Leximi i letërsisë artistike mund të forcojë aftësitë sociale që përdorim për të kuptuar dhe për t’u lidhur me të tjerët. Të zhytesh në një libër të mirë nuk është vetëm kënaqësi. Është gjithashtu i dobishëm për trurin. Leximi në përgjithësi – gazeta, revista dhe libra joartistikë – është lidhur me ngadalësimin e rënies së aftësive njohëse te të rriturit e moshuar dhe madje edhe me jetëgjatësi më të madhe.
Por leximi i letërsisë artistike mund të ketë përfitime të veçanta. Për shembull, sipas kërkimeve, sasia e letërsisë artistike që lexojnë njerëzit duket se është një parashikues më i mirë i aftësive gjuhësore sesa leximi i librave joartistikë.
Dhe, ndoshta edhe më e rëndësishmja, studimet kanë gjetur se leximi i letërsisë artistike lidhet me një aftësi më të mirë për të kuptuar botën sociale – pra, aftësinë tonë për të menduar rreth njerëzve të tjerë dhe për të bashkëvepruar me ta – si dhe me një kuptim më të thellë të botës si një vend kompleks.
Pse ndodh kjo?
Letërsia artistike na detyron të imagjinojmë botën dhe personazhet e një historie. Ajo na vendos përballë këndvështrimeve të ndryshme dhe na kërkon të përpiqemi t’i përjetojmë mendërisht këto perspektiva të ndryshme, shpjegon Nick Buttrick, profesor asistent i psikologjisë në Universitetin e Wisconsin-Madison.
Kjo mund të na ndihmojë të fitojmë një kuptim më të mirë të përvojave tona, por edhe të përvojave të njerëzve që janë shumë të ndryshëm nga ne, thotë Raymond Mar, profesor i psikologjisë në Universitetin York në Toronto, i cili së fundmi ka shkruar një rishikim mbi përfitimet e leximit të letërsisë narrative.
Sipas tij, leximi nxit një formë reflektimi dhe përsiatjeje që mund të jetë e dobishme për ne.
Pse leximi është në të vërtetë një aktivitet social
Shëndeti social është i rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm. Dhe rezulton se leximi, edhe pse shpesh konsiderohet një aktivitet individual, mund të përmirësojë aftësitë tona sociale.
Për ta kuptuar pse, duhet të shohim mënyrën se si leximi ndikon tek ne gjatë rritjes. Mes moshës 4 dhe 6 vjeç, fëmijët zhvillojnë atë që psikologët e quajnë “teoria e mendjes” – aftësinë për të kuptuar se njerëzit e tjerë mund të kenë bindje, këndvështrime dhe ndjenja të ndryshme nga të tyret.
Studimet tregojnë se fëmijët që ekspozohen ndaj më shumë librave me histori janë më të avancuar në këtë etapë të zhvillimit sesa fëmijët që lexojnë më pak histori. Një meta-analizë e vitit 2025, e cila përfshiu 21 studime, zbuloi se fëmijët që lexonin më shumë libra me histori kishin nivele më të larta të empatisë.
Dhe duket se marrëdhënia mes empatisë dhe leximit funksionon në të dyja drejtimet. Një studim i vitit 2024, me më shumë se 900 fëmijë, zbuloi se kuptimi më i mirë i asaj që lexohet parashikonte nivele më të larta të empatisë më vonë në jetë, ndërsa empatia ishte gjithashtu një parashikues i aftësive më të mira të leximit.
Një studim i vitit 2023 gjeti se adoleshentët që lexonin më shumë për kënaqësi kishin më shumë gjasa të bëheshin të rritur më socialë. Leximi i letërsisë artistike “na paraqet një simulim kompleks njohës dhe emocional të botës sociale”, thotë Mar, dhe kjo mund të jetë e dobishme edhe në jetën reale.
Fuqia e tregimit
Një pjesë e këtyre përfitimeve mund të lidhet me fuqinë e rrëfimit. Studimet e neuroimazherisë tregojnë se rrjetet e trurit që përfshihen në kuptimin e historive mbivendosen me rrjetet e trurit që na nevojiten për teorinë e mendjes. Kjo sugjeron se, ndërsa përfshihemi në një histori, truri ynë mund të aktivizojë të njëjtat lloje rrjetesh që përdorim për të kuptuar njerëzit e tjerë.
Edhe forma të tjera të rrëfimit, si filmat dhe serialet televizive, mund të ofrojnë përfitime të ngjashme. Megjithatë, leximi ka një veçori të veçantë: ne duhet ta ndërtojmë botën e historisë në mendjen tonë. “Bota nuk të jepet. Duhet të bësh vetë punën e imagjinimit”, shpjegon Buttrick.
Kjo përpjekje shtesë mund t’i forcojë përfitimet që marrim nga përfshirja në një histori. Kalimi i kohës me personazhet tona të preferuara mund të na ndihmojë gjithashtu të ndihemi të lidhur me të tjerët. Edhe kur miqtë tanë nuk janë pranë dhe nuk mund të takohemi me ta, gjithmonë mund të hapim një libër, thotë Mar.
Leximi mund të jetë edhe një aktivitet social. Klubet e leximit, grupet që organizojnë lexime të përbashkëta dhe komunitetet në rrjetet sociale, si BookTok, mund të na lidhin me lexues të tjerë dhe të shtojnë një tjetër shtresë në zhvillimin e aftësive tona sociale dhe njohëse.
Kur flasim me të tjerët për librat që lexojmë, nuk imagjinojmë vetëm personazhet dhe historinë, por fitojmë gjithashtu një kuptim më të mirë se si njerëzit e tjerë reagojnë ndaj këtyre personazheve dhe ngjarjeve, shpjegon Buttrick.
Përballja me ndryshimin
Përtej përmirësimit të aftësive tona sociale dhe njohëse, leximi i letërsisë artistike mund të zgjerojë botën tonë dhe kuptimin që kemi për kompleksitetin e saj. Autorët e mirë janë vëzhgues të jashtëzakonshëm të gjendjes njerëzore dhe mund të na ekspozojnë ndaj përvojave që ndodhen jashtë zonës sonë të rehatisë.
“Leximi është një takim me ndryshimin: me një lloj tjetër mendjeje, një vend tjetër, një mënyrë tjetër për t’iu qasur botës”, thotë Buttrick. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga fuqitë më interesante të leximit: një libër mund të na bëjë të jetojmë për pak kohë në mendjen e dikujt tjetër.
Artikull nga:Richard Sima
Përkthen:Prinderimi.com
