Ndonjëherë një miqësi shkon përtej faktit se një shok thjesht “nuk na pëlqen”. Ka raste kur sjellja e një shoku bëhet e dëmshme dhe ndikon negativisht në mirëqenien emocionale, sociale apo edhe fizike të fëmijës.
Çfarë është një shok toksik?
Sipas Emily Zeller, terapiste e licencuar për martesën dhe familjen dhe themeluese e ”Zeller & Co. Therapy”, një shok toksik është: Një person që vazhdimisht sillet në mënyra që e lodhin, e manipulojnë ose e dëmtojnë fëmijën tuaj – emocionalisht, shoqërisht ose edhe fizikisht.
Një miqësi toksike nuk përcaktohet nga një debat i vetëm apo një keqkuptim i rastësishëm. Ajo karakterizohet nga modele të përsëritura sjelljeje që dëmtojnë marrëdhënien dhe ndikojnë negativisht te fëmija.
Sipas Zeller, disa nga shenjat më të zakonshme të një miqësie toksike janë:
• Negativitet i vazhdueshëm
Shoku e kritikon vazhdimisht fëmijën, e tall, e poshtëron ose e bën të ndihet keq me veten.
• Kontroll dhe posesivitet
Ai përpiqet të kontrollojë me kë mund të shoqërohet fëmija ose zemërohet në mënyrë të pajustifikuar kur ai kalon kohë me shokë të tjerë.
• Manipulim dhe drama të vazhdueshme
Kjo mund të përfshijë krijimin e ndjenjës së fajit, përhapjen e thashethemeve ose “testimin” e vazhdueshëm të besnikërisë së fëmijës.
• Marrëdhënie e njëanshme
Njëri fëmijë pret vazhdimisht mbështetje, vëmendje dhe ndihmë, por nuk e ofron të njëjtën gjë në këmbim.
• Presion nga bashkëmoshatarët
Shoku e nxit fëmijën të përfshihet në sjellje të rrezikshme, si mungesa në shkollë, përdorimi i substancave, bullizimi i të tjerëve ose veprime të tjera që bien ndesh me vlerat e tij.
Shenjat që tregojnë se fëmija juaj mund të jetë në një miqësi toksike
Nuk është gjithmonë e lehtë të kuptohet kur një fëmijë ndodhet në një shoqëri të tillë. Shpesh, vetë fëmijët nuk kanë fjalët e duhura ose pjekurinë emocionale për të kuptuar se diçka nuk shkon në miqësinë e tyre.
Sipas Cheryl Groskopf, terapiste e specializuar në ankth, trauma dhe teorinë e lidhjes: Fëmijët nuk dinë gjithmonë ta shprehin me fjalë se një raport nuk ndihet e shëndetshme, por sjellja dhe humori i tyre tregojnë shumë. Prandaj, prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjelljen e fëmijës.
Disa shenja që mund të sinjalizojnë një miqësi toksike janë:
- Fëmija bëhet më i heshtur se zakonisht.
- Duket vazhdimisht i tensionuar ose në ankth.
- Fillon të largohet nga njerëzit që më parë i besonte.
- Humb interesin për aktivitetet që dikur i pëlqenin.
- Vetëvlerësimi i tij bie dhe kritikon më shpesh veten.
Një mënyrë tjetër për ta kuptuar ndikimin e një shoqërie është të vëzhgoni fëmijën pasi kthehet nga takimet me atë shok.
Groskopf këshillon: Vëzhgojeni se si ndihet pasi kalon kohë me atë shok. A duket i rraskapitur? I irrituar? I trishtuar? Këto ndryshime emocionale janë sinjale që ia vlen të merren seriozisht. Nëse vëreni se pothuajse çdo takim me një shok të caktuar e lë fëmijën të mërzitur, të pasigurt ose emocionalisht të lodhur, mund të jetë koha për të biseduar me të dhe për ta kuptuar më mirë se çfarë po ndodh në atë miqësi.
Si të flisni me fëmijën për një shok toksik?
Edhe kur prindërit e kuptojnë se një miqësi mund të jetë e dëmshme për fëmijën e tyre, biseda rreth saj mund të jetë shumë e vështirë. Fëmijët jo gjithmonë e kuptojnë menjëherë se një marrëdhënie nuk është e shëndetshme. Për më tepër, mund të ndihen të lidhur emocionalisht me shokun e tyre dhe të mos jenë të gatshëm të pranojnë kritikat ndaj tij. Për këtë arsye, mënyra se si prindërit e hapin këtë bisedë është shumë e rëndësishme.
