- Bullizmi është sjellje e padëshiruar, agresive midis fëmijëve të moshës shkollore që përfshin një çekuilibër të vërtetë ose të perceptuar të fuqisë.
- Bullizmi është një problem serioz midis fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës shkollore i cili ka efekte afatshkurtra dhe afatgjata te individi që ngacmohet.
- Hulumtuesi Bogart dhe kolegët (2014) zbuluan se fëmijët që u bullizuan përjetojnë shëndet fizik negativ, në krahasim me bashkëmoshatarët që nuk përjetojnë.
- Studiuesit kanë treguar se kur njerëzit përjetojnë dhimbje sociale, ata aktivizojnë rajone në trurin e tyre të ngjashme me ato që aktivizohen kur përjetojnë dhimbje fizike.
- Gjithashtu abuzimi, dhuna dhe varësia nga alkooli e droga janë të shoqëruar me ngacmimin në fëmijëri.
- Evidenca nga hulumtimet dëshmon që një kujdestar i ndjeshëm ose një sistem i fortë mbështetës mund të zbehë shumë pasojat e stresit dhe dhimbjes së shkaktuar.
Dhimbja kalon mirëpo të përjetuarit dhimbje nuk kalon, ajo qëndron me ne, qëndron tek ne. Sipas teoricienëve bullizmi është sjellje e padëshiruar, agresive midis fëmijëve të moshës shkollore që përfshin një çekuilibër të vërtetë ose të perceptuar të fuqisë. Abuzimi psikologjik në shkollë merr emrin “bullizëm”, në vend pune quhet mobing e në shtëpi mbetet i zhveshur nga çdo emërtim e mbetet abuzim. Përvojat më të frikshme të një viktime nuk mund të njihen nga ndonjë nëpunës policor ose të gjykohen nga ndonjë gjykatës. Unë çdoherë e vizualizoj si një hije të zezë të së keqes e cila bartet nga brendësia e bullizuesit në brendësinë e të bullizuarit. Hije e zezë, superlativ i dekonstruktivitetit, energji e keqe, baltë mbi paletën e ngjyrave shpirtërore. Bullizmi, abuzimi psikologjik shkakton dhimbje të madhe dhe lëndim të thellë shpirtëror ngaqë sa më e njomë që është mosha pasojat janë aq më të rrezikshme.
Bullizmi është një problem serioz midis fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës shkollore i cili ka efekte afatshkurtra dhe afatgjata te individi që ngacmohet, individi që ngacmon dhe tek kalimtarët ose dëshmitarët e pranishëm gjatë ngjarjes së bullizmit. Bullizmi mund të jetë i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, fëmijët dhe adoleshentët mund të përjetojnë lloje të ndryshme të bullizmit si: social, verbal dhe fizik. Gjithashtu ka edhe ngacmime seksuale dhe ngacmime kibernetike. Bullizmi është studiuar si tërësi në laboratorë të ndryshëm socio-psikologjik, neurologjik dhe endokrinologjik, dhe janë portretizuar detajisht pasojat të cilat i shkakton në sjellje, në tru dhe në pasqyrë hormonale. Bullizmi i bën të rinjtë tepër të pasigurt: Kur jeni duke u ngacmuar, mund të ndiheni vazhdimisht të pasigurt dhe në ndroje; edhe nëse nuk jeni duke u ngacmuar në mënyrë aktive, jeni të vetëdijshëm se mund të fillojë në çdo kohë.
Bullizmi ka një ndikim të madh mendor dhe emocional, ngaqë viktimat ndihen të papranuar, të izoluar, të zemëruar dhe të tërhequr. Nëse jeni viktimë e bullizmit gjithmonë jeni duke pyetur veten se si mund të bëni më mirë dhe si mund t’i shpëtoni vëmendjes së një dhunuesi qoftë ai edhe potencial. Ju jeni gjithashtu të rrëgjuar për shkak të tensionit të vazhdueshëm dhe për shkak se ndoshta ju hiqni dorë nga krijimi i miqësive të caktuara ose humbisni mundësitë e caktuara që mund të ndihmojnë në zhvillimin tuaj. Pasojat e shëndetit fizik të bullizmit mund të jenë të menjëhershme si lëndimi fizik, ose mund të përfshijnë efekte afatgjata si dhimbje koke, shqetësime të gjumit ose somatizim, pra dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit si për shembull dhimbje lukthi.
Hulumtuesi Bogart dhe kolegët (2014) zbuluan se fëmijët që u bullizuan përjetojnë shëndet fizik negativ në krahasim me bashkëmoshatarët që nuk përjetojnë. Në mesin e nxënësve të klasës së shtatë me shëndetin fizik të dobët, 6.4 për qind nuk ishin ngacmuar, 14.8 për qind ishin ngacmuar vetëm në të kaluarën, 23.9 për qind ishin ngacmuar vetëm në të tashmen dhe gati një e treta (30.2%) ishin ngacmuar në të shkuarën dhe të tashmen. Këto efekte nuk ishin aq të forta kur nxënësit ishin në klasën e dhjetë. Kufizimet e këtij studimi ishin se shëndeti fizik u mat nga perceptimet e pjesëmarrësve për cilësinë e jetës së tyre të lidhur me shëndetin, dhe jo nga simptomat fizike të përcaktuara objektivisht. Është me rëndësi të kuptohet se ky studim, ose studime të tjera që vlerësojnë korrelacionet midis sjelljes dhe ngjarjeve, nuk mund të dëshmojnë sigurt se ngjarjet e kanë shkaktuar sjelljen. Hulumtimet e ardhshme mund të bazohen në këtë studim të gjatë dhe të marrin prova më të thella mbi shëndetin fizik të individëve si pasojë e ngacmimeve në shkollë.
