Këshilla për prindër dhe mësues
1. Pyetini fëmijët se çfarë do të bënin rol modelet e tyre.
Fëmijët ndihen më të lirë të marrin iniciativa kur i shohin problemet përmes syve të njerëzve origjinalë dhe krijues. Pyetini fëmijët se çfarë do të dëshironin të përmirësonin në familjen ose në shkollën e tyre. Më pas, kërkojuni të identifikojnë një person real ose një personazh fiktiv që admirojnë për krijimtarinë dhe zgjuarsinë e tij të veçantë. Çfarë do të bënte ai person në këtë situatë?
2. Lidhini sjelljet e mira me karakterin moral.
Shumë prindër dhe mësues i lavdërojnë fëmijët për veprime të dobishme, por fëmijët bëhen më bujarë kur lavdërohen si njerëz që janë të dobishëm dhe të gatshëm për të ndihmuar – sepse kjo sjellje fillon të bëhet pjesë e identitetit të tyre. Nëse shihni një fëmijë duke bërë diçka të mirë, mund t’i thoni: “Ti je një njeri i mirë sepse _______.”
Fëmijët tregojnë gjithashtu më shumë sjellje etike kur u kërkohet të jenë njerëz me vlera morale – sepse dëshirojnë ta meritojnë atë identitet. Nëse dëshironi që një fëmijë të ndajë një lodër, në vend që ta pyesni: “A do ta ndash lodrën?”, pyeteni: “A do të jesh një fëmijë që di të ndajë me të tjerët?”
3. Shpjegojuni se si sjelljet e këqija kanë pasoja për të tjerët.
Kur fëmijët sillen keq, ndihmojini të kuptojnë se si veprimet e tyre mund t’i lëndojnë ose ndikojnë tek njerëzit e tjerë. Pyetini: “Si mendon se u ndje ajo për shkak të asaj që bëre?”
Kur mendojnë për ndikimin negativ që sjellja e tyre ka tek të tjerët, fëmijët fillojnë të përjetojnë empati dhe ndjenjë faji. Kjo forcon motivimin e tyre për ta korrigjuar gabimin dhe për ta shmangur të njëjtën sjellje në të ardhmen.
4. Vini theksin te vlerat, jo vetëm te rregullat.
Rregullat vendosin kufij që mund t’i mësojnë fëmijët ta shohin botën në mënyrë të ngurtë dhe të pandryshueshme. Vlerat, në të kundërtën, i nxisin fëmijët t’i përvetësojnë vetë parimet dhe t’i bëjnë pjesë të mënyrës së tyre të të menduarit dhe të sjelljes.
Kur flisni për standardet dhe parimet, siç bënin prindërit e njerëzve që shpëtuan të tjerët gjatë Holokaustit, shpjegoni pse disa ideale kanë rëndësi për ju dhe pyetini fëmijët pse mendojnë se ato janë të rëndësishme.
5. Krijoni mundësi dhe hapësira të reja ku fëmijët mund të shfaqin individualitetin e tyre.
Ashtu si fëmijët e lindur më vonë në një familje kërkonin mënyra më origjinale për të krijuar hapësirën e tyre, sidomos kur mundësitë tradicionale ishin tashmë të zëna, edhe fëmijëve mund t’u krijohen mundësi për të gjetur dhe zhvilluar hapësirën e tyre unike.
Një nga teknikat e mia të preferuara është “Klasa Jigsaw” (Jigsaw Classroom): mblidhini nxënësit në një grup për një projekt të përbashkët dhe secilit prej tyre caktojini një pjesë unike të detyrës. Për shembull, gjatë përgatitjes së një projekti për jetën e Eleanor Roosevelt, një nxënës mund të merret me fëmijërinë e saj, një tjetër me vitet e adoleshencës dhe një i tretë me rolin e saj në lëvizjen për të drejtat e grave.
Hulumtimet tregojnë se kjo qasje mund të zvogëlojë paragjykimet, sepse fëmijët mësojnë të vlerësojnë aftësitë dhe pikat e forta të veçanta të njëri-tjetrit. Ajo gjithashtu u krijon hapësirë për të marrë në konsideratë ide origjinale, në vend që thjesht të ndjekin mendimin e grupit.
Për ta nxitur edhe më tej të menduarit krijues, kërkojuni fëmijëve ta shohin një situatë nga një këndvështrim tjetër: Si do të kishte qenë ndryshe fëmijëria e Eleanor Roosevelt nëse ajo do të ishte rritur në Kinë? Cilat beteja do të kishte zgjedhur të luftonte atje?
Tekst nga Libri ”Originals”-Adam Grant
Përkthim: Prinderimi.com
