- Sot në epokën e Instagramit, të gjithë kanë filluar të duken si të gjithë të tjerët, paçka se diçka e tillë nuk është ide burimore.
- Përgjatë historisë vërehet se koncepti i bukurisë ka ndryshuar vazhdimisht, e me theks të veçantë përgjatë shekullit të kaluar deri sot.
- Sot koncepti i bukurisë për dallim prej periudhave të tjera, është shumë i dhimbshëm dhe i kushtueshëm. Sipas statistikave në vitin 2021 numri i femrave në 10 shtetet me numër më të madh të intervenimeve plastike arrin mbi 18 milion.
- Megjithatë, tentativa për përsosmëri në bukuri mban një marrëdhënie ambivalente me artificialitetin, dhe se bukuria është cilësi thelbësore e ekzistencës, por ajo shfaqet së bashku me cilësitë e unitetit, të vërtetës dhe mirësisë.
Çka është bukuria? Cila është femra e bukur? Çka është femër e bukur? Pse duhet të jetë një femër e bukur? Çka është femra? Ku është e bukura?
Bukuria si koncept gjithmonë përgjatë historisë është perceptuar si relative. Diçka që për dikë ka qenë e shëmtuar për dikë tjetër ka qenë gjëja më e bukur në botë. Edhe pse sot, në dekadën e Instagramit ne e dimë që na është vjedhur liria e shijes, megjithatë jemi të bindur që disa gjëra tjera janë më të rëndësishme se rikthimi i saj. Të gjitha filluan të duken si të gjithë të tjerët. Nga syri i një studiuesit të shkencave shoqërore nuk është e vështirë të shihet se kjo nuk është “ide origjinale” e femrave.
Në fakt, këtë e shohim në historinë e bukurisë meqenëse fustanet përqafuan trupin e femrës në vitet 1910 ku filloi përdorimi i korseve dhe imponimi i formës së figurës femërore sepse korseja është makina e parë e dobësimit. Këtu filluan tendencat e femrave për humbje peshe. Paralelisht, korseja dhe sytjena ekzistojnë si mjete të reja veshjeje të cilat paraqiten në vitet 1930 dhe 1940. Kjo periudhë markon përfundimin e Luftës së Parë Botërore, zhvillimin ekonomik të SHBA-ve dhe shumë para luftës së dytë botërore. Në këtë periudhë femra me theks të veçantë fillon të shihet si ‘seks objekt’ dhe nga ajo periudhë figura e femrës është rob i kofshëve të gjera. Ndërsa, në vitet 1970 fokusin marrin këmbët e gjata, në vitet 1990 anoreksia ishte në modë e pastaj në vitet 2000 në modë ishte stomaku i dukshëm dhe prej vitit 2010 simbol i bukurisë së figurës femërore është një femër e cila bëhet e famshme rastësisht me publikimin e disa videove pornografike.
Instagrami me invencionin e filtereve fotografik të cilët rrisin volumin e buzëve, zvogëlojnë hundën, ndryshojnë ngjyrën e syve dhe realizojnë çdo manovër të mundshme në figurën e femrës ngjallin komplekse dhe pakënaqësi në pamje në shumicë të hatashme të femrave. Sipas statistikave në vitin 2021 shfaqen 10 shtetet me numër më të madh të intervenimeve plastike dhe ato arrijnë mbi 18 milion femra. Ky numër me shumë siguri është stërzmadhuar në vitin 2023. Kirurgjia plastike në fillimet e saj duke qenë flamur privilegji i fuqisë financiare tani ka arritur të jetë e arritshme për masë të madhe për këtë shkak te korsat e sheshet e qyteteve shohim femra të cilat janë gjithë si njëra-tjetra. Sipas hulumtimeve të ndryshme nëpër klinika të kirurgjisë plastike arsyeja kryesore e cila i nxit femrat në këtë veprim është shtimi i vetëbesimit dhe vetëvlerësimit.
Si profesioniste e shëndetit mendor, unë, nuk kam asgjë kundër intervenimeve plastike përderisa e bëjnë një njeri në përgjithësi dhe një femër në veçanti më të lumtur, mirëpo kur këto intervenime janë me qëllim të ndërtimit të vetëvlerësimit ndizen shumë alarme. E njëjta gjë vlen edhe për makiazhin. Makiazhi është zbukurim i këndshëm femëror deri në pikën kur një femër mund të del lirisht në shëtitje edhe pa të. Mirëpo, kur një femër ndihet më pak e bukur ose më pak e vlerësuar kur del pa makiazh ose në raste kur një femër nuk mund të paramendojë veten të del jashtë shtëpisë pa makiazh atëherë alarmohet gjendje tragjike ngaqë kjo bie ndesh me natyrshmërinë njerëzore.