Stresorët psikologjikë dhe fizikë, të tillë si të qenit objektiv i ngacmimit, aktivizojnë sistemin e stresit të përqendruar në hipotalamus-hipofizën-adrenale (HPA). Roli i HPA dhe hormoneve të tjera është të promovojnë përshtatjen dhe mbijetesën, por hormonet e ngritura në mënyrë kronike gjithashtu mund të shkaktojnë probleme. Stresi ka efekte të kudogjendura në fiziologji dhe tru, ndryshon nivelet e shumë hormoneve dhe biomarkerëve të tjerë dhe në fund ndikon në sjellje. Prandaj, një kuptim i përgjithshëm i stresit gjatë adoleshencës së hershme dhe, aty ku dihet, lidhjet specifike midis stresit dhe bullizmit mund të ofrojnë njohuri për efektet e qëndrueshme të ngacmimit.
Rregullimi emocional, duke përfshirë aftësinë e një personi për t’u rikuperuar nga një ngjarje traumatike ose stresuese, përfshin aftësinë për të rregulluar ose normalizuar nivelet e hormonit të stresit. Para adoleshencës, aftësia e fëmijëve për të rregulluar reagimin e tyre ndaj stresit mund të ndihmohet shumë nga prindërit ose kujdestarët e tjerë të rëndësishëm – një proces i referuar si “mbrojtje sociale”. Në mënyrë të qartë është e dokumentuar mirë në literaturën e hulumtimit njerëzor dhe të kafshëve që një kujdestar i ndjeshëm ose një sistem i fortë mbështetës mund të zbehë shumë reagimin e sistemit të stresit dhe në fakt të zvogëlojë sasinë e hormonit të stresit të liruar, si dhe të shkurtojë sasinë e kohës së hormoneve të stresit që qarkullojnë brenda trupit dhe trurit.
Studiuesit kanë treguar se kur njerëzit përjetojnë dhimbje sociale, ata aktivizojnë rajone në trurin e tyre të ngjashme me ato që aktivizohen kur përjetojnë dhimbje fizike. Për këtë shkak është me rëndësi jetësore, prindërit, kujdestarët në shkolla ose të rinjtë të cilët detektojnë bullizëm tek ndonjë fëmijë ose i ri të intervenojnë sa më herët që është e mundur. Një literaturë e fortë dokumenton se të rinjtë që ngacmohen shpesh kanë vetëbesim të ulët dhe ndihen të dëshpëruar, të shqetësuar dhe të vetmuar, kështu mund të detektohen dhe të intervenohet.
Gjithashtu abuzimi, dhuna dhe varësia nga alkooli e droga janë të shoqëruar me ngacmimin në fëmijëri. Një studim i gjatë i adoleshentëve zbuloi se ata që raportuan se ishin ngacmuar kishin më shumë gjasa të raportonin përdorimin e alkoolit, cigareve dhe inhalantëve 12 muaj më vonë në krahasim me ata që nuk raportuan bullizëm. Individët që bullizojnë të tjerët dhe vetë janë të ngacmuar janë në rrezik më të madh për rezultate të dobët psiko-sociale, krahasuar me ata që vetëm ngacmojnë ose vetëm ngacmohen dhe me ata që nuk ngacmohen.
Bullizmi nuk është tregim i një force reale të atij që bullizon. Ai ose ajo që bullizon vetëm se projeksionon dobësinë e vet tek një tjetër. Bullizuesi është një fëmijë i traumatizuar, i lënduar i cili si mekanizëm mbrojtës ka vendosur të imitojë abuzuesin. Bullizmi ka zgjidhje, ajo fillon me ngritje të zërit dhe ndihmesë të përzemërt të viktimave të bullizmit. Aty thyhet zinxhiri i ligë i dhunës.
Referenca:
– McEwen BS, McEwen CA. Emerging Trends in the Social and Behavioral Sciences: An Interdisciplinary, Searchable, and Linkable Resource. Scott RA, Kosslyn SM, Pinkerton N, editors. New York: J. Wiley; 2015. pp. 1-15. (Social, psychological, and physiological reactions to stress).
– Bogart LM, Elliott MN, Klein DJ, Tortolero SR, Mrug S, Peskin MF, Davies SL, Schink ET, Schuster MA. Peer victimization in fifth grade and health in tenth grade. Pediatrics. 2014;133(3):440-447.
– Ouellet-Morin I, Wong C, Danese A, Pariante C, Papadopoulos A, Mill J, Arseneault Increased serotonin transporter gene (SERT) DNA methylation is associated with bullying victimization and blunted cortisol response to stress in childhood: A longitudinal study of discordant monozygotic twins. Psychological Medicine. 2013;43(09):1813-1823.
– Juvonen J, Graham S. Bullying in schools: The power of bullies and the plight of victims. Annual Review of Psychology. 2014;65(1):159-185.
Shkruan: Sumea Ramadani, Psikoterapeute
Burimi: Platforma Autentik