Nga algoritmet e rrjeteve sociale te korrigjimi automatik i tekstit, shumica prej nesh mbështetemi te inteligjenca artificiale çdo ditë, përmes aplikacioneve që përdorim. Por sot, më shumë se kurrë, një pjesë e madhe e adoleshentëve po u drejtohen chatbotëve të inteligjencës artificiale që reagojnë dhe bashkëbisedojnë me ta, si ChatGPT – pavarësisht nëse prindërit janë në dijeni apo jo.
Rreth 7 në 10 fëmijë të moshës 13–18 vjeç përdorin të paktën një lloj mjeti të inteligjencës artificiale gjeneruese, ndërsa vetëm 37% e prindërve të tyre janë në dijeni të kësaj.¹ Shumica e adoleshentëve thonë se përdorin motorët e kërkimit me AI për detyra si ndihma me mësimet apo përkthimet, por jo të gjitha mjetet e inteligjencës artificiale janë të njëjta – dhe as rreziqet që lidhen me varësinë në rritje të fëmijëve prej tyre.
“Një nga mënyrat se si kemi parë një rritje të jashtëzakonshme të përdorimit të AI është përmes shoqëruesve të inteligjencës artificiale, chatbotëve të bazuar në persona të famshëm ose personazhe fiktive”, shpjegon Titania Jordan, Drejtoreshë për Prindërit në kompaninë e sigurisë online Bark Technologies. “Fëmijët mund të krijojnë marrëdhënie të forta emocionale me këto programe tekstuale të krijuara nga kompjuteri, sepse chatbotët përgjigjen gjithmonë menjëherë dhe ofrojnë mbështetje që duket e pafund.”
Rreziqet e krijimit të marrëdhënieve të tilla varësie me chatbotët e AI-së, ku përfshihen edhe platforma si Replika, Character.AI dhe Nomi, tashmë kanë tërhequr vëmendjen e gjerë publike. Kjo ka ngritur shqetësime serioze rreth mënyrës se si të rinjtë po përdorin AI-në për mbështetje emocionale dhe psikologjike.
Pra, si mund ta kuptojnë prindërit nëse përdorimi i AI-së nga adoleshenti ka kaluar kufirin e përdorimit të shëndetshëm? Ekspertët shpjegojnë se si duket “varësia nga AI”, si mund të ndikojë te fëmijët dhe çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i mbrojtur.
Çfarë është “varësia nga AI” dhe pse duhet të na shqetësojë?
Termi “varësi nga inteligjenca artificiale” nuk është një diagnozë formale mjekësore. Varësia, në kuptimin klinik, është një gjendje kronike shëndetësore. Në vend të saj, ekspertët përdorin shpesh termin “përdorim problematik” për të përshkruar zakone jo të shëndetshme të përdorimit të ekraneve, të cilat mund të shfaqin disa karakteristika të ngjashme me varësinë, shpjegon Yann Poncin, MD, psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë në Yale School of Medicine.
Përdorimi problematik i AI-së mund të ngjasojë me përdorimin problematik të rrjeteve sociale dhe mund të përfshijë:
- Pamundësinë për të kontrolluar kohën e kaluar në aplikacion ose platformë;
- Ndjenjën e shqetësimit kur përdorimi kufizohet;
- Neglizhimin e detyrimeve të tjera për të kaluar më shumë kohë online.
“Dizajni i AI-së, njësoj si ai i rrjeteve sociale, synon t’i mbajë përdoruesit të angazhuar – qoftë përmes një njoftimi tërheqës, qoftë përmes një shoqëruesi virtual që i bën fëmijës pyetje të reja”, shton Jordan. “Ky element ndërveprues mund të bëhet varësues, veçanërisht kur lidhet me ndjenjën se fëmija është i dëshiruar, i dashur apo i pranuar.”
Pse duhet të shqetësohen prindërit?
Platformat e inteligjencës artificiale nuk janë krijuar domosdoshmërisht duke vendosur në qendër shëndetin dhe mirëqenien e adoleshentëve, shpjegon Erin Walsh, autore e It’s Their World: Teens, Screens, and the Science of Adolescence dhe bashkëthemeluese e Spark & Stitch Institute.
Adoleshenca karakterizohet nga një dëshirë në rritje për pavarësi, privatësi dhe eksplorim të identitetit. Për këtë arsye, nuk është e çuditshme që adoleshentët t’i drejtohen AI-së për të kuptuar përvojat e tyre në një hapësirë që u duket private, mbështetëse dhe pa gjykim.
Por platformat e AI-së nuk janë krijuar për t’i ndihmuar domosdoshmërisht të rinjtë të përballen me sfidat personale dhe sociale të jetës reale. Ato kanë si qëllim kryesor angazhimin, vëmendjen dhe kohën e kaluar online. Kjo krijon një mospërputhje mes asaj që është e shëndetshme për adoleshentët – përdorimi i pavarur dhe i kontrolluar i teknologjisë – dhe interesit të platformave për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë të angazhuar.