Nëse shikojmë prapavijat e makiazhit nga prizmi i evolucionit, bronzi dhe ngjyra e kuqe në faqe ka për qëllim tregimin e shëndetit të femrës; pudra për lëkurën e pastër si shenjë e shëndetit të mirë; buzët e kuqe po në të njëjtën mënyrë; lapsi i zi në sy si teknikë për t’i bërë sytë të duken më të mëdhenj si shenjë e bukurisë dhe të gjitha këto janë vetëm e vetëm për të arritur në mënyrë artificiale bukurinë natyrore të femrës. Këtu duhet parashtruar një pyetje tejet serioze: çfarë po humbin femrat duke u munduar të fitojnë çfarë?
Sipas Aquinas, bukuria është cilësi thelbësore e ekzistencës, por ajo shfaqet së bashku me cilësitë e unitetit, të vërtetës dhe mirësisë. Prandaj, bukuria nuk ka kriter tjetër veç njohjes dhe ndërgjegjësimit të këtyre vlerave. Thelbi i së bukurës dhe kriteret e së bukurës janë bazuar në mënyra të ndryshme në periudha të ndryshme të historisë së filozofisë. Kur shikojmë historinë e filozofisë, për herë të parë, nën ndikimin e Sokratit, Platoni pyeti “Çfarë është e bukura?” Ai argumenton se bukuria e gjërave individuale është e ndryshme nga vetë bukuria, bukuria absolute dhe se “mirësia”, “dobia”, “përshtatshmëria” dhe “kënaqësia” nuk mund të pranohen si kritere të bukurisë. Në veprat e pleqërisë së tij, Platoni mbron një kuptim të së bukurës bazuar në pikëpamjen logjiko-matematikore, të cilën ai e përcakton si proporcion të saktë dhe të përshtatshëm. Kuptimi i Platonit për bukurinë, i cili bazohet në raportin, proporcionin dhe rendin që mund të matet me numër, ndikoi gjithashtu tek filozofët e mëvonshëm antik. Kur flet për konceptin e “bukurisë”, Aristoteli thekson rendin dhe madhështinë në botën që jetojmë, perceptojmë dhe përjetojmë ndryshe nga Platoni, sipas Aristotelit, bukuria ka një kriter tjetër, përkatësisht kriterin psikologjik: ndjenjën e pastër që lë bukuria në shpirtin e njeriut.
Tentativa për përsosmëri në bukuri mban një marrëdhënie ambivalente me artificialitetin. Kjo përsosmëri duhet të jetë e pavarur nga të gjitha aspektet. Duke qenë se do të vazhdojë të ekzistojë deri në përjetësi duhet ta jetojë këtë pa “ndihmë”. Ky është burimi i këtij dyshimi për artificialitetin, i këtij dyshimi për kozmetikën, për ngjyrosjen: vetëm një bukuri natyrore mund ta konfirmojë veten.
Megjithatë, bukuria është relative dhe gjithsecili mund të sheh bukurinë e përsosur vetëm duke e ruajtur autencitetin. Barbara Streisand, një aktore dhe muzikante amerikane ka refuzuar gjithë jetën e saj intervenimet plastike për të zvogëluar hundën, ajo ka shkëlqyer me hundën e cila nuk iu është përshtat kallëpeve të hundëve të bukura dhe ky qëndrim i saj ka bërë të klasifikohet si ndër femrat më të bukura në histori. Po ashtu ka observime të aktoreve të shumta në Hollywood të cilat kanë humbur karrierën e tyre pasi kanë ndryshuar pjesë nga fytyra e tyre e publiku i ka njohur e dashur për atë se si kanë qenë në paraqitje të natyrshme. Tema është shumë e gjatë nga secili prizëm që kapet mirëpo ta rrumbullakojmë me atë se: Vetëm bukuria natyrore mund ta dëshmojë veten dhe çdo lule është lule edhe nëse vyshket.
Shkruan: Sumea Ramadani, Psikoterapeute
Burimi: Platforma Autentik
REFERENCA
- https://www.statista.com/statistics/293356/leading-countries-by-total-number-of-cosmetic-procedures/ (data e qasjes:13.10.23).
- https://www.applebaummd.com/blog/what-are-the-top-5-reasons-people-get-plastic-surgery/ (data e qasjes:13.10.23).
- Yazici.A; Yazici.S; Felsefe Tarihinde Güzelliğin Ölçütleri 2. Uluslararası Sanat, Estetik Sempozyumu ve Sergisi; 2018.