Pse një fëmijë vazhdon të përpiqet edhe kur një detyrë është e vështirë, ndërsa një tjetër dorëzohet pas përpjekjes së parë? A është çështje aftësish, vetëbesimi apo motivimi? Psikologjia na tregon se gatishmëria e fëmijëve për të mësuar nuk varet vetëm nga dëshira për sukses, por edhe nga mënyra se si ata e kuptojnë lidhjen ndërmjet përpjekjes dhe rezultateve.
Teoria e Pritshmërisë, e zhvilluar nga psikologu Victor Vroom në vitin 1964, ofron një këndvështrim të dobishëm për të kuptuar motivimin. Megjithëse fillimisht u zhvillua për mjediset e punës, parimet e saj mund të ndihmojnë prindërit dhe mësuesit të reflektojnë mbi motivimin e fëmijëve.
Çfarë tregojnë hulumtimet shkencore për motivimin e fëmijëve?
Hulumtimet e psikologes Carol Dweck mbi mentalitetin e zhvillimit (growth mindset) tregojnë se mënyra se si fëmijët i interpretojnë aftësitë e tyre mund të ndikojë në gatishmërinë për t’u përballur me sfidat. Fëmijët që besojnë se aftësitë mund të zhvillohen përmes të mësuarit, strategjive dhe mbështetjes kanë më shumë gjasa t’i shohin vështirësitë si mundësi për përmirësim, jo si dëshmi të paaftësisë.
Ndërkohë, studimet e psikologëve Edward Deci dhe Richard Ryan, të bazuara në Teorinë e Vetëvendosjes, theksojnë tri nevoja psikologjike që mbështesin motivimin: autonominë, kompetencën dhe përkatësinë. Kjo nënkupton se fëmijët motivohen më shumë kur kanë mundësi të bëjnë zgjedhje, ndihen të aftë të përparojnë dhe përjetojnë mbështetje nga të rriturit. Për prindërit dhe mësuesit, këto gjetje sugjerojnë se motivimi nuk duhet ndërtuar vetëm mbi shpërblimet dhe notat, por edhe mbi krijimin e një mjedisi ku fëmija ndihet i sigurt, i vlerësuar dhe i aftë për të mësuar.
1. Pritshmëria: A beson fëmija se mund t’ia dalë?
Imagjinoni një nxënës që ka vështirësi në matematikë. Nëse ai beson se ushtrimet dhe ndihma e mësuesit mund ta përmirësojnë, ka më shumë gjasa të vazhdojë përpjekjet. Por nëse mendon “Unë nuk jam i mirë në matematikë”, mund të dorëzohet përpara se të provojë.
Prandaj, prindërit duhet të vlerësojnë përparimin, jo vetëm rezultatin. Shprehje si “Sot e zgjidhe më mirë se dje” e ndihmojnë fëmijën të kuptojë se aftësitë mund të zhvillohen.
2. Instrumentaliteti: A sjell përpjekja rezultate që fëmija i vëren?
Fëmijët kanë nevojë të shohin se angazhimi i tyre ka kuptim. Kur një nxënës përgatitet për një test dhe vëren përmirësim, ai mund të krijojë lidhje pozitive ndërmjet përpjekjes dhe arritjes.
Megjithatë, nëse puna e tij shpërfillet vazhdimisht, motivimi mund të dobësohet. Mësuesit mund të ndihmojnë duke dhënë komente konkrete: “Ke përdorur një strategji më të mirë për zgjidhjen e problemit.” Kjo është më domethënëse sesa një lavdërim i përgjithshëm.
3. Valenca: Çfarë ka vërtet rëndësi për fëmijën?
Jo të gjithë fëmijët motivohen nga notat, medaljet apo dhuratat. Disa dëshirojnë të ndihen kompetentë, të tjerë kërkojnë vlerësim, ndërsa disa motivohen nga kënaqësia e zbulimit. Një fëmijë që e pëlqen vizatimin mund të angazhohet më shumë në një aktivitet mësimor që përfshin ilustrime.
Prandaj, njohja e interesave individuale është thelbësore për krijimin e përvojave kuptimplota të të nxënit.
Si mund ta zbatojnë prindërit dhe mësuesit këtë teori?
Në praktikë, motivimi mund të mbështetet përmes objektivave të vegjël, udhëzimeve të qarta dhe vlerësimit të përparimit.
Në vend që t’i thonë fëmijës “Duhet të mësosh më shumë”, prindërit mund ta pyesin: “Cila pjesë të duket e vështirë dhe si mund ta zgjidhim së bashku?” Gjithashtu, është e rëndësishme të shmangen krahasimet me fëmijët e tjerë. Secili zhvillon aftësitë me ritmin e vet.
Mesazhi kryesor është se një fëmijë që nuk përpiqet nuk është domosdoshmërisht dembel. Ndonjëherë ai nuk beson se mund të ketë sukses, nuk sheh rezultate ose nuk gjen kuptim në aktivitet.
Detyra e të rriturve është të kuptojnë pengesën, jo thjesht të kërkojnë më shumë përpjekje.
Prinderimi.com
