Terapia përmes lojës, librat, ditari dhe tabakatë me rërë mund t’i ndihmojnë nxënësit të shprehen kur po përballen me ndjenja dhe përvoja që janë të vështira për t’u kuptuar.
Deb Hill, e cila sot punon si këshilluese në një shkollë të mesme, dikur punoi me një fëmijë 4-vjeçar që mori pjesë në seancat e saj të këshillimit për pikëllimin, pasi një zjarr kishte djegur shtëpinë e tij. Ai nuk tha asnjë fjalë për shtatë seanca, tregoi Hill.
Gjatë çdo seance, ai zgjidhte në heshtje një kamion lodër zjarrfikës nga lodrat që ajo kishte në dispozicion, ngrinte shkallën e kamionit, e tërhiqte përsëri dhe më pas e vendoste lodrën në vend. E përsëriste të njëjtën sekuencë çdo herë. Më pas, pas seancës së shtatë, ai filloi të fliste. Kjo ishte terapia përmes lojës në veprim, tha Hill.
Ndërhyrjet krijuese, si terapia përmes lojës, biblioterapia, shkrimi dhe krijimtaria artistike, mund të përdoren për të mbështetur nxënësit e moshave të ndryshme që po përjetojnë pikëllim. Hill e përshkruan pikëllimin si “vuajtje të brendshme që lind kur njerëzit përjetojnë një reagim ndaj një humbjeje”.
Edhe pse pikëllimi nuk lidhet vetëm me vdekjen e një personi të dashur, ai është një reagim i natyrshëm ndaj humbjes. Rreth 8% e fëmijëve përjetojnë vdekjen e kujdestarit të tyre kryesor para se të arrijnë moshën madhore. Për këshilluesit shkollorë, mbështetja e nxënësve që përjetojnë pikëllim mund të jetë pjesë e rregullt e punës së tyre.
Ndërhyrjet krijuese mund të përshtaten sipas nevojave të fëmijëve në faza të ndryshme të zhvillimit. Ato u japin nxënësve mundësinë të krijojnë diçka vizuale dhe konkrete, ndërsa eksplorojnë ndjenja të ndërlikuara dhe kontradiktore. Gjithashtu, krijimtaria mund të ofrojë një mënyrë shprehjeje kur fjalori nuk mjafton.
Sidomos në rastet e pikëllimit traumatik, fëmijët jo gjithmonë kanë qasje te qendrat e gjuhës në tru. Edhe nëse, nga pikëpamja e zhvillimit, e kanë fjalorin e nevojshëm, shpjegoi Hill.
Në konferencën e Shoqatës Amerikane të Këshilluesve Shkollorë, Hill dhe kolegia e saj, Dr. Anita Pool, profesore e asociuar dhe koordinatore e këshillimit shkollor në Universitetin e Luizianës në Lafayette, prezantuan disa ndërhyrje krijuese që këshilluesit shkollorë mund t’i përdorin për të mbështetur nxënësit që përjetojnë pikëllim.
Biblioterapia
Librat për pikëllimin ose librat që përfshijnë personazhe që përjetojnë humbje mund t’u japin nxënësve mundësinë të eksplorojnë emocionet e tyre përmes historisë së dikujt tjetër. Ata mund t’i ndihmojnë fëmijët të lidhen me personazhet dhe të kuptojnë se emocionet dhe përvojat e tyre janë normale.
Është e vështirë të them se sa herë kam lexuar një libër për një temë të vështirë dhe pothuajse gjithmonë fëmijët thonë: ‘Është tamam si unë, tha Dr. Pool. Kjo njohje mund të jetë veçanërisht domethënëse për fëmijët më të vegjël. Për shkak të fazës së zhvillimit, fëmijët e vegjël mund të mendojnë se janë të vetmit që po përballen me diçka të vështirë.
Një nga librat e preferuar të Pool për përdorim në këshillim është The Art of Holding on and Letting Go, nga Kristen Bartley Lenz. Libri flet për një alpiniste garuese që përjeton një tragjedi në një mal në Ekuador. Librat mund të trajtojnë edhe forma të humbjes që nuk lidhen me vdekjen, por që mund të shkaktojnë pikëllim te fëmijët, si largimi i një prindi për shërbim ushtarak etj.
