Nuk mund të prisja që fëmijët të ktheheshin në shkollë – dhe nuk ndihem fajtore për këtë. Nuk ka kaluar shumë kohë që numëroja ditët deri në përfundimin e vitit shkollor. Por gjatë javëve të fundit, e kam gjetur veten duke numëruar ditët deri sa fëmijët e mi të ktheheshin në shkollë!
Kjo ditë e bekuar erdhi javën e kaluar për ne. Ndërsa më pëlqen t’i shoh fëmijët e mi duke dalë nga dera me çantat në shpinë dhe shishet e ujit në duar, mbetem me një ndjenjë faji sepse nuk jam aq ngurruese sa ata për t’i rikthyer më në fund rutinës. (Jo, nuk po ndihem aspak nostalgjike për t’i paketuar rrobat e banjës dhe kovat e rërës!)
Pra, a më bën kjo ndjenjë një prind të tmerrshëm? Pse mezi prisja fillimin e shkollës Kaluam një verë të bukur. Vërtet, shumë të bukur!
Por, me kalimin e kohës, fëmijët filluan të më lodhnin gjithnjë e më shumë, duke u grindur gjithnjë e më tepër me çdo ditë të qetë që kalonte. Vizitat në pishinën e lagjes, që në qershor dukeshin aq argëtuese, në gusht filluan të më dukeshin si një detyrë. Kur nuk organizoja diçka, ankesat e fëmijëve se ishin të mërzitur filluan të më dukeshin si një sulm personal.
Pastaj filluan të vinin emailet për ditën e parë të shkollës. Në vend që të rrotulloja sytë nga bezdia, zemra më rrihte nga gëzimi. Mezi prisja të kisha pak hapësirë për të marrë frymë dhe, ndoshta, një arsye të vlefshme për t’u thënë fëmijëve se duhej të shkonin në shtrat në një orar të arsyeshëm.
Ndërkohë, fëmijët ishin, kuptohet, shumë më pak të entuziazmuar nga ideja për të vendosur alarmin në mëngjes dhe për të përgatitur çdo ditë ushqimin për në shkollë. Ah, dhe detyrat e shtëpisë. Askujt nuk i dukej shumë tërheqëse kjo pjesë, gjë që e kuptoj.
Megjithatë, gëzimi po depërton ngadalë tek kjo nënë e lodhur!
Ekspertët thonë se është në rregull ta shijoni rikthimin në shkollë
Sipas profesionistëve të shëndetit mendor, prindërit që mezi presin fillimin e vitit shkollor nuk kanë pse të ndihen keq. Fëmijët priren të funksionojnë më mirë me strukturë,” thotë Abigail Stark, PhD, terapiste për fëmijë dhe adoleshentë në InStride Health. “Shumë prindër vërejnë se rutina e parashikueshme e shkollës sjell mëngjese dhe mbrëmje më të qeta në shtëpi, më pak debate mes vëllezërve e motrave dhe orare më të rregullta të gjumit dhe ushqyerjes.”
Dr. Stark dëshiron që prindërit ta dinë se dëshira për strukturë dhe për pak kohë për veten nuk është dështim në dashuri. “Është një reagim krejtësisht normal pas muajsh të tërë zgjidhjeje të problemeve logjistike dhe emocionale,” thotë ajo.
Megjithatë, nëse më pyetni mua, rrjetet sociale e bëjnë veçanërisht të vështirë kapërcimin e kësaj ndjenje faji! Mjafton të lëvizësh nëpër ndonjë platformë sociale për rreth dy sekonda dhe menjëherë përballesh me përmbajtje se si të gjithë po shijojnë momentet e fundit të verës së tyre perfekte. Ndërkohë, unë thjesht po përpiqesha t’i mbijetoja ditëve të fundit me fëmijët në shtëpi!
“Kur rrjetet sociale janë të mbushura me mesazhe për të ‘shijuar çdo moment’ të verës, ndjenja e lehtësimit që rutina dhe shkolla po rikthehen mund të keqinterpretohet si dëshmi se nuk e kemi shijuar mjaftueshëm verën ose se i duam fëmijët tanë më pak se prindërit që publikojnë fotografi të perëndimeve të diellit në plazh,” thotë Dr. Stark.
Por, siç u kujton ajo prindërve: “Të dëshirosh rikthimin e strukturës nuk do të thotë se nuk e ke shijuar verën apo se nuk po e kryen mirë rolin e prindit; do të thotë se je një qenie njerëzore me nevoja, jo vetëm një prind.”
Disa këshilla për ta përballuar ndjenjën e fajit gjatë rikthimit në shkollë përfshijnë:
- Emërtoni ndjenjat tuaja. Sipas Elizabeth Keohan, LCSW-C, terapiste në Talkspace, identifikimi i emocioneve me të cilat po përballeni ju ndihmon t’i pranoni, t’i përpunoni dhe të ecni përpara, në vend që të mbeteni të bllokuar në to.
- Mendoni se çfarë këshille do t’i jepnit një miku. Siç vëren Dr. Stark: “Shpesh i trajtojmë të tjerët me më shumë dhembshuri sesa veten në momentet kur emocionet bëhen të vështira.”
- Jepini vetes leje ta shijoni kohën tuaj. Sipas Keohan, është krejtësisht në rregull të ndiheni të emocionuar për ndihmën dhe hapësirën që ju ofron dita shkollore.
- Kujtoni se nuk ekziston një mënyrë e duhur për t’u ndier. “Një spektër i gjerë emocionesh është normal gjatë një tranzicioni të madh, si kalimi nga vera në vjeshtë,” thotë Dr. Stark. “Të jesh prind është njëkohësisht sfiduese dhe e mrekullueshme, dhe kjo përvojë mund të shoqërohet me emocione të ndërlikuara dhe të shumëllojshme.”
- Qëndroni të lidhur me sistemin tuaj të vlerave. Keohan këshillon që të përqendroheni më pak te ajo që “duhet” të bëni dhe te krahasimi i jetës së familjes suaj me atë të të tjerëve, dhe më shumë te vlerat që janë të rëndësishme për familjen tuaj.
Artikull nga: Melissa Willets
Përkthim: Prinderimi.com