Sipas Cheryl Groskopf, një nga gabimet më të zakonshme që bëjnë prindërit është të shprehin menjëherë gjykime të forta për shokun e fëmijës. Sado tundues të jetë, ky është momenti kur nuk duhet të kaloni në rolin e prindit që kritikon dhe fillon të flasë keq për shokun. Kjo vetëm mund ta afrojë fëmijën edhe më shumë me të.
Kur një prind thotë: “Ai fëmijë nuk është i mirë për ty” ose “Nuk dua të rrish më me të”, fëmija mund ta përjetojë këtë si një sulm ndaj zgjedhjeve të tij personale dhe të fillojë ta mbrojë shokun. Në vend të kësaj, Groskopf sugjeron që prindërit të tregohen ”kureshtarë dhe të hapur”. Qëllimi nuk është ta bindni menjëherë fëmijën se shoku i tij është problematik, por ta ndihmoni të mendojë vetë për mënyrën se si ndihet në atë marrëdhënie.
Mund të bëni pyetje si:
- A ndihesh i sigurt që të jesh plotësisht vetvetja kur je me të?
- Çfarë ndodh kur nuk jeni dakord për diçka? A mund ta shprehësh mendimin tënd?
- Si ndihesh zakonisht pasi kalon kohë me të?
- A ndihesh i respektuar dhe i dëgjuar në këtë miqësi?
Mund ta pyesni fëmijën edhe për mënyrën se si ndihet fizikisht kur është pranë atij personi.
Për shembull:
– A ndjen tension?
– A ka frikë të thotë mendimin e tij?
– A ndihet i shqetësuar para se të takohet me atë shok?
Sipas Groskopf, qëllimi i kësaj bisede nuk është t’i vendosim një etiketë shokut të fëmijës. Qëllimi nuk është ta etiketojmë shokun, por ta ndihmojmë fëmijën të dëgjojë sinjalet e veta të brendshme. Fëmijët duhet të mësojnë gradualisht të dallojnë marrëdhëniet që i bëjnë të ndihen të vlerësuar, të sigurt dhe të respektuar nga ato që i lëndojnë ose i kufizojnë.
Çfarë duhet të shmangin prindërit?
Kur shqetësoheni për një miqësi, është e natyrshme të dëshironi ta mbroni fëmijën sa më shpejt. Megjithatë, ndërhyrja e menjëhershme me urdhra ose ndalime të plota shpesh mund të ketë efektin e kundërt.
Fëmija mund:
– të ndihet i keqkuptuar;
– të fshehë më shumë gjëra nga prindi;
– të mbajë anën e shokut për ta mbrojtur raportin.
Në vend që ta detyroni të largohet nga një miqësi, ndihmojeni të zhvillojë aftësinë për të vendosur kufij të shëndetshëm dhe për të kuptuar se çfarë lloj marrëdhëniesh i bëjnë mirë. Një prind që dëgjon, pyet dhe udhëzon krijon më shumë mundësi që fëmija të kërkojë ndihmë kur vërtet ka nevojë.
Të mësojmë fëmijët të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme
Miqësitë janë një pjesë shumë e rëndësishme e fëmijërisë. Përmes tyre, fëmijët mësojnë bashkëpunimin, besimin, empatinë dhe mënyrën se si lidhen me njerëzit e tjerë. Si prindër, detyra jonë nuk është të zgjedhim çdo shok të fëmijës, por t’i pajisim ata me aftësitë për të kuptuar se cilat marrëdhënie i bëjnë të ndihen të respektuar, të sigurt dhe të vlerësuar.
Një miqësi e shëndetshme nuk kërkon që fëmija të ndryshojë veten për t’u pranuar. Ajo i jep hapësirë të jetë vetvetja, të shprehë mendimin e tij dhe të ndihet i respektuar. Duke krijuar biseda të hapura në familje, duke dëgjuar pa gjykim dhe duke i mësuar fëmijët të vendosin kufij, ne u japim atyre një nga aftësitë më të rëndësishme për jetën: aftësinë për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme.
Artikull nga: Wendy Wisner
Përkthim: Prinderimi.com
