Në vitin 1976, një tragjedi në Belfast, Irlandën e Veriut, tronditi një komunitet të tërë. Tre fëmijë humbën jetën në një incident me armë zjarri, në një periudhë kur dhuna dhe konflikti politik kishin prekur thellë jetën e përditshme të njerëzve.
Mes atyre që u prekën nga kjo tragjedi ishin dy gra të zakonshme: Betty Williams dhe Mairead Corrigan. Ato nuk ishin politikane dhe nuk kishin ndonjë pozitë të veçantë pushteti. Por përballë dhimbjes, zgjodhën të mos qëndronin indiferente.
Corrigan humbi atë ditë dy mbesa dhe një nip. Williams, e cila e dëshmoi ngjarjen dhe nxitoi për të ndihmuar, u shty të ndërmerrte veprime kundër dhunës. Së bashku me gazetarin Ciaran McKeown, ato nisën një fushatë për paqe dhe themeluan ”Community of Peace People” (Komuniteti i njerëzve të paqes), duke u bërë zë për dialogun dhe kundërshtimin e dhunës në Irlandën e Veriut.
Kur dhimbja shndërrohet në veprim
Williams dhe Corrigan organizuan tubime të mëdha nëpër Irlandën e Veriut, duke u bërë thirrje njerëzve të refuzonin dhunën dhe të zgjidhnin dialogun.
Ata marshuan edhe në rrugë që më parë konsideroheshin zona të rrezikshme ose të paarritshme. Përballë kërcënimeve dhe frikës, ato vazhduan. Çdo të shtunë, nga gushti deri në dhjetor të vitit 1976, njerëzit u mblodhën për të shprehur një mesazh të thjeshtë: ”jo dhunës, po paqes.”
Ky është një mësim që mund të ketë rëndësi edhe në edukimin e fëmijëve: paqja nuk është vetëm mungesa e konfliktit. Ajo kërkon aftësinë për të dëgjuar, për të folur pa lënduar, për të kërkuar zgjidhje dhe për të mos iu përgjigjur zemërimit me më shumë zemërim.
Çfarë mund t’u mësojmë fëmijëve?
Prindërit mund ta përdorin këtë histori për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se edhe një person i vetëm mund të ndikojë pozitivisht te të tjerët.
Fëmijët mund të mësojnë se guximi nuk do të thotë të mos kesh frikë”, por të bësh atë që është e drejtë edhe kur ndihesh i frikësuar. Ata mund të mësojnë gjithashtu se mosmarrëveshjet nuk duhet të përfundojnë në ofendime apo dhunë dhe se kërkimi i ndihmës, ndërmjetësimi dhe dialogu janë mënyra më të shëndetshme për t’i zgjidhur konfliktet.
Edukimi kundër dhunës nuk fillon vetëm kur fëmija bëhet adoleshent. Fillon në familje, përmes mënyrës se si të rriturit reagojnë ndaj zemërimit dhe mosmarrëveshjeve.
Prindërit mund t’i mësojnë fëmijët të:
- shprehin zemërimin me fjalë, jo me goditje;
- dëgjojnë këndvështrimin e tjetrit;
- kërkojnë falje kur lëndojnë dikë;
- vendosin kufij pa poshtëruar të tjerët;
- kërkojnë ndihmë kur ndihen të kërcënuar;
- dallojnë mes një konflikti dhe dhunës;
- mos heshtin kur një fëmijë tjetër po ngacmohet ose po dëmtohet.
OBSH thekson rëndësinë e aftësive të jetës, zgjidhjes së konflikteve, aftësive sociale dhe programeve shkollore për parandalimin e dhunës. Po ashtu, mbështetja e prindërve dhe disiplinimi jo i dhunshëm janë ndër qasjet kryesore parandaluese.
Një trashëgimi e guximit
Për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës dhe për të nxitur pajtimin, ”Betty Williams dhe Mairead Corrigan u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1976”.
Historia e tyre na kujton se ndryshimi nuk nis gjithmonë nga njerëzit më të fuqishëm. Ndonjëherë ai nis nga njerëz të zakonshëm që, përballë dhimbjes, vendosin të bëjnë një zgjedhje të jashtëzakonshme: të mos e ushqejnë më dhunën, por të ndërtojnë paqen.
Dhe ky është një mësim që ia vlen t’ua mësojmë fëmijëve tanë.
Prinderimi.com
