12 gushti shënohet si Dita e Fëmijës së Mesëm(Middle Child Day), një ditë simbolike që synon të vërë në qendër të vëmendjes fëmijët që rriten mes një vëllai ose motre më të madhe dhe një më të vogli. Sipas burimeve që dokumentojnë këtë ditë, ajo lidhet me vitin 1986 dhe me Elizabeth Walker, e cila dëshironte të krijonte një moment të veçantë për fëmijët që shpesh ndihen të anashkaluar.
Por, a ekziston vërtet ajo që shpesh quhet “sindroma e fëmijës së mesëm”?
Termi përdoret për të përshkruar ndjenjën se fëmija i mesëm merr më pak vëmendje, pasi i madhi mund të shihet si shembull dhe përgjegjësi e familjes, ndërsa më i vogli si “bebi” i shtëpisë. Fëmija në mes mund të perceptohet si ai që “ia del vetë”. Megjithatë, kjo nuk është diagnozë psikologjike dhe kërkimet moderne nuk mbështesin idenë se renditja e lindjes përcakton personalitetin e fëmijës.
Në disa studime dhe teori psikologjike, fëmijëve të mesëm u atribuohen aftësi si përshtatshmëria, bashkëpunimi, ndërmjetësimi dhe krijimi i marrëdhënieve me të tjerët. Një studim i vitit 2025, për shembull, gjeti disa prirje drejt përshtatshmërisë dhe marrëdhënieve të mira me bashkëmoshatarët te fëmijët e mesëm, por thekson se faktorët mjedisorë dhe socialë luajnë rol të rëndësishëm.
Kjo është arsyeja pse prindërit nuk duhet ta shohin fëmijën vetëm përmes “pozitës” së tij në familje. Jo çdo fëmijë i mesëm ndihet i lënë pas dore dhe jo çdo fëmijë i parë është domosdoshmërisht më i përgjegjshëm. Personaliteti ndikohet nga marrëdhënia me prindërit, mënyra e edukimit, temperamenti, përvojat dhe dinamika familjare.
Megjithatë, Dita e Fëmijës së Mesëm mund të jetë një kujtesë e bukur për prindërit: secili fëmijë ka nevojë të ndihet i parë, i dëgjuar dhe i rëndësishëm. Nëse keni disa fëmijë, kushtojini kohë individuale secilit. Mos e krahasoni me vëllezërit ose motrat, mos supozoni se “është më i pjekur dhe nuk ka nevojë për ndihmë” dhe mos ia lini gjithmonë rolin e pajtuesit. Pyeteni çfarë mendon, çfarë e shqetëson dhe çfarë dëshiron.
Një ditë për ta parë fëmijën që është “në mes”
Dita e Fëmijës së Mesëm është gjithashtu një kujtesë për prindërit se vëmendja nuk duhet të shpërndahet vetëm sipas nevojave më të dukshme. Fëmija i mesëm mund të duket i pavarur, i përshtatshëm dhe i aftë të kujdeset për veten, por kjo nuk do të thotë se ka më pak nevojë për afërsi, dëgjim dhe përkrahje. Sot mund të jetë një moment i mirë për t’i kushtuar kohë vetëm atij: ta pyesni çfarë mendon, çfarë e gëzon, çfarë e shqetëson dhe çfarë do të donte të bënte bashkë me ju. Sepse çdo fëmijë, pavarësisht vendit që zë në rendin e lindjes, ka nevojë të ndiejë se zëri i tij dëgjohet dhe vendi i tij në familje është i veçantë. Sepse ndonjëherë fëmija që duket se po ia del më së miri, është pikërisht ai që ka mësuar të mos kërkojë shumë.
Prinderimi.com
