kundërt me instinktin tuaj, por ka kuptim. “Shkolla mund të jetë e vështirë për fëmijët, edhe kur gjithçka shkon mirë”, thotë Kwan. “Ata dëgjojnë, shohin dhe bëjnë kaq shumë gjëra të reja, të gjitha pa ju. Kur kthehen në shtëpi, ajo që duan të ndiejnë është ngrohtësia dhe siguria dhe të dinë se ju jeni të lumtur që ata janë kthyer.”
Në vend që t’i bombardoni me pyetje, Kwan sugjeron të kaloni fillimisht pak kohë duke u lidhur me fëmijën. Përqafojeni ose përshëndeteni me një “high five”. Bëni shaka dhe qeshni bashkë nëse ka dëshirë të luajë, ose mund të bëni edhe një garë të vogël gjatë rrugës për në shtëpi.
Bëni atë që funksionon për fëmijën tuaj për ta ndihmuar të ndihet i sigurt, i qetë dhe në shtëpi. Pasi fëmija të jetë qetësuar, mund të jetë momenti i duhur për ta pyetur për ditën. Por, siç thotë Kwan, duhet ta krijoni fillimisht hapësirën e duhur dhe ta çoni bisedën gradualisht drejt temës.
Përdorni pyetje të hapura si pikënisje
Daniela Wolfe, LMSW, punonjëse sociale në një shkollë të mesme dhe nënë e dy adoleshentëve, e di sa e vështirë mund të jetë t’i bësh fëmijët, veçanërisht më të rriturit, të tregojnë si u ka shkuar dita. Do të vija bast se nëse e pyesni cilindo fëmijë ‘Si shkoi dita?’, pothuajse me siguri do të merrni përgjigjen ‘Mirë, thotë Wolfe. Edhe pse kjo mund të tingëllojë sikur gjithçka është në rregull, në fakt nuk ju tregon asgjë dhe e mbyll bisedën.
Prandaj, Wolfe sugjeron përdorimin e pyetjeve të hapura, veçanërisht nëse dëshironi përgjigje më të plota.
Mund të provoni:
- Çfarë të bëri të qeshësh ose të buzëqeshje sot?
- Çfarë të mërziti sot?
Këto pyetje duhet të shërbejnë vetëm si pikënisje. Ndërsa biseda vazhdon, mund të bëni pyetje të tjera të lidhura me atë që fëmija po tregon. Ju nuk dëshironi t’i merrni në pyetje sikur të ishin në një intervistim. Këto janë thjesht pika fillestare për një bisedë, thotë Wolfe.
Këshillë
Ndryshimi i mënyrës se si i pyesni fëmijët për ditën e tyre, në vend të pyetjes së zakonshme “Si shkoi dita?”, mund të hapë shumë biseda të rëndësishme dhe t’ju ndihmojë të rilidheni me ta pas shkollës.
Bëni pyetje pa kontakt të drejtpërdrejtë me sy
Mund të tingëllojë e pazakontë, por pyetja e fëmijëve për ditën e tyre pa i parë drejtpërdrejt në sy mund ta bëjë bisedën më të lehtë. Varda Meyers Epstein, eksperte e prindërimit, shkrimtare dhe kryeredaktore në Kars4Kids, thotë se kjo mund ta bëjë ndërveprimin më të rehatshëm për fëmijët e turpshëm ose ata që ngurrojnë të flasin, sepse ul presionin social.
Truku im i preferuar për t’i bërë fëmijët të flasin është të mos krijoj kontakt me sy, thotë Epstein. Kontakti me sy mund t’i bëjë fëmijët të ndihen sikur janë në qendër të vëmendjes, ndaj mbyllen dhe nuk përgjigjen.
Si mund të funksionojë kjo? Mund ta filloni bisedën ndërsa jeni duke bërë diçka tjetër. Për shembull, mund të flisni me fëmijën ndërsa lani enët dhe ai është ulur në tryezën e kuzhinës. Mund të flisni gjithashtu gjatë një shëtitjeje krah për krah ose gjatë udhëtimit me makinë. Disa fëmijë mund të hapen edhe më lehtë përmes mesazheve, për të njëjtën arsye.
Provoni lojën “E mira, e keqja dhe e veçanta”
Grace Poole, teknike e regjistruar e sjelljes dhe nënë e dy fëmijëve, rekomandon një lojë argëtuese që mund t’i ndihmojë fëmijët të hapen. Më pëlqen shumë loja ‘E mira, e keqja dhe e veçanta’ për t’i bërë fëmijët – ose këdo tjetër – të flasin më lirshëm!, thotë Poole.
Në thelb, të gjithë ulen së bashku dhe secili tregon momentin më të mirë të ditës, momentin më të vështirë dhe diçka tjetër interesante ose të pazakontë që dëshiron të ndajë.
Në këtë lojë mund të marrin pjesë të gjithë, përfshirë prindërit dhe vëllezërit apo motrat. Shpesh, bisedat vazhdojnë edhe pasi loja ka përfunduar. Për më tepër, nëse luhet rregullisht, familja mund të krijojë gradualisht një zakon për të ndarë ndjenjat dhe përvojat më personale.
Sa më rregullisht ta luani këtë lojë, për shembull çdo mbrëmje, aq më shumë fëmijët do ta ndiejnë kohën e darkës si një hapësirë të sigurt ku mund të jenë autentikë, të sinqertë dhe të hapur, thotë Poole. Dhe kur fëmijët ju shohin edhe ju duke qenë autentikë, të sinqertë dhe të hapur, ata kuptojnë se loja nuk ka të bëjë vetëm me t’i bërë ata të flasin. Ka të bëjë me ndihmën që i jepni gjithë familjes për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin.
Artikull nga: Wendy Wisner
Përkthim: Prinderimi.com
