Të gjithë prindërit bëjnë herë pas here gabime ndërsa mësojnë se si t’i rrisin fëmijët e tyre dhe, në shumicën e rasteve, kjo nuk është diçka për të cilën duhet të turpërohemi. Nuk mund t’i bëjmë gjërat gjithmonë në mënyrë perfekte. Megjithatë, ekzistojnë disa tipare të prindërimit toksik që duhet të adresohen, për të mirën e shëndetit dhe lumturisë së familjes.
Prindërimi toksik nuk nënkupton thjesht ta lini fëmijën të kalojë shumë kohë para ekranit pas një dite të lodhshme, të përdorni ndonjë fjalë të pahijshme para tij ose t’i përgatisni për darkë ushqim të gatshëm. Prindërimi toksik është një model i përsëritur sjelljeje që mund të jetë lëndues dhe potencialisht i dëmshëm për fëmijët. Ai mund t’i bëjë fëmijët të ndihen të pasigurt, të turpëruar ose në ankth dhe mund të kontribuojë në trauma psikologjike afatgjata.
Në prindërimin toksik, “papjekuria emocionale e prindit, nevoja për kontroll ose pamundësia për të rregulluar emocionet e veta mund të dëmtojnë vazhdimisht ndjenjën e sigurisë dhe vetëvlerësimit të fëmijës”, shpjegon Cynthia Edwards-Hawver, PsyD, psikologe e licencuar. Le të shohim disa shembuj të prindërimit toksik që të gjithë prindërit duhet të përpiqen t’i shmangin.
1. Të mos kuptoni se fëmija juaj ka rrugën e vet
Si prindër, kemi një dëshirë të natyrshme t’i ndihmojmë fëmijët të marrin vendime të mira dhe të kenë sukses në jetë. Por, kur kjo dëshirë shkon në ekstrem, mund të bëhet toksike. “Tipari më i madh toksik që shoh te prindërit e dashur, të cilët e bëjnë pa qëllim, është moskuptimi se fëmija i tyre ka rrugën dhe qëllimin e vet në jetë”, thotë Dawn Friedman, MSEd, LPCC, këshilluese klinike e licencuar e specializuar në ankthin te fëmijët.
Friedman thotë se prindërit, të cilët vetë nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme nga prindërit e tyre gjatë fëmijërisë, mund të jenë më të prirur t’i kontrollojnë fëmijët e tyre. Është e rëndësishme t’i lejoni fëmijët të marrin vendimet e tyre dhe të pranojnë përgjegjësinë për gabimet e tyre, në mënyrë që të zhvillojnë pavarësinë dhe vetëbesimin që u nevojitet për të përballuar jetën.
Në mënyrë të ngjashme, nëse e gjeni veten duke vendosur se cilat lëndë duhet të studiojë fëmija ose cilat sporte dhe aktivitete jashtëshkollore duhet të ndjekë, përpiquni të hiqni dorë nga një pjesë e këtij kontrolli dhe t’i lejoni fëmijës të eksplorojë interesat e veta.
2. T’i detyroni fëmijët të mbajnë anën e njërit prind
Një sjellje toksike që duhet shmangur është t’i bëni fëmijët të ndihen sikur duhet të zgjedhin anën e njërit prej prindërve, thotë Danielle Dellaquila, LMSW, terapiste në Gateway to Solutions. “Kjo ndodh më shpesh te prindërit e divorcuar, por mund të ndodhë edhe në familjet ku ka shumë konflikte mes prindërve”, shpjegon ajo. “Prindërit duhet të shmangin përfshirjen e fëmijëve në konfliktet ose problemet e tyre prindërore, sepse kjo mund të shkaktojë ankth dhe ndjenja të panevojshme faji te fëmijët.”
3. Të mohoni realitetin e fëmijës
Kur prindërit refuzojnë të pranojnë emocionet e fëmijës ose mënyrën se si ai e percepton një situatë në familje, veçanërisht kur ka një mosmarrëveshje mes prindit dhe fëmijës, kjo mund ta bëjë fëmijën të dyshojë në përvojën e vet.Gaslighting-u është një sjellje që duhet shmangur në prindërim, thotë Edwards-Hawver. Ai mund të shfaqet kur prindi vazhdimisht e minimizon, e shtrembëron ose e mohon përvojën e fëmijës.
