Pse kjo gjeneratë mund të ketë më shumë kujtime nga fëmijëria e të tjerëve sesa nga e veta?
“Ne jemi gjenerata e parë që do të rritet me më shumë kujtime nga fëmijëria e njerëzve të tjerë sesa nga fëmijëria jonë”, i thotë Jonathan Haidt, PhD, revistës Parents. Ai po i referohet një ideje që tri gra të Gjeneratës Z ia kanë shprehur gjatë kërkimeve të tij – vetëm një pjesë e vogël e dëshmive që ai ka mbledhur për librin e tij të ri, The Amazing Generation, të cilin e ka bashkëautor me Catherine Price. Pavarësisht nëse kjo është plotësisht e vërtetë apo jo, Gjenerata Z është gjenerata e parë që është rritur pothuajse tërësisht në epokën digjitale.
Për çfarë flet libri i ri i Jonathan Haidt?
Në librin e tij bestseller të vitit 2024, ”The Anxious Generation” (Gjenerata e Ankthit), Dr. Haidt argumenton se fëmijët që u rritën me telefona inteligjentë gjatë fillimit të viteve 2010, në vende të ndryshme të botës, përjetuan nivele shumë të larta ankthi, depresioni dhe vetëlëndimi, krahasuar me gjeneratat e mëparshme të të rinjve që nuk kishin telefona me vete, të mbushur me rrjete sociale dhe mundësi për bullizëm kibernetik.
Tani, Dr. Haidt është bashkuar me Price, autore e librit ”How to Break Up with Your Phone”(Si të ndahesh prej telefonit”, për të propozuar një mënyrë tjetër qasjeje ndaj fëmijëve që janë tepër të lidhur me telefonat, përmes librit ”The Amazing Generation”. Libri argumenton se fëmijët janë të gatshëm dhe madje dëshirojnë t’i lënë telefonat mënjanë dhe të rikthehen në botën reale.
Libri kombinon një rrëfim në stilin e romanit grafik me kuti informuese, pyetje, këshilla dhe të dhëna rreth rreziqeve të rrjeteve sociale, duke iu drejtuar fëmijëve të moshës 8–16 vjeç. Nuk bëhet fjalë për t’ua marrë telefonat fëmijëve përgjithmonë. Sipas autorëve, fëmijët kanë nevojë për ta në shoqërinë e sotme, por duhet të mësojnë t’i kushtojnë më pak vëmendje. Ne nuk synojmë kryesisht t’ua heqim telefonat. Synimi ynë kryesor është t’ua rikthejmë fëmijërinë. Kjo është e gjithë çështja, thotë Dr. Haidt.
Çfarë shpreson libri t’u mësojë fëmijëve?
Libri shpjegon në një mënyrë të kuptueshme për fëmijët se si kompanitë teknologjike – të quajtura “Magjistarët Lakmitarë” në libër – i kanë krijuar rrjetet sociale në mënyrë që t’i mbajnë fëmijët online sa më gjatë të jetë e mundur, përmes reklamave dhe algoritmeve që u sjellin atyre më shumë fitime.
Fëmijët mësojnë gjithashtu se si mund të bëhen një lloj “rebelësh” duke e lënë telefonin dhe duke zgjedhur argëtimin, miqësinë dhe lirinë në botën reale. Libri sjell shembuj të të rinjve që jo vetëm i kanë lënë telefonat, por kanë krijuar edhe organizata dhe lëvizje për t’i nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Po fëmijët që e lexojnë librin në shtëpi? Autorët duan që ata, para së gjithash, të dalin jashtë dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin ballë për ballë.
“Një pjesë e misionit tonë është rikthimi i fëmijërisë njerëzore në botën reale, të paktën deri në moshën 16-vjeçare”, thotë Dr. Haidt. Sipas tij, puberteti është një periudhë universale e ndryshimeve të shpejta në tru, të cilat ndodhin në përgjigje të ndërveprimit me mjedisin shoqëror. Ndërveprimi përmes pëlqimeve dhe komenteve online nuk mund ta zëvendësojë plotësisht këtë përvojë.
Si lidhet The Amazing Generation me kërkimet e mëparshme të Haidt?
Autorët kanë zhvilluar kërkime të shumta për të mbështetur idenë se fëmijët në të vërtetë duan të largohen nga telefonat dhe të rikthehen në lojërat dhe aktivitetet reale. Ata kanë folur drejtpërdrejt me fëmijët për të kuptuar qëndrimet e tyre ndaj teknologjisë.
Në një artikull të ”The Atlantic”, të publikuar në gusht 2025, Lenore Skenazy, Zach Rausch dhe Dr. Haidt shkruajnë se fëmijët duan të takohen personalisht, pa ekrane dhe pa mbikëqyrje të vazhdueshme. Por, për shkak se shumë prindër kufizojnë mundësinë e tyre për t’u shoqëruar në botën reale, fëmijët përfundojnë duke përdorur telefonat si mënyrën më të lehtë për të qenë me njëri-tjetrin pa të rriturit pranë.
Libri e zhvillon më tej këtë argument, duke e lidhur kufizimin e lojës dhe shoqërimit në botën reale me frikën dhe mbikëqyrjen e shtuar të prindërve.
