Ndonjëherë, sjelljet e fëmijës që u duken të pazakonta prindërve janë në fakt pjesë normale e zhvillimit. Mësoni cilat sjellje janë tipike për moshën dhe kur mund të jetë koha për të kërkuar ndihmë profesionale.
Mësuam se vajza jonë 5-vjeçare kishte qenë duke provuar aftësitë e saj të reja në shkrim mbi sediljen prej lëkure në rreshtin e tretë të makinës sonë. Bashkëshorti im e zbuloi këtë kur u fut në pjesën e pasme të makinës me fshesën me korrent, gjatë larjes së saj.
Sigurisht, ajo kishte përdorur një stilolaps për të shkruar një mesazh urgjent që, me sa duket, nuk mund të priste derisa të gjente një copë letër: “Dua të ha darkë.” Me sa duket, ishte e uritur. Kur i thamë se nuk na pëlqente që kishte shkruar mbi sediljen e makinës, vajza jonë pati një shpërthim të fortë emocional. Pati lot, të bërtitura, shkelje këmbësh dhe, prit pak… a sapo e goditi veten në fytyrë?
Shqetësimi im për gjendjen e makinës u kthye shpejt në shqetësim për vajzën. Nëse ajo po e godiste veten, mendova, me siguri duhet të kishte një problem më të madh. A kishte lidhje kjo me faktin që kishte shkruar në makinë? A ishte mirë?
Një kërkim i shpejtë në Google për “pse një fëmijë godet veten kur është i mërzitur?” solli disa përgjigje qetësuese. Rezulton se një fëmijë mund të lëndojë veten nga zhgënjimi ose kur emocionet bëhen tepër të forta dhe kjo mund të jetë relativisht e zakonshme.
Sipas KidsHealth.org, fëmija mund të ndihet i turpëruar, në siklet ose i zemëruar me veten për rolin që ka pasur në një situatë. Lëndimi i vetes mund të jetë një mënyrë për të shprehur stresin dhe, në të njëjtën kohë, për të fajësuar veten.
“Ne ende të duam, zemër”, i thashë vajzës sime, duke shtuar: “Të gjithë bëjmë gabime.” Në fund të fundit, edhe ne si prindër bëjmë gabime — për shembull, duke supozuar se një sjellje që duket alarmuese është domosdoshmërisht shenjë e një problemi, kur në fakt mund të jetë pjesë e zhvillimit normal.
Kjo përvojë më bëri të mendoja se për cilat sjellje të tjera mund të shqetësohen prindërit, edhe pse ato janë pjesë normale e zhvillimit. Prandaj fola me ekspertë të zhvillimit të fëmijëve dhe zbulova se shumë sjellje që i shqetësojnë prindërit janë, në fakt, të pritshme për moshën.
Më poshtë gjeni pse fëmija juaj mund të sillet në këto mënyra dhe kur mund të jetë e nevojshme të kërkohet ndihmë.
1. Përdorimi i fjalëve lënduese
A ju ka thënë ndonjëherë fëmija juaj se ju urren? Kjo sigurisht që mund të dhembë. Por Ari Goldstein, psikolog edukativ, shpjegon se fëmijët nën moshën 7-vjeçare ende nuk kanë një filtër të fortë social. Meqë aftësitë e tyre sociale janë ende në zhvillim, fëmijët e vegjël nuk e kuptojnë plotësisht se si fjalët e tyre mund të ndikojnë te një person tjetër. Prandaj, nëse fëmija juaj thotë diçka lënduese, zakonisht nuk është arsye për alarm.
Mund t’i shpjegoni se ajo që tha nuk është e sjellshme dhe t’i tregoni se si ju bëri të ndiheni. Nëse me kalimin e kohës nuk fillon ta kuptojë ndikimin e fjalëve të tij ose fillon të shprehë mendime apo fjalë për dëmtimin e vetes, atëherë është koha të kërkohet ndihmë profesionale.