Kjo mund të përfshijë fjali si: “Kjo nuk ka ndodhur”, “Je tepër i/e ndjeshëm/e” ose “Po e bën një problem të madh nga asgjëja”. Gaslighting-u “i mëson fëmijës të dyshojë në perceptimet dhe emocionet e veta”, shpjegon Edwards-Hawver. “Kjo është thellësisht destabilizuese, sepse e lë fëmijën të hutuar për atë që është reale dhe nëse mund t’i besojë vetes.”
4. Të jeni tepër kontrollues
Kontrolli i tepruar ndaj fëmijëve mund të jetë një tipar serioz i prindërimit toksik. Kjo mund të nënkuptojë monitorimin e vazhdueshëm të personave me të cilët shoqërohet fëmija, ndjekjen e çdo lëvizjeje të tij kur nuk është në shtëpi ose lejimin vetëm të përmbajtjeve mediatike të miratuara nga prindi.
Disa prindër përpiqen të kontrollojnë pothuajse çdo aspekt të jetës së fëmijës, thotë Dellaquila. “Ata mund të duan të dinë çdo detaj të asaj që po ndodh, të përpiqen të vendosin se çfarë do të bëjë fëmija me të ardhmen e tij ose ta monitorojnë në mënyrë të tepruar”, shpjegon ajo. Kjo zakonisht buron nga ankthi ose pasiguria e vetë prindit dhe mund të prodhojë efektin e kundërt: fëmija mund të largohet emocionalisht ose të fillojë t’i fshehë gjërat nga prindi.
5. Përdorimi i fajit për ta kontrolluar fëmijën
Përdorimi i ndjenjës së fajit është një praktikë në të cilën angazhohen shumë prindër toksikë, thotë Dr. De Gannes. Prindërit mund të mendojnë se thjesht po e udhëheqin fëmijën, por në fakt mund të jenë duke e manipuluar atë për të bërë atë që ata e konsiderojnë zgjedhjen e duhur, pa i mësuar aftësi të vlefshme për jetën.
“Ta bësh fëmijën të ndihet fajtor për ta penguar të marrë vendime që ti nuk i miraton, mund ta bëjë atë të ndihet i paaftë për të marrë vendime vetë ose ta shtyjë t’i marrë vendimet fshehurazi. Kjo e bën të pamundur marrjen e ndihmës dhe ndërhyrjes kur ato janë më të nevojshme”, shpjegon ai.
6. Të mos i menaxhoni emocionet tuaja
Si prindër, është normale të përjetoni emocione të forta. Prindërimi mund të jetë stresues dhe rraskapitës. Por kur nuk jeni në gjendje t’i menaxhoni në mënyrë efektive këto emocione, shpërthimet tuaja emocionale mund të ndikojnë fuqishëm në mirëqenien e fëmijëve.
Për shembull, nuk është e shëndetshme që fëmijët të shqetësohen vazhdimisht për gjendjen tuaj emocionale — nëse do të humbni durimin, do t’i largoni ose do të shpërtheni ndaj tyre. Po ashtu, nuk është e shëndetshme që ata të ndihen sikur duhet të “ecin mbi vezë” rreth jush, thotë Edwards-Hawver.
As trajtimi me heshtje ose tërheqja emocionale nuk janë të shëndetshme. “Fëmijët kanë nevojë për qëndrueshmëri emocionale që të ndihen të sigurt dhe të zhvillojnë aftësi të shëndetshme për përballimin e situatave”, shpjegon Edwards-Hawver.
7. Të komentoni për trupin ose mënyrën e të ushqyerit
Komentimi i tipit të trupit ose peshës së fëmijës nuk është një ide e mirë — edhe nëse ajo që thoni është menduar si kompliment. Përqendrimi i tepërt te pamja e fëmijës mund ta bëjë atë të ndihet nën presion për t’u dukur në një mënyrë të caktuar. Një imazh pozitiv për trupin ndërtohet duke e larguar fokusin nga peshorja dhe duke i mësuar fëmijës se një mënyrë e shëndetshme jetese është gjithëpërfshirëse dhe nuk përcaktohet vetëm nga pesha.
“Si terapiste e çrregullimeve të të ushqyerit, një gjë që e di se mund të bëhet problem është komentimi i vazhdueshëm i trupit të fëmijës ose mënyrës se si ai ushqehet, edhe kur komentet janë menduar pozitivisht”, thotë Rachel Goldberg, LMFT. Ajo këshillon të shmangen komente si: “Sot dukesh shumë mirë me atë veshje” ose “Kjo nuk të shkon shumë me trupin”.