Pool këshillon këshilluesit të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e librave. Historitë me zgjidhje ose shpjegime magjike mund të jenë konfuze për fëmijët më të vegjël, veçanërisht kur ata po përpiqen të kuptojnë realitetin e asaj që ka ndodhur. Duam të sigurohemi se po u japim informacion të saktë dhe real, por njëkohësisht mund t’u ofrojmë shpresë për të ardhmen, tha ajo.
Pool sugjeron që këshilluesit të lexojnë vetë librat për të rinj përpara se t’ua rekomandojnë fëmijëve. Një libër mund të përmbajë informacion ose tema të tjera që mund të jenë shumë të rënda për një fëmijë të caktuar. Edhe mënyra se si përdoren librat mund të ndryshojë sipas moshës së nxënësit. Me adoleshentët, për shembull, këshilluesi mund t’u japë një kapitull për ta lexuar jashtë seancës dhe më pas ta diskutojë me ta.
Punimet kreative dhe shkrimi
Ndonjëherë, të rriturit në jetën e një nxënësi mund ta kenë të vështirë ta dëgjojnë atë duke folur për personin ose përvojën që ka humbur. Këshilluesit mund të krijojnë një hapësirë të dedikuar ku nxënësit mund të flasin për kujtimet e tyre ose t’i eksplorojnë ato edhe pa folur fare.
Pool rekomandon aktivitete si krijimi i një libri kujtimesh, një kutie kujtimesh ose një kolazhi me fotografi, imazhe nga revista dhe objekte të vogla me vlerë emocionale. Këto aktivitete ofrojnë një mënyrë konkrete për të kujtuar një person që ka ndërruar jetë ose për të shprehur mungesën e dikujt që nuk është më pranë.
Gjatë festave, kur pikëllimi mund të ndihet më intensiv, Pool u propozon nxënësve të krijojnë vargje prej letre ku shkruajnë kujtime, të njohura si “zinxhirë kujtimesh”.
Edhe materialet e thjeshta të artit mund të jenë të dobishme.
Mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë e markerëve, lapsave me ngjyra dhe letrës, tha Pool. Ajo i mban këto materiale gjithmonë të disponueshme në zyrën e saj. Megjithatë, këshillon që të merret parasysh nëse boja është e përshtatshme për një nxënës të caktuar. Boja është më e vështirë për t’u kontrolluar dhe kjo mungesë kontrolli mund të jetë shqetësuese për disa fëmijë.
Shkrimi mund t’u japë nxënësve gjithashtu një mënyrë private për ta përpunuar pikëllimin. Ata mund të krijojnë një poezi akrostike duke përdorur emrin e një personi të dashur, të shkruajnë një epitaf ose një letër drejtuar dikujt që kanë humbur. Shkrimi i letrave mund të jetë veçanërisht i dobishëm për të shprehur gjëra që nxënësi nuk ka mundur t’i thotë sa personi ishte gjallë.
Mbajtja e një ditari, me ose pa udhëzime të caktuara, është një tjetër mundësi. T’i dhurosh një ditar një nxënësi mund të jetë një ndërhyrje e vogël, por domethënëse, veçanërisht kur kostoja është pengesë për ta siguruar një të tillë. Hill mban një hapësirë të veçantë ku nxënësit adoleshentë mund t’i ruajnë ditarët e tyre në shkollë, në mënyrë që të shkruajnë pa u shqetësuar se dikush në shtëpi mund t’i lexojë.
Lodrat dhe terapia përmes lojës
Hill i përshkroi ndërhyrjet përmes lojës si një mjet veçanërisht të fuqishëm për fëmijët më të vegjël. Fëmijët jo gjithmonë kanë fjalorin ose gjuhën e nevojshme për të shprehur atë që po përjetojnë në një mënyrë që ne ta kuptojmë, tha ajo.
