Nga: Gaby Hinsliff / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Është marrëdhënia e dashuri-urrejtjes që përcaktoi një brez. Mendojmë se dimë gjithçka për adoleshentët dhe telefonat me të cilët janë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme: flenë me ta nën jastëk, mbërthehen nga paniku kur u mohohet qasja në internet [Wi-Fi] dhe janë aq të lidhur me ekran sa nuk e vënë re botën që shpaloset rreth tyre. Megjithatë, brezi i parë që nuk ka njohur kurrë vërtet një jetë pa rrjete sociale – droga që kryesisht i kthen sërish drejt telefonit për më shumë – tani është rritur mjaftueshëm për të reflektuar mbi atë që ekrani mund t’u ketë bërë, dhe përgjigjet janë pothuajse të dhimbshme.
Sipas një sondazhi të kryer nga New Britain Project – një institut studimor i themeluar nga ish-mësuesja Anna McShane – dy të tretat e të rinjve nga 16 deri në 24 vjeç mendojnë se rrjetet sociale bëjnë më shumë dëm sesa dobi dhe tri të katërtat duan rregulla më të ashpra për të mbrojtur të rinjtë nga to. Gjysma e të anketuarve mendojnë se kanë kaluar shumë kohë në rrjetet sociale kur ishin më të rinj, dhe ndjenja e pendesës është më e lartë tek ata që i kanë përdorur ato që në moshë më të vogël. Dhe, më domethënësja nga të gjitha: katër në pesë vetë thonë se, nëse do të bëheshin prindër, do t’i mbanin fëmijët larg rrjeteve sociale për aq kohë sa të mundnin. Kjo nuk është mënyra se si dikush flet për diçka që do, por siç reflekton mbi një marrëdhënie që, me kalimin e kohës, e ka bërë të ndihet i mjeruar.
Megjithëse grupet e fokusit të realizuara nga McShane konfirmuan se prindërit janë të dëshpëruar për ndihmë për t’i larguar fëmijët nga ekranet, ajo që është inkurajuese, në studimin e saj, është se sugjeron që brezat nuk janë aq të ndarë sa mund të duket; përkundrazi, gjithnjë e më shumë jemi të gjithë në të njëjtën anë. Del se brezi Z nuk ka nevojë për më shumë leksione nga të moshuarit e tyre (shpesh po aq të varur) mbi largimin nga telefoni i mallkuar. Në fakt, ata mund të kenë diçka për të na mësuar neve.
Të premten, Parlamenti do të votojë projektligjin e deputetit të laburistëve (dhe ish-mësuesit) Josh MacAlister, mbi përdorimin më të sigurt të telefonave, i cili pritet të mbështetet nga qeveria, por vetëm pasi të jetë zbutur dukshëm. Fillimisht, MacAlister favorizonte rritjen e moshës minimale për qasje në rrjetet sociale nga 13 në 16 vjeç, por tani projektligji kërkon vetëm që ministrat të raportojnë pas një viti mbi mundësinë e kësaj mase, të kryejnë më shumë kërkime dhe të publikojnë udhëzime të reja mbi kohën e qëndrimit të fëmijëve para ekranit. Me Elon Muskun si CEO i X-it – pothuajse i ngulitur në Shtëpinë e Bardhë – disa dyshojnë se ministrat po shmangin një përballje me gjigantët amerikanë të teknologjisë. Por, ka edhe arsye të tjera për të mos vepruar me ngut, të paktën derisa Aktit të ri për Sigurinë në Internet – që pritet të hyjë në fuqi këtë pranverë – t’i jepet pak kohë për të funksionuar dhe ministrat të mësojnë nga ndalimet e ngjashme që po zbatohen në Australi dhe Norvegji.
Mirëpo, në ndërkohë dhe çuditërisht, duket se brezi Z po merr gjërat në duart e veta. Një brez fëmijësh që u rritën me internetin, që kaluan izolimin të mbyllur në dhoma dhe shumë shpesh nisën punën e tyre të parë duke u lidhur në takime virtuale në Zoom, tani duket se po përpiqen aktivisht të mësojnë veten se si duhet të socializohen në mënyrë analoge.