Prindërit modernë përballen me frikë të shumta: nga rrëmbimi i fëmijëve nga persona të panjohur deri te ekspozimi i tyre online ndaj shfrytëzimit seksual. Këto shqetësime, të kombinuara me përhapjen e telefonave inteligjentë, kanë ndikuar në mënyrën se si fëmijët shoqërohen dhe luajnë.
Varësia e të rinjve nga telefonat është një “problem kolektiv”
Një nga arsyet kryesore pse kaq shumë fëmijë qëndrojnë gjatë në telefon është frika se mos mbeten jashtë grupit – FOMO (Fear of Missing Out).
Krijohet një efekt domino: fëmija dëshiron të ketë rrjete sociale sepse të gjithë shokët i kanë; prindi ndihet nën presion për t’ia lejuar; dhe më pas një numër gjithnjë e më i madh fëmijësh përfshihet në të njëjtin cikël. “Presioni për të qenë në telefon nuk vjen kryesisht sepse telefonat dhe rrjetet sociale janë kaq të mrekullueshme”, thotë Dr. Haidt. “Ai vjen nga dëshira e fëmijëve për t’u ndier pjesë e fenomenit të telefonave inteligjentë.”
Fëmijët mendojnë: “Nëse të gjithë të tjerët janë online, edhe unë duhet të jem.” Një mënyrë për ta parandaluar këtë varësi është që familjet të fillojnë herët të prioritizojnë aktivitete dhe ndërveprime pa ekrane.
A duan vërtet të rinjtë më pak kohë online?
Sipas autorëve, po. Dhe ata thonë se kanë dëshmi për këtë. Një nga anketat e përfshira në libër i pyeste fëmijët: “Si dëshiron ta kalosh kohën me miqtë e tu?” Rreth 45% zgjodhën lojën pa mbikëqyrje dhe thjesht qëndrimin së bashku me miqtë, ndërsa vetëm 25% zgjodhën të luanin me miqtë online.
“Fëmijët duan të dalin, të argëtohen së bashku dhe të kenë një fëmijëri emocionuese. Ne thjesht duhet të fillojmë t’ua lejojmë këtë”, thotë Dr. Haidt. Ndoshta fëmijëve nuk u pëlqen aq shumë të jenë online
Price dhe Dr. Haidt argumentojnë se brezat më të rinj, përfshirë Gjeneratën Alpha, duhet ta kuptojnë se Gjenerata Z nuk qëndron për orë të tëra në këto aplikacione domosdoshmërisht sepse i pëlqen, por sepse është krijuar një ndjenjë varësie dhe “ngecjeje” në to. “Pothuajse gjysma e të rinjve nga 18 deri në 27 vjeç thanë se do të dëshironin që disa prej platformave kryesore të rrjeteve sociale të mos ishin shpikur kurrë”, thotë Price.
Edhe pyetja se kur do të dëshironin të kishin marrë telefonin e parë është domethënëse. Shumë prej tyre thonë: “Do të doja të kisha pritur.” Madje edhe disa fëmijë thonë se do të dëshironin që prindërit të kishin pritur më gjatë.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Autorët propozojnë disa alternativa për të krijuar më shumë hapësirë për shoqërim real:
- T’u ofrojnë fëmijëve një telefon tradicional për të komunikuar me miqtë, pa rrjete sociale.
- Të përdorin një telefon të thjeshtë, pa internet, që mund të jetë i përbashkët për familjen dhe të mbahet në hapësirat e përbashkëta.
- Të krijojnë më shumë mundësi që fëmijët të dalin, të luajnë dhe të shoqërohen pa ekrane.
Si t’i ndihmojmë fëmijët të largohen gradualisht nga ekranet?
Autorët theksojnë se bisedat rreth ekraneve shpesh kthehen në konflikte mes prindërve dhe fëmijëve. Qëllimi duhet të jetë që ato të shndërrohen në biseda bashkëpunuese.
Disa nga sugjerimet janë:
- Shtyrja e përdorimit të ekraneve sa më gjatë që të jetë e arsyeshme gjatë fëmijërisë së hershme.
- Shtyrja e marrjes së telefonit inteligjent dhe përdorimit të rrjeteve sociale, me autorët që propozojnë moshën 16 vjeç si një pikë orientuese.
- T’u jepet fëmijëve më shumë pavarësi të përshtatshme për moshën: të blejnë vetë diçka në një dyqan, të ecin ose të shkojnë me biçikletë në shkollë, të përgatisin mëngjesin ose të kryejnë detyra të vogla pa ndihmën e vazhdueshme të prindit.
- Të krijohen rregullisht aktivitete familjare dhe shoqërore ku telefonat nuk janë qendra e vëmendjes.
Sipas autorëve, kjo mund t’i ndihmojë fëmijët të ndihen më të sigurt, më të aftë dhe më të pavarur. Në thelb, The Amazing Generation synon t’u rikthejë fëmijëve atë që teknologjia nuk mund ta zëvendësojë plotësisht: miqësinë, lirinë dhe argëtimin në botën reale.
Dhe ndoshta pyetja që duhet t’ua bëjmë fëmijëve nuk është vetëm: “Sa kohë kalove sot në telefon?”, por edhe: “Çfarë bëre sot që do të të kujtohet pas dhjetë vitesh?”
Artikull nga: Katie Grant
Përkthim: Prinderimi.com
