Një plakë e moshuar e quajtur Nola Ochs është shembull i rrallë i njeriut që nuk resht së kërkuari vetëafirmimin përmes diturisë, edhe në moshën më të shtyrë. Nola mbaroi studimet themelore në moshën e saj nëntëdhjetë e pesëvjeçare, ndërsa studimet master i vazhdoi deri në moshën njëqindvjeçare, kur mori gradën master në shkencat e historisë.
Pas diplomimit, ajo jetoi edhe pesë vjet të tjera, sigurisht duke gëzuar me veten e saj suksesin e kësaj pune të pazakontë. Ajo kishte marrë gradën master në vitin kur kishte mbushur një shekull jetë, duke i bërë jetëgjatësisë së saj një dhuratë të çmuar. Shekulli kishte ikur, por në jetën e saj kishte sjellë, nga fundi, një kurorëzim mbresëlënës të suksesit në sferën akademike.
Nola kishte triumfuar mbi pleqërinë, mbi harresën që sjell mosha e shtyrë dhe mbi humbjen e besimit në vete. Ajo ishte një fitimtare për veten e saj, sepse e kishte mbushur jetën me një përmbajtje të re dhe i kishte dhënë asaj një drejtim të ri.
Rasti i saj është shumë frymëzues për miliona pleq e plaka, që të mos i ndalojnë aktivitetet e jetës së tyre kur të pensionohen ose kur të tjerët u thonë se janë pleq. Ata mund të gjejnë në shembullin e saj një model mbresëlënës të njeriut të moshuar, i cili mbetet këmbëngulës për ta arritur diturinë dhe për ta kërkuar atë deri në fund të jetës.
Fatkeqësisht, anekënd botës ka shumë njerëz që dorëzohen madje shumë kohë para se ta arrijnë moshën e pensionimit. Nuk u shkon mendja se mund të jenë edhe më tutje të vlefshëm, së paku për veten e tyre, duke e sprovuar veten edhe në ndonjë fushë të re të dijes.
Kam njohur disa njerëz të moshuar që kanë pasur kujtesë të shkëlqyeshme, që kanë qenë në gjendje të absorbojnë informata në baza ditore dhe t’i komentojnë ato në detaje. Bile, njëri prej tyre, Namani, ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë aspekt, si për atë që kishte memorizuar, ashtu edhe për atë që mund të memorizonte. Jam i bindur se, po të ndiqte studime në moshën shtatëdhjetëvjeçare, ai do të ishte ndër studentët më të mirë.
Pra, ngado që ta shikosh këtë çështje, njerëzit e shtyrë në moshë kanë motiv dhe arsye të vazhdojnë të mbledhin dituri dhe ta realizojnë ndonjë ëndërr të tyre, qoftë edhe me vonesë.Askush nuk e di se ku është fundi i jetës së tij, prandaj askush nuk duhet ta ndalojë punën dhe të presë, si i paralizuar, vdekjen, e cila nuk dihet kur vjen.
Zonja Nola është një shembull i veçantë, jo vetëm pse ka hyrë në Librin e Ginisit si personi më i moshuar që ka diplomuar në universitet. Ajo është edhe më shumë se kaq. Ajo është si shkopi në kërcimin së larti, kur vendoset në atë lartësi e cila, për shumicën absolute, është e paarritshme. Por, nëse secili e vendos shkopin në lartësinë që mund ta arrijë, atëherë suksesi mund të vijë për secilin që guxon të provojë.
Artikull nga: Milazim Krasniqi- libri: ”Rruga për në shtëpinë e shpëtimit”, Logos-A
Publikon: Prinderimi.com
