Mësimdhënësit e arsimit fillor mund t’i ndihmojnë nxënësit të marrin më shumë përgjegjësi për të nxënit e tyre, duke u ofruar mundësi kuptimplota zgjedhjeje gjatë rrugës drejt një qëllimi të përbashkët mësimor.
Të nxënit e personalizuar mund të tingëllojë si një ndryshim rrënjësor në mësimdhënie: plane të ndryshme mësimore për secilin nxënës, teknologji e ndërlikuar ose klasa ku secili punon në diçka krejtësisht të ndryshme. Por kjo nuk është domosdoshmërisht ajo që kërkon të nxënit e personalizuar.
Në thelb, të nxënit e personalizuar mbështetet në idenë se nxënësit mund të punojnë drejt të njëjtit qëllim mësimor, por nuk kanë nevojë të ndjekin të gjithë të njëjtën rrugë për ta arritur atë. Përmbajtja dhe objektivi i të nxënit mund të mbeten të njëjta, ndërsa mënyra e arritjes së tyre mund të ndryshojë.
Megjithëse të nxënit e personalizuar shpesh ngatërrohet me mësimdhënien e diferencuar, këto dy qasje nuk janë të njëjta. Mësimdhënia e diferencuar është kryesisht një përgjigje e mësimdhënësit ndaj nevojave të ndryshme të nxënësve.
Ndërsa të nxënit e personalizuar kërkon që nxënësit të bëhen partnerë aktivë në procesin mësimor, duke kuptuar mënyrën se si mësojnë, duke bërë zgjedhje kuptimplota, duke vendosur qëllime dhe duke reflektuar mbi përparimin e tyre.
Në vend që të fillojnë me një riorganizim të plotë të mësimdhënies, mësimdhënësit mund të nisin me një ndryshim të vetëm, por të qëllimshëm.
Njiheni nxënësin si individ
Për ta zbatuar në mënyrë efektive të nxënit e personalizuar, mësimdhënësit duhet t’i njohin nxënësit që kanë përpara, jo vetëm përmes rezultateve akademike, por edhe përmes pikave të tyre të forta, interesave, nevojave, qëllimeve dhe përvojave.
Nga përvoja ime si ish-mësimdhënëse e kopshtit, kam kuptuar se mënyra më e mirë për ta mbledhur këtë informacion është përmes bisedave të natyrshme, vëzhgimeve, punimeve të nxënësve, takimeve individuale dhe bashkëbisedimeve të shkurtra.
Në këtë mënyrë, mësimdhënësi mund të vërejë se cili nxënës angazhohet më shumë gjatë aktiviteteve praktike, cili ka ide të mira por e ka të vështirë t’i shprehë me shkrim, cili preferon të punojë me një shok dhe cili ka nevojë për një hapësirë të qetë dhe kohë për të menduar.
Është e rëndësishme që edhe vetë nxënësit të jenë pjesë e këtij procesi njohjeje. Në shkollat tona, nxënësit së fundmi morën pjesë në aktivitete eksplorimi të interesave, të përshtatura për moshën e tyre, duke përdorur temat RIASEC të këshilltarit të orientimit profesional John Holland.
Qëllimi nuk ishte t’u kërkonim fëmijëve të vegjël të zgjidhnin profesionin e tyre të ardhshëm. Ata mësuan të njihnin pikat e forta, interesat dhe llojet e aktiviteteve që u pëlqejnë. Aktivitetet synonin t’u jepnin nxënësve mundësi të zbulonin më shumë për veten: çfarë i entuziazmon, çfarë problemesh u pëlqen të zgjidhin, si dëshirojnë të kontribuojnë dhe çfarë do të donin të eksploronin më tej.
Kjo vetëdije për veten ka rëndësi të madhe në klasë.
Një nxënës që mund të thotë: “Më pëlqen të ndërtoj”, “Kam nevojë t’i diskutoj fillimisht idetë e mia” ose “Ndihem më i sigurt kur mund ta vizatoj një ide përpara se ta shkruaj”, ka filluar ta kuptojë veten si individ që mëson.
Pyetjet e thjeshta mund t’i ndihmojnë nxënësit ta zhvillojnë këtë vetëdije:
– Çfarë të ndihmon të mësosh kur diçka të duket e vështirë?
– Për çfarë ndihesh krenar sot?
– Çfarë të ndihmon më shumë të mësosh: të flasësh, të vizatosh, të ndërtosh, të lëvizësh apo të shkruash?
– Cili është një qëllim që dëshiron t’ia vendosësh vetes?
Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve nuk kërkon aktivitete të gjata. Ato mund të përfshihen në takimet e mëngjesit, në një bisedë të shkurtër me mësimdhënësin ose në një reflektim dyminutësh në fund të orës. Qëllimi është t’i ndihmojmë nxënësit të kuptojnë se kanë rol aktiv në të nxënit e tyre dhe se të mësuarit nuk është thjesht diçka që u ndodh.
Ruajeni qëllimin mësimor, por ofroni rrugë të ndryshme për ta arritur
Të nxënit e personalizuar nuk kërkon uljen e pritshmërive ose dhënien e detyrave krejtësisht të ndryshme për secilin nxënës. Qëllimi mësimor mbetet i qartë, ndërsa nxënësve u ofrohen mënyra të ndryshme dhe kuptimplota për ta arritur atë. Imagjinoni një orë mësimore që përqendrohet në shpjegimin se si ndryshon një personazh gjatë zhvillimit të një tregimi.
