Pavarësisht moshës, mbajtja e një ditari është një mënyrë e mirë për të reflektuar thellë mbi ndjenjat dhe për të menduar rreth asaj që ka ndodhur gjatë ditës. Shkrimi në ditar mund t’i ndihmojë fëmijët dhe të rriturit të përpunojnë emocionet e vështira, të zhvillojnë mirënjohjen, të vendosin objektiva dhe të reflektojnë mbi mirëqenien e tyre emocionale. Për fëmijët, përfitimet shkojnë edhe më tej, pasi shkrimi në ditar (Journaling) ndihmon në zhvillimin e aftësive të shkrim-leximit, përmirëson të kuptuarit e leximit, nxit kreativitetin dhe forcon aftësitë drejtshkrimore.
Yanique Chambers, LCSW, punonjëse sociale klinike e licencuar në shtetin e Nju-Jorkut, me mbi 10 vjet përvojë në punën me fëmijët në sistemin shkollor dhe atë të kujdestarisë, shkruan në blogun e saj Kiddie Matters se shkrimi në ditar “u jep fëmijëve një hapësirë pa gjykim ku mund të eksplorojnë veten dhe të gjejnë zërin e tyre krijues”. Ata mund ta përdorin ditarin si një hapësirë për të ëndërruar dhe vendosur objektiva. Gjithashtu, përmes shkrimit mund të kërkojnë zgjidhje për konfliktet e brendshme dhe të përpiqen të zgjidhin problemet.
Për më tepër, ditari mund të përdoret edhe për lëndë të veçanta shkollore, duke ndihmuar fëmijën të thellojë kuptimin dhe përvetësimin e koncepteve matematikore, historike apo shkencore. Vazhdoni të lexoni për të mësuar se kur është koha më e përshtatshme që fëmija të fillojë të mbajë ditar dhe për të gjetur ide kreative, edukative dhe argëtuese për temat mbi të cilat mund të shkruajë.
Koha më e mirë për fëmijën për të filluar Journal (ditar)
Sapo fëmija të jetë në gjendje të shkruajë lirshëm, pa pasur nevojë të ndalet vazhdimisht për të shqiptuar ose formuar çdo fjalë, ai është gati të fillojë të mbajë një ditar. Edhe fëmijët e vegjël mund të zhvillojnë aftësi të thjeshta të shkrimit në ditar (Journaling) së bashku me një prind, gjë që mund t’i ndihmojë të identifikojnë emocionet dhe të mendojnë në mënyrë krijuese.
Ja disa këshilla për ta nisur:
- Nxitini fëmijët të shkruajnë lirshëm, duke u kujtuar se drejtshkrimi i përsosur nuk është qëllimi kryesor gjatë shkrimit në ditar.
- Jepuni tema ose pyetje të shkurtra çdo ditë, në mënyrë që të përqendrohen në një ide të caktuar dhe ta zhvillojnë atë përmes shkrimit.
- Lëreni fëmijën ta zgjedhë vetë ditarin në dyqan; kjo është një hapësirë personale dhe fëmija duhet të ndihet se i përket atij.
- Shumë ditarë të krijuar posaçërisht për fëmijë përmbajnë pyetje, tema dhe ilustrime që nxisin imagjinatën dhe kreativitetin.
- Bëjeni kohën e shkrimit një aktivitet për kujdesin ndaj vetes, jo një detyrë tjetër shtëpie. Lëreni fëmijën të vendosë kur dhe sa dëshiron të shkruajë.
Megjithëse shkrimi në ditar sjell shumë përfitime arsimore dhe emocionale, disa fëmijë mund ta kenë të vështirë të fillojnë. Ata mund të përballen me një faqe të bardhë dhe të mos dinë çfarë të shkruajnë. Pikërisht këtu mund të ndihmojnë pyetjet dhe temat nxitëse. Ato i japin fëmijës një pikënisje, një pyetje për t’iu përgjigjur, një ide për ta zhvilluar ose një situatë për ta imagjinuar.
Tema kreative për ditarin e fëmijëve
- Pyeteni fëmijën: “Për çfarë do të doje të ishte ditari yt i ri?”
- Nisuni nga interesat e fëmijës dhe kërkojini të shkruajë më shumë rreth tyre. Për shembull: “Përshkruaj një ditë nga jeta e personazhit tënd të preferuar nga një libër ose film.”
- Tema shkencore për ditarin
Krijoni një ditar shkencor duke e nxitur fëmijën të mendojë rreth disa prej pyetjeve të mëdha të botës natyrore:
- Pse është qielli blu?
- Pse u zhdukën dinosaurët?
- Mendo për një rast kur një makinë të ndihmoi të zgjidhje një problem.
- Nëse do të mund të shpikje diçka, çfarë do të ishte?
- Si e ka ndryshuar interneti botën?
- Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar në luftimin e ndryshimeve klimatike?
- Cila është forca natyrore më shkatërruese dhe pse?
- Tema për një ditar mirënjohjeje
Ndihmojeni fëmijën të fillojë një ditar mirënjohjeje duke e pyetur se çfarë i sjell gëzim:
- Shkruaj për ditën më të lumtur të jetës tënde.
- Nëse nesër do të mund të bëje gjithçka që dëshiron, çfarë do të bëje?
- Përshkruaj pushimet perfekte.
- Çfarë do më shumë te familja jote?
- Cila është dhoma jote e preferuar në shtëpi dhe pse?
- Cila është lënda jote e preferuar në shkollë? Pse?
Pyetjet që nxisin mendimin mund t’i ndihmojnë fëmijët të reflektojnë dhe të shkruajnë më shumë:
- Nëse do të kishe një talent të veçantë, cili do të ishte dhe pse?
- Çfarë i bën njerëzit të lumtur?
- Çfarë profesioni do të doje të kishe kur të rritesh?
- Cila është festa jote e preferuar dhe çfarë të pëlqen më shumë tek ajo?
- Cila është veshja jote e preferuar? Si të bën të ndihesh?
- Çfarë e bën dikë një mik të mirë?
- Çfarë të bën të buzëqeshësh?
- Cila është një gjë në të cilën do të doje të bëheshe më i/e mirë?
- Si do të doje ta kaloje ditën perfekte?
- Përshkruaje veten me 10 fjalë.
- Në cilën moshë mezi pret të arrish dhe pse?
- Si mendon se do të jetë jeta jote kur të rritesh?
- Kush është heroi yt dhe pse?
Artikull nga: Fiona Tapp
Përkthim: Prinderimi.com