Gjithashtu nuk duhet të bëhen komente negative ose gjykuese për sasinë e ushqimit që ha fëmija. “Edhe një shikim i partnerit me mosmiratim kur fëmija kërkon një porcion të dytë në tryezën e darkës mund t’i përcjellë mesazhin se trupi i tij lidhet me vlerën që ka si person”, thotë Goldberg. Me kalimin e kohës, këto sjellje mund të kontribuojnë në probleme me imazhin trupor apo edhe në zhvillimin e një çrregullimi të të ushqyerit.
8. Mungesa e kufijve
Është e rëndësishme të vendosni kufij të qartë dhe të shëndetshëm me fëmijët, thotë Tirrell De Gannes, PsyD, psikolog klinik i licencuar. “Mungesa e kufijve mund të shfaqet përmes ndarjes së tepërt të problemeve dhe vështirësive personale në momente të papërshtatshme, përfshirjes së tepruar në jetën e fëmijës dhe cenimit ose moslejimit të privatësisë së tij”, thotë Dr. De Gannes.
Problemet me kufijtë në prindërim mund të çojnë në fëmijë tepër të varur nga të tjerët dhe më pak të aftë për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Mungesa e kufijve gjithashtu mund t’i bëjë fëmijët më pak të prirur të lidhen me prindërit e tyre, sepse mund të ndiejnë nevojën për hapësirë nga një prind tepër ndërhyrës ose tepër emocional.
9. T’u tregoni fëmijëve se si i bëjnë të tjerët të ndihen
Një shembull tjetër i prindërimit toksik është t’i bëni fëmijët të ndihen të gjykuar ose të turpëruar për mënyrën se si sjellja e tyre ndikon te të rriturit e tjerë, thotë Goldberg. Kjo mund të shfaqet në fjali si: “Sa herë që hyn në dhomë, e prish atmosferën” ose “Ti gjithmonë i bën të gjithë të ndihen në ankth”.
Sipas Goldberg, këto lloj deklaratash e zhvlerësojnë personalitetin e fëmijës dhe “mund ta bëjnë atë të përvetësojë idenë se prania e tij është një barrë dhe se nuk është i mirëpritur”. Me kalimin e kohës, fëmijët mund të fillojnë të besojnë se vetëm ekzistenca e tyre ka ndikim negativ te njerëzit përreth tyre.
Këshilla për të hequr dorë nga tiparet toksike në prindërim
Nëse e gjeni veten në disa prej këtyre sjelljeve, merrni frymë thellë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeni një prind toksik vetëm sepse herë pas here shfaqni disa zakone jo ideale. Vetë fakti që po i dalloni këto sjellje tregon se jeni të gatshëm t’i shqyrtoni ato.
“Nëse prindërit e kuptojnë se po shfaqin disa ‘tipare të prindërimit toksik’, ata tashmë kanë ndërmarrë hapin e parë: ta pranojnë këtë”, thotë Dellaquila. Atëherë, si mund t’u jepet fund këtyre sjelljeve dhe të zhvillohet një mënyrë më pozitive prindërimi, si prindërimi që mbështet autonominë ose prindërimi aktiv?
Dellaquila rekomandon të shqyrtoni nga burojnë këto sjellje, pse po i shfaqni dhe cilat situata i nxisin ato. Për disa prindër, kjo mund të përfshijë edhe kërkimin e ndihmës përmes terapisë, në mënyrë që të punojnë me çështjet e tyre. “Kur prindi kupton nga vijnë këto sjellje — gjë që ka shumë gjasa të lidhet me fëmijërinë e tij — ai mund të tregojë dhembshuri ndaj vetes, ndërkohë që punon për të ndaluar sjelljet që dëmtojnë fëmijët e tij”, shpjegon Dellaquila.
Për të treguar dhembshuri ndaj fëmijës, prindi duhet të pranojë se e kupton se si sjellja e tij mund të ketë qenë e dëmshme, të marrë përgjegjësi dhe të kërkojë falje, si dhe t’i tregojë fëmijës se po punon për ta ndryshuar atë sjellje. Mbani mend se nuk është e nevojshme ta bëni këtë vetëm. Dellaquila rekomandon që këtë proces vetë-reflektimi dhe ndryshimi ta zhvilloni edhe me ndihmën e një terapisti të licencuar.
Artikull nga: Wendy Wisner
Përkthim: Prinderimi.com