Objektivi mësimor mund të jetë:
“Unë mund të përdor dëshmi nga teksti për të shpjeguar se si ndryshon një personazh.” Çdo nxënës mbetet përgjegjës për arritjen e këtij objektivi, por mënyra e punës mund të ndryshojë. Një nxënës mund të jetë i gatshëm ta lexojë tekstin në mënyrë të pavarur dhe të shkruajë përgjigjen.
Një tjetër mund të ketë nevojë ta dëgjojë fillimisht tekstin dhe më pas ta rilexojë një pjesë të rëndësishme së bashku me një shok. Një grup i vogël mund të punojë me mësimdhënësin për të diskutuar veprimet e personazhit përpara se t’i shprehë idetë me fjalë.
Disa nxënës mund ta demonstrojnë të kuptuarit përmes një paragrafi të shkruar, një shpjegimi të shkurtër të regjistruar me zë, një renditjeje vizuale të ngjarjeve të mbështetur në dëshmi nga teksti ose një bisede me mësimdhënësin.
Standardi nuk ndryshon. As niveli i kërkesave akademike nuk ndryshon. Nxënësit vazhdojnë të kenë përgjegjësinë të shpjegojnë mënyrën e tyre të të menduarit dhe të përdorin dëshmi. Çelësi është fleksibiliteti: ofrimi i mundësive të ndryshme që nxënësit të angazhohen në procesin mësimor në mënyra që i mbështesin ata.
Jepuni nxënësve një rol kuptimplotë në të nxënit e tyre
Vetëm mundësia për të zgjedhur nuk e krijon automatikisht të nxënit e personalizuar. Nxënësit kanë nevojë edhe për mundësi që të marrin vendime me një qëllim të qartë. Në vend që të pyesin: “Cilin aktivitet dëshiron të bësh?”, mësimdhënësit mund të parashtrojnë pyetje që i nxisin nxënësit të mendojnë për mënyrën se si mësojnë:
– Cila mundësi do të të ndihmonte ta shprehje më mirë mënyrën tënde të të menduarit?
– Çfarë lloj mbështetjeje mund të të ndihmojë sot?
– Pse e zgjodhe këtë strategji?
– Si do ta kuptosh se e ke arritur qëllimin tënd?
Këto pyetje i ndihmojnë nxënësit të shkojnë përtej zgjedhjes së aktivitetit që duket më i lehtë ose më argëtues. Ata fillojnë të mendojnë për atë që u nevojitet për t’u zhvilluar. Nxënësit më të vegjël mund të zgjedhin nëse dëshirojnë t’i shpjegojnë idetë e tyre përmes vizatimit, të folurit apo të shkruarit.
Për nxënësit e klasave më të larta të arsimit fillor, kjo mund të nënkuptojë vendosjen e një qëllimi, zgjedhjen e një strategjie ose vendimin se si ta organizojnë punën përpara se të fillojnë. Mësimdhënësi vazhdon ta udhëheqë procesin. Struktura mësimore mbetet e pranishme, por nxënësit bëhen pjesëmarrës më aktivë, në vend që të jenë vetëm pranues pasivë të vendimeve të të tjerëve.
Krijoni kohë për reflektim
Mundësitë për reflektim janë momentet kur nxënësit fillojnë të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë për të nxënit e tyre.Në fund të një ore mësimore, nxënësit mund të ndalen dhe të mendojnë për atë që i ndihmoi të mësonin, për vështirësitë që përjetuan dhe për atë që mund të bënin ndryshe herën tjetër.
Pyetjet e thjeshta të reflektimit mund të përfshijnë:
– Çfarë të ndihmoi të mësosh sot?
– Çfarë bëre kur u përballe me një vështirësi?
– Për çfarë ndihesh krenar?
– Cili është hapi yt i ardhshëm?
Takimet e udhëhequra nga nxënësit janë një shembull i fuqishëm i zbatimit të kësaj qasjeje në praktikë. Kur nxënësit përzgjedhin shembuj të punimeve të tyre, reflektojnë mbi përparimin, identifikojnë qëllimet dhe ndajnë rezultatet e të nxënit me familjet, ata bëjnë shumë më tepër sesa thjesht prezantimin e një dosjeje me detyra.
Ata mësojnë të tregojnë historinë e zhvillimit dhe përparimit të tyre.
Ndryshimet e vogla mund të sjellin përfitime të mëdha
Të nxënit e personalizuar ka të bëjë me krijimin e mundësive të ndryshme, duke ruajtur njëkohësisht pritshmëri të larta për secilin nxënës. Filloni me një orë të vetme mësimore dhe mbajeni të qartë objektivin e të nxënit. Më pas, pyesni veten: “Ku mund t’u jap nxënësve pak më shumë hapësirë për të shprehur mendimin e tyre, më shumë fleksibilitet ose më shumë përgjegjësi për të nxënit?” Këto ndryshime të vogla mund t’i ndihmojnë nxënësit jo vetëm t’i përfundojnë detyrat, por edhe ta shohin veten si individë që e kuptojnë, e formësojnë dhe ndihen krenarë për përparimin e tyre akademik.
Të nxënit e personalizuar nuk do të thotë që çdo nxënës të mësojë diçka tjetër, por që secili të ketë mundësinë të arrijë qëllimet e përbashkëta përmes mënyrave që i përshtaten nevojave dhe potencialit të tij.
Artikull nga: Lauren Moore
Përkthim: Prinderimi.com