2. Sjellja agresive ndaj bashkëmoshatarëve
Para moshës 3 ose 4 vjeç, koncepte si “mos i vendos duart mbi të tjerët” dhe “duhet të ndash” nuk janë ende plotësisht të zhvilluara. Fëmijët e vegjël thjesht nuk i kanë mësuar ende aftësitë e vetërregullimit që do t’i ndihmonin të kontrollonin sjellje të tilla si marrja e një lodre nga një fëmijë tjetër.
Në shumicën e rasteve, një fëmijë që shtyn dikë në këndin e lojërave ose nuk pranon të presë radhën për të luajtur me kuba, thjesht po teston kufijtë e sjelljes së pranueshme. Megjithatë, nëse fëmija ka arritur moshën shkollore dhe përpjekjet tuaja për vendosjen e kufijve dhe disiplinën nuk kanë sjellë përmirësim, ose nëse sjellja po bëhet shqetësuese në klasë, flisni me mjekun ose një profesionist të përshtatshëm.
3. Përplasja e kokës
Prindërit shpesh shqetësohen kur shohin këtë sjellje, e cila mund të duket si një formë e vetëlëndimit, shpjegon Lourdes Quintana, specialiste e zhvillimit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël. Lajmi i mirë është se, nëse përplasja e kokës ndodh rrallë, zakonisht nuk ka arsye për panik.
Megjithatë, nëse fëmija nuk arrin ta ndalojë këtë sjellje dhe ajo shfaqet sa herë që përballet me një vështirësi ose sfidë, atëherë situata kërkon më shumë vëmendje.
4. Kafshimi
Quintana ka parë fëmijë të vegjël që, të frustruar nga pamundësia për të komunikuar atë që duan, kafshojnë veten, prindin ose një fëmijë tjetër. Edhe kjo zakonisht është pjesë e sjelljes tipike gjatë zhvillimit të hershëm. Megjithatë, ka raste kur mund të jetë një shenjë se nevojitet vëmendje më e madhe.
Nëse sjellja vazhdon edhe pas përpjekjeve për ta orientuar fëmijën drejt një sjelljeje tjetër ose pas vendosjes së kufijve të përshtatshëm, atëherë mund të jetë e nevojshme të kërkohet ndihmë dhe të kuptohet çfarë qëndron pas saj.
5. Vështirësitë me ushqimin
Të qenit përzgjedhës me ushqimin është mjaft e zakonshme gjatë fëmijërisë së hershme. Fëmijët e vegjël dhe parashkollorët po eksplorojnë shije dhe tekstura të reja, ndaj refuzimi i disa ushqimeve nuk është domosdoshmërisht shqetësues.
Megjithatë, nëse një fëmijë në moshë shkollore ushqehet vetëm me tre lloje ushqimesh, mund të jetë diçka që kërkon vëmendje. Kur kufizimet në ushqim fillojnë të ndikojnë në marrjen e mjaftueshme të lëndëve ushqyese dhe në shëndetin e fëmijës, situata duhet marrë më seriozisht.
Kur duhet kërkuar ndihmë profesionale?
Kur bëhet fjalë për këto sjellje, një nga faktorët më të rëndësishëm është mosha e fëmijës. Pra, prindër, shumë nga sjelljet që mund t’ju duken të çuditshme ose shqetësuese mund të jenë në fakt pjesë normale e zhvillimit. Por nëse një sjellje fillon të pengojë jetën sociale të fëmijës, marrëdhëniet me të tjerët ose funksionimin e tij të përditshëm, mund të jetë koha për të kërkuar ndihmë profesionale.
Gjithashtu, kushtojini vëmendje sa shpesh dhe me çfarë intensiteti shfaqet sjellja. Një rregull i përgjithshëm për të kuptuar nëse një sjellje është “tipike” është të vlerësohen pikërisht shpeshtësia dhe intensiteti i saj. Nëse, me kalimin e kohës, fëmija nuk po zhvillon aftësinë për t’i menaxhuar dhe rregulluar emocionet e sjelljet e tij, këshillimi me një profesionist mund të jetë një hap i dobishëm.
Artikull nga: Nga Melissa Willets
Përkthim: Prinderimi
