Edhe pse çdo ditë e më shumë po përballemi me probleme serioze që prekin jetën dhe mirëqenien e fëmijëve dhe adoleshentëve, duket se sistemi ynë arsimor ende nuk po e trajton me seriozitet të mjaftueshëm pyetjen se çfarë përmbajtjesh edukative u ofrojmë këtyre të rinjve dhe në cilën moshë.
Në këtë realitet, fillimi i vitit të ri shkollor dhe furnizimi i nxënësve me libra duhej të sillte siguri dhe lehtësim për prindërit. Por, përveç lajmeve të mira, librat sollën edhe pikëpyetje serioze rreth përmbajtjes së materialeve që po u vendosen në duar fëmijëve.
Një prej tyre lidhet me librin e Edukatës qytetare për klasën e 9-të, ku nxënësit përballen me një kapitull të titulluar “E drejta për të vdekur”, i cili përfshin edhe shpjegime rreth vetëvrasjes dhe eutanazisë.
Kjo përmbajtje kërkon një diskutim serioz publik dhe institucional të menjëhershëm! Rrjedhimisht, Rrjeti i Prindërve të Kosovës e kundërshton dhe e dënon këtë përmbajtje, duke kërkuar që ajo të rishikohet dhe të hiqen temat që nuk përkojnë me moshën dhe zhvillimin e fëmijëve.
Ky shqetësim duhet të merret seriozisht!
Nxënësit e klasës së 9-të janë kryesisht 14–15-vjeçarë. Ata janë ende në një periudhë të zhvillimit të rëndësishëm emocional, psikologjik dhe moral. Për këtë arsye, përzgjedhja e përmbajtjes mësimore duhet të bëhet me kujdes të veçantë. Fakti që një temë është e rëndësishme nuk do të thotë se është automatikisht e përshtatshme për çdo moshë.
Çfarë kërkojmë nga MASHTI?
Rrjeti i Prindërve të Kosovës i bën thirrje urgjentisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASHT) të ndërmarrë një rishikim të menjëhershëm pedagogjik, psikologjik dhe përmbajtësor të kësaj njësie! Procesi duhet të përfshijë ekspertë të zhvillimit të fëmijëve, mësues, prindër dhe profesionistë të mbrojtjes së fëmijëve.
Prindërit kanë të drejtë të dinë se çfarë u mësohet fëmijëve të tyre. Mësuesit duhet të kenë udhëzime të qarta për trajtimin e temave sensitive. Ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të sigurohen se çdo përmbajtje e përfshirë në tekstet shkollore i shërben zhvillimit dhe mirëqenies së nxënësve.
Fëmijët kanë të drejtë për arsim, por edhe për mbrojtje, dinjitet, mirëqenie dhe zhvillim të shëndetshëm.
Prandaj, kërkesa është konkrete: rishikoni tekstet, dëgjoni prindërit, konsultoni profesionistët dhe vendoseni interesin më të mirë të fëmijës mbi çdo përmbajtje që nuk mund të arsyetohet qartë pedagogjikisht.
Një libër shkollor nuk është thjesht një mjet mësimor. Ai ndikon në mënyrën se si fëmijët e kuptojnë veten, shoqërinë, marrëdhëniet, përgjegjësitë dhe botën përreth tyre. Prandaj, cilësia e një teksti nuk duhet të matet vetëm me faktin se ai është miratuar apo kontrolluar nga ekspertë. Edukata qytetare duhet t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë përgjegjësinë, dinjitetin njerëzor, kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve dhe, mbi të gjitha, vlerën e jetës.Duhet të shtrohet edhe pyetja nëse përmbajtja është e përshtatshme për moshën, zhvillimin dhe nevojat e nxënësve.
Vetëvrasja dhe eutanazia nuk janë koncepte të thjeshta qytetare. Ato kërkojnë kontekst të gjerë dhe trajtim profesional. Eutanazia, në veçanti, përfshin pyetje të ndërlikuara etike, juridike dhe mjekësore dhe nuk është e rregulluar si praktikë e ligjshme në Kosovë. Ato si koncepte dhe praktika, mësohen në shkollën profesionale të mesme të mjekësisë, dhe atë në vitin e dytë!
Prandaj, institucionet arsimore duhet të përgjigjen qartë: cili është qëllimi pedagogjik i përfshirjes së kësaj teme në kurrikulën e klasës së 9-të? A është vlerësuar përshtatshmëria e saj për moshën? Dhe a janë konsultuar profesionistë të zhvillimit të fëmijëve dhe prindërit?
Standardet për tekstet shkollore kërkojnë që përmbajtja dhe gjuha t’u përshtaten moshës dhe aftësive psikofizike të nxënësve. Ndërsa Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës vendos në qendër të vendimmarrjes interesin më të mirë të fëmijës, si dhe të drejtën e tij për jetë, mbijetesë dhe zhvillim.
Prinderimi.com
