Sapo fillojnë pushimet, prindërit përballen me të njëjtën situatë: fëmija kalon gjithnjë e më shumë kohë me telefon në dorë sesa me aktivitete të tjera.
Sidoqoftë, asnjë problem nuk mund të zgjidhet pa i shikuar shkaktarët që po shpiejnë ngadalë -por sigurt tek ai.
Pse ndodh përdorimi i tepërt i ekranit?
Shumica e fëmijëve i drejtohen ekranit për dy arsye kryesore:
- koha e lirë dhe
- mungesa e strukturës gjatë pushimeve.
Kur nuk ka aktivitete të planifikuara, telefoni bëhet zgjedhja më e lehtë dhe më e shpejtë për argëtim.
Gjithashtu, monotonia shpesh luan një rol të madh, pasi fëmijët