Suksesi në procesin arsimor do të ndodh vetëm atëherë kur:
– arsimi të bëhet prioritet kombëtar
– emërimi i drejtorëve të shkollave të mos ndikohet fare nga politika (në Kosovë, të gjithë drejtorët e shkollave dhe drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, janë të emëruar politik të kryetarëve të komunave); këta drejtor do duhej të kenë përgatitje adekuate në udhëheqje dhe menaxhim arsimor.
– testimet me shkrim për pranimin e mësimdhënësve të rinj të jenë profesionale, me pyetje rreth lëndës, metodologjisë, motivimit, shpjegimit, menaxhimit të klasës, zgjedhjeve të problemeve në klasë etj. dhe jo me pyetje që më së paku kanë të bëjnë me mësimdhënie.
– pjesëmarrja e prindërve në mbledhje të prindërve në shkollë të rregullohet me ligj; mbledhjet të mbahen pas orarit të mësimit që së paku njëri prind të jetë në gjendje t’i përgjigjet ftesës, e nëse nuk e bën këtë, atëherë të gjobitet. Kjo masë edhe pse mund të duket e ashpër, shërben në fuqizimin e trekëndëshit didaktik nxënës-prind-mësues. Në shkollat e mesme të larta, një numër i konsiderueshëm i prindërve njihen me mësuesit e nxënësve të tyre vetëm në fund të vitit shkollor.
– nxënësit të cilët nuk arrijnë rezultatet e të nxënit për klasën që vijojnë, të përsërisin klasën (udhëzimi administrativ nuk lejon që nxënësit nga klasa 1-5 të përsërisin klasën[i])
– Drejtoritë Komunale të Arsimit të mos nxjerrin vendime për nxënësit që kanë humbur vitin shkollor në shkollë të mesme të lartë për të iu nënshtruar riprovimeve klasore, gjë që vë në presion jo vetëm drejtorët por edhe mësimdhënësit. Me vendime të tilla hidhet poshtë puna e mësimdhënësit duke përfshirë vlerësimin e vazhdueshëm dhe grumbullimin e dëshmive rreth punës së nxënësit.
– të zvogëlohet numri i lëndëve mësimore në shkallën e parë (klasat 1 dhe 2) në jo më shumë se pesë-gjashtë lëndë dhe lëndët tjera të shtohen gradualisht në klasat vijuese.
Numri i madh i lëndëve ka ngarkesë negative psiko-emocionale tek fëmijët, ndikon në shëndetin mendor dhe fizik si dhe i pengon ata në mësimnxënie.[ii] Fëmijët gjithashtu mbingarkohen me detyra të shtëpisë, detyra të cilat për t’i përfunduar atyre së paku mesatarisht u duhen mbi tre orë kohë – kaq kohë kalon nxënësi i përzgjedhur pesëmbëdhjetë vjeçar në Singapor për t’u përgatitur për testin PISA.
– lëndët zgjedhore të propozohen dhe zgjidhen nga mësimdhënësit duke iu përgjigjur nevojave të klasës dhe të mos zgjidhen vetëm nga lista e propozimeve nga MASHT.
– Në përpilimin e hartimeve të teksteve shkollore të jenë pjesëmarrës aktiv mësimdhënësit të cilët janë në shërbim. Të ketë debat publik dhe prindërit të jenë pjesë e vendimmarrjes në përzgjedhjen e teksteve shkollore. Tekstet shkollore para se të futën në përdorim të pilotohen në disa klasë e shkolla për të parë se çfarë funksionon e çfarë jo, e nëse vërehen gabime, të përmirësohen para se t’i përdor i tërë kombi. Një praktikë të tillë e ndjekin shumica e shteteve perëndimore.
Lënda e sociologjisë, në shkollën e mesme të lartë, të jetë lëndë e detyrueshme për të gjitha drejtimet e jo vetëm për drejtimin e shkencave shoqërore.
Të hartohet kurrikulë sipas mentalitetit, kulturës dhe traditave shqiptare dhe të shmangen kopjimet e kurrikulave të shteteve të tjera. Shumë shtete perëndimore kërkojnë që vet shkolla të hartoj kurrikulë me bazë në shkollë[iii]. Përveç kësaj t’u kushtohet shumë rëndësi aktiviteteve jashtë shkollore dhe të ndryshohet udhëzimi administrativ i cili kushtëzon që nxënësit e nivelit 1, 2 dhe 3 të bëjnë vizita vetëm brenda territorit të komunës së tyre. Nxënësit si pjesë e formimit të tyre dhe mësimnxënies bashkëkohore dhe të mësuarit në praktikë, kanë të drejtë të vizitojnë çdo cep të Kosovës.
- trajnimet e mësimdhënësve të mbahen nga persona profesionist në fushën dhe lëndën e caktuar për nivelet e caktuara, përvojë kjo jo e ndjekur siç duhet deri me tani.
Një tjetër çështje që duhet përmendur patjetër eshtë edhe kujdestaria e klasës. A ka kuptim që përderisa ora e kujdestarisë është hequr fare, mësimdhënësi të jetë kujdestar klase? E kuptojmë që mësimdhënësi duhet të kryej edhe punët administrative, por nëse ora e kujdestarisë nuk mbahet si orë e veçantë atëherë është më se e qartë se do rrezikohen të humbasin orët e rregullta mësimore të lëndës përkatëse.
Gjatë mësimdhënies, mësimdhënësit duhet të fokusohen tek aftësitë dhe shkathtësitë e secilit nxënës dhe jo tek mangësitë e tyre; ata duhet të shohin se si fëmijët janë duke përparuar dhe t’u japin zemër e mbështetje në zhvillimin e talentit. Prindërit gjithashtu duhet të bëjnë kujdes që të mos kërkojnë me ngulm që të gjitha notat të jenë pesa por të përqendrohen tek shkathtësitë e fëmijëve të tyre dhe t’u ndihmojnë ti zhvillojnë ato.
Këta janë vetëm disa nga hapat që duhet ndjekur nëse vërtetë duam të përmirësojmë sistemin arsimor në Kosovë.
Shkruan: Prof. Avni Xhemajli, Master i Shkencave Filologjike
Prinderimi.com
[i] Shih Udhëzimin administrativ për vlerësimin e nxënësve në arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës, Neni 8, Riprovimi dhe përsëritja e klasës https://konsultimet.rks-gov.net/Storage/Consultations/09-01-39-03062022/UA-PER-VLERESIMIN-E-NXENESVE-NE-ARSIMIN-PARAUNIVERSITAR-TE-REPUBLIKES-SE….doc
[ii] https://www.opencolleges.edu.au/blogs/articles/don-t-overload-students-assigning-too-much-work-discourages-learning
[iii] Për më tepër shiko librin e Rachel Bolstad “School-based Curriculum Development, Principles, Processes and Practices.”