Loja u lejon fëmijëve të komunikojnë në mënyrë simbolike. Në vend që të duhet të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur, një fëmijë mund ta luajë situatën, të rikrijojë pjesë të përvojës ose të përdorë lodra për të përfaqësuar ndjenjat dhe marrëdhëniet. Ky proces mund t’i japë fëmijës një ndjenjë kontrolli dhe ndikimi në një periudhë kur jeta e tij mund të duket jashtë kontrollit.
Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme kur fëmija është i hutuar për një humbje ose beson se në njëfarë mënyre është fajtor për atë që ka ndodhur. Përmes lojës, këshilluesit mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i eksplorojnë këto bindje dhe të fillojnë ta kuptojnë përvojën.
Lodrat e ndryshme mund të mbështesin terapinë përmes lojës dhe këshilluesit nuk kanë nevojë të kenë një koleksion të madh. Pool përdor lodra të vogla me personazhe, kukulla të ndryshme, automjete emergjence, lodra mjekësore dhe shtëpi kukullash.
Nuk ka rëndësi sasia e lodrave që ke, por cilësia e tyre”, tha Hill. “Jo vetëm cilësia e ndërtimit të tyre, por edhe qëllimi pas tyre. Qëllimi është të ofrohet mjaftueshëm larmi që nxënësit të gjejnë objekte që lidhen me përvojat e tyre, duke u siguruar njëkohësisht që materialet të përfaqësojnë familje, identitete dhe rrethana të ndryshme.
Tabakatë me rërë
Tabakatë me rërë ofrojnë një mënyrë joverbale dhe shqisore për komunikimin dhe përpunimin e përvojave. Zakonisht, tabakatë janë blu, duke krijuar një hapësirë që njëkohësisht ndihet e gjerë dhe e kufizuar. Nxënësit mund të përdorin rërën dhe figura ose objekte të vogla për të krijuar skena brenda tabakasë. Edhe ndjesia fizike e punës me rërë mund të jetë qetësuese dhe ndihmuese për disa fëmijë.
Ashtu si në terapinë përmes lojës, këshilluesit mund të ofrojnë një shumëllojshmëri miniaturash, duke përfshirë njerëz, familje, kafshë dhe automjete emergjence, dhe t’i lejojnë nxënësit të vendosin vetë se çfarë do të përfshihet në skenën e tyre.
Për një fëmijë që po përjeton pikëllim, tabakaja mund të krijojë një distancë psikologjike nga një përvojë që ndihet dërrmuese. Në vend që të duhet të thotë: “Kjo po më ndodh mua”, nxënësi mund të krijojë një skenë dhe të flasë për atë që po u ndodh figurave.
Kjo distancë mund ta bëjë më të lehtë eksplorimin e përvojave të vështira. Tabakatë me rërë mund të përfshijnë njëkohësisht forma të ndryshme të shprehjes, duke kombinuar përpunimin shqisor, vizual dhe verbal.
Ekzistojnë lloje të ndryshme rëre që këshilluesit mund të përdorin, secila me përvojë të ndryshme shqisore. Për shkollat që nuk kanë hapësirë ose burime për një tabaka fizike me rërë, ekzistojnë edhe versione digjitale falas, ku nxënësit mund të ndërtojnë skena duke përdorur imazhe nga interneti.
Disa nxënës mund të mos duan ta prishin skenën që kanë krijuar në rërë. Në këto raste, këshilluesit mund t’i fotografojnë skenat përpara se t’i pastrojnë. Fotografitë mund të ndihmojnë gjithashtu këshilluesin të vëzhgojë ndryshimet që ndodhin me kalimin e kohës.
Fleksibiliteti i ndërhyrjeve krijuese është një nga arsyet pse ato janë të dobishme. Ato mund të përdoren në mënyra të ndryshme kulturore dhe nuk kërkojnë një gjuhë ose një kontekst të caktuar kulturor.
Për këshilluesit që mbështesin nxënësit që kanë përjetuar humbje, krijimi i një hapësire ku nuk ekziston vetëm një mënyrë “e drejtë” për të përjetuar ose shprehur emocionet mund t’u japë fëmijëve dhe të rinjve më shumë hapësirë për ta përjetuar dhe kuptuar procesin e tyre të pikëllimit në mënyrën e tyre.
Artikull nga:Nimah Gobir
Përkthim: Prinderimi.com