Karakteristikat e AI-së që mund ta bëjnë përdorimin problematik
Sipas Walsh, disa prej elementeve më problematike të dizajnit janë:
- Bisedat pa fund. Chatbotët bëjnë pyetje të tjera dhe propozojnë vazhdimisht tema të reja, duke e bërë të vështirë gjetjen e një momenti për ta mbyllur bisedën.
- Ndërveprimet shumë të personalizuara. Shumë platforma janë krijuar të sillen si mik ose person i besuar dhe mund të kujtojnë informacione personale nga bisedat e mëparshme.
- Vlerësimi i tepruar. Chatbotët shpesh janë dakord, ndihmues dhe afirmues, gjë që mund ta bëjë ndërveprimin emocionalisht shpërblyes. Problemi shfaqet kur një chatbot miraton sjellje, bindje apo veprime shqetësuese.
Shenjat paralajmëruese që prindërit duhet të vëzhgojnë
Sipas ekspertëve, përdorimi problematik i AI-së nuk përcaktohet thjesht nga fakti se adoleshenti përdor shumë teknologji. Shqetësimi lind kur përdorimi i saj fillon të ndërhyjë në funksionimin dhe mirëqenien e përditshme.
Disa shenja mund të jenë:
- Largimi nga shoqëria dhe miqtë;
- Ndryshime në marrëdhëniet familjare ose izolimi;
- Humbja e interesit për hobi dhe aktivitete;
- Ndryshime në gjumin ose ushqyerjen;
- Përkeqësimi i rezultateve në shkollë;
- Rritja e ankthit kur nuk mund të hyjë online;
- Ndryshime të shpeshta të humorit ose sjelljes.
Cilët fëmijë mund të jenë më të rrezikuar?
Çdo fëmijë mund të reagojë ndryshe ndaj AI-së. Sipas raportit të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA) mbi AI-në dhe mirëqenien e adoleshentëve, temperamenti, neurodiversiteti, përvojat jetësore, shëndeti mendor dhe qasja në mbështetje mund të ndikojnë në mënyrën se si një i ri e përjeton teknologjinë.
Ekspertët theksojnë se faktorët e rrezikut për përdorimin problematik të AI-së mund të jenë të ngjashëm me ata që lidhen me përdorimin problematik të mediave digjitale në përgjithësi. Një shqetësim i veçantë lidhet me izolimin social. Fëmijët që ndihen të vetmuar, të keqkuptuar ose të përjashtuar mund ta shohin një chatbot si një burim të vazhdueshëm shoqërie dhe mbështetjeje emocionale.
“Fëmijët tërhiqen nga ky lloj përmbajtjeje sepse mund t’u ofrojë një hapësirë ku shprehin ndjenjat e forta, veçanërisht vetminë”, shpjegon Jordan. Por një marrëdhënie e tillë nuk është marrëdhënie njerëzore. Chatboti nuk kërkon miqësi të ndërsjellë, mirëkuptim apo mbështetje emocionale; ai është programuar për të dhënë përgjigje.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Nëse prindi vëren shenja të përdorimit problematik të AI-së, ekspertët këshillojnë qetësi dhe jo reagim të menjëhershëm me ndëshkim apo panik.
Bëni pyetje të hapura
Në vend të një deklarate si “Nuk dua të përdorësh chatbotë”, mund të pyesni: “Çfarë të pëlqen te ky chatbot?”, “Për çfarë e përdor më shumë?” ose “Si ndihesh pasi bisedon me të?” Të kuptuarit e arsyes pse fëmija i drejtohet AI-së mund t’i ndihmojë prindërit të kuptojnë edhe nevojën që fshihet pas përdorimit.
Vendosni kufij të qartë
AI-ja është një mjet, por përdorimi i saj duhet të ketë kufij të përshtatshëm për moshën. Prindërit mund të vendosin rregulla për kohën, llojin e platformave dhe mënyrën se si përdoret inteligjenca artificiale.
Jini të durueshëm
Largimi nga një aplikacion me të cilin fëmija ka krijuar një lidhje të fortë mund të mos jetë i menjëhershëm. Bisedat e hapura, kufijtë e qartë dhe mbështetja e vazhdueshme mund të jenë më të dobishme sesa frika dhe ndëshkimi.
Në një botë ku inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e përditshmërisë, qëllimi nuk është domosdoshmërisht ta largojmë fëmijën nga teknologjia, por ta ndihmojmë të mësojë ta përdorë atë pa lejuar që teknologjia të zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore, mendimin kritik, shkollën dhe jetën reale.
Autor: Liz Regalia
Përkthim: Prinderimi.com
