Ajo çfarë fëmija juaj ha gjatë ditës mund të ndikojë në gjumin e tij gjatë natës. Një vakt i lehtë, i marrë një orë para gjumit, mund të jetë i dobishëm për disa fëmijë. Shmangni vaktet e rënda pasi kjo mund ta bëjë më të vështirë gjumin, por gjithashtu kini parasysh se nëse fëmija juaj e fillon ditën herët, mos fjetja në gjumë mund të jetë edhe për shkak të urisë.
Është më mirë të shmangni sheqerin, por gjithashtu merrni parasysh nivelet natyrore të sheqerit kur i ofroni një vakt të vogël. Frutat dhe lëngjet natyrale të frutave përmbajnë sheqer dhe një sasi e tepërt e tyre shumë afër orarit të gjumit mund të japë një nxitje energjie. Shmangni kafeinën nga pasditja vonë e në vazhdim. Ajo nuk është e pranishme vetëm në çaj dhe kafe, por mund të gjendet edhe në çokollatë të nxehtë dhe pije me gaz.
Melatonina është hormoni që prodhojmë kur errësohet dhe na ndihmon të ndihemi të përgjumur. Disa ushqime përmbajnë melatoninë, megjithëse kërkimet rreth sasive dhe ndikimit në gjumë kërkojnë shumë më tepër punë.
Më poshtë është një listë ushqimesh që mund të ndihmojnë gjumin; ende duhet të bëhen shumë më tepër kërkime në këtë fushë, por shumë familje shprehen se e gjejnë këtë listë të dobishme:
- Bajamet përmbajnë magnez që nxit si gjumin ashtu edhe relaksimin e muskujve. Ato gjithashtu ndihmojnë në mbajtjen stabile të niveleve të sheqerit në gjak gjatë natës.
- Bananet janë një burim i shkëlqyer magnezi dhe kaliumi. Ato përmbajnë gjithashtu triptofan, një aminoacid që na ndihmon të flemë, por mos harroni se frutat përmbajnë edhe sheqer. Përzieni një banane me një gotë qumësht për ta bërë një pije ideale para gjumit.
- Produktet e qumështit, jogurti, qumështi dhe djathi përmbajnë triptofan, duke na ndihmuar të biem në gjumë më lehtë. Kalciumi është efektiv në reduktimin e stresit dhe djathi nuk të shkakton makthe!
- Qershitë, veçanërisht qershitë e athëta, nxisin natyrshëm prodhimin e melatoninës. Mund të provoni të pini një gotë lëng qershie (i disponueshëm në shumicën e dyqaneve të ushqimeve natyrale) ose një porcion qershish të freskëta, të ngrira ose të thara para gjumit.
- Drithërat jo vetëm që janë një vakt i shëndetshëm, por mund t’ju ndihmojnë edhe të përgjumeni. Ushqimet e pasura me karbohidrate komplekse rrisin disponueshmërinë e triptofanit në qarkullimin e gjakut. Megjithatë, shmangni drithërat me sheqer, pasi këto do t’i japin fëmijës tuaj një nxitje sheqeri dhe do ta zgjojnë.
Lexoni edhe:
https://prinderimi.com/rutinat-e-gjumit-per-femije/
Burimi: Fondacioni Britanik për Gjumin
Solli për ju: Prinderimi.com