Nga Mançesteri në Ibizë dhe Berlin, klubet e natës dhe ambientet e muzikës kanë filluar t’u kërkojnë klientëve të vendosin ngjitës mbi kamerat e telefonave, duke i inkurajuar të mos filmojnë në pistën e kërcimit, por thjesht të shijojnë momentin, ashtu siç bënë dikur prindërit e tyre. Ndërkohë, një shpërthim i klubeve të brezit Z, grupeve të leximit, takimeve për beqarë që janë lodhur nga aplikacionet e njohjeve dhe “detokseve dixhitale”, ku telefonat lihen jashtë derës, pasqyron një etje të re të prekshme dhe të qartë për një lidhje si dikur, ballë për ballë.
Adele Zeynep Walton, një shkrimtare 25-vjeçare, hapi Logging Off Club-in që organizon takime reale sociale për njerëzit që duan të shkëputen nga telefonat, dhe këtë e bëri pas një bisede të rastësishme me miqtë, gjatë një fundjave për ditëlindjen e saj të 25-të. Doli se të gjithë ata shqetësoheshin për kohën që kalonin para ekranit dhe fshehurazi po përpiqeshin ta reduktonin atë kohë, por ndiheshin në siklet ta diskutonin. Në aktivitetet e Logging Off Club, thotë ajo me humor, “ua marrim njerëzve telefonat në derë dhe i vendosim në një kosh”. Në fillim është si t’ju hiqet batanija e ngrohtësisë, por më pas i detyron njerëzit të flasin me njëri-tjetrin në vend që të fshihen prapa një ekrani. Në një nga aktivitetet e saj, të organizuar së bashku me City Daze, një tjetër klub social që organizon shëtitje pa telefona në Londër, pjesëmarrësve madje ua dhanë kartat me sugjerime se si t’i fillojnë bisedat.
Ajo që duket se po rritet veçanërisht mes vajzave të rejave nuk është thjesht një kundërpërgjigje ndaj përmbajtjes toksike, bulizmit apo dezinformimit politik që dominojnë jetën e tyre në internet, por edhe një ndjenjë se koha e tepërt e kaluar në telefona u ka mohuar diçka njerëzore dhe thelbësore. Walton ka filluar të mendojë se ku dëshiron të vendoset në vitet e ardhshme, vetëm për të kuptuar se ndihet çuditërisht e shkëputur nga çdo komunitet real: edhe pse ka folur për vite të tëra me njerëz në internet, të cilët nuk i ka takuar kurrë, ajo nuk ua di emrin as fqinjëve të saj. Brezi i saj, thotë ajo, “është shitur me gënjeshtrën e lidhjes”, nga platformat e mëdha, por po kupton se pseudo-komunitetet që ofrojnë ato, në fund të fundit, janë të pamjaftueshme, duke i shtyrë njerëzit të kërkojnë më shumë. Libri i saj mbi këtë temë, Logging Off, do të botohet në qershor dhe ndonëse është e vështirë për një prind ta lexojë pa ndier fajin që shoqëria ka qenë në gjumë për këtë çështje, ka diçka frymëzuese kur sheh brezin Z teksa përpiqet të rindërtojë jetën që duket se ka munguar.
Sociologu amerikan Robert D. Putnam njihet më së shumti për analizën e tij në librin klasik Bowling Alone, ku argumenton se shoqëria është bërë më e fragmentuar, e polarizuar dhe e mbushur me mosbesim gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, pasi amerikanët u tërhoqën nga aktivitetet kolektive – nga sportet në grup te shkuarja në kishë – që dikur i mbanin lidhur bashkë. Por, në librin e tij më të fundit, The Upswing – të cilin e shkroi me Shaylyn Romney Garrettin – Putnam kthehet edhe një gjysmë shekulli më pas për të eksploruar se si u krijua fillimisht ajo ndjenjë bashkimi në shoqëri. Ai argumenton se ishte gjithashtu pjesërisht një reagim ndaj një periudhe vetmie dhe izolimi, shkaktuar nga zhvendosja e njerëzve nga komunitetet e vogla rurale drejt qyteteve të mëdha, ku kishte mundësi pune, por pak lidhje shoqërore. Pas kësaj, pati një bum të klubeve sociale, nga klubet Rotary dhe grupet e vëzhguesve te sindikatat, që i bashkuan njerëzit; edhe pse atëherë nuk e dinin, në retrospektivë ata po ndërtonin themelet e një ngritjeje shoqërore. Morali i historisë për ata që guxojnë të shpresojnë? Kur shoqëritë shkojnë aq larg në rrugën e izolimit, ndonjëherë e vetmja rrugë e mbetur është ajo që të çon lart. /Telegrafi/
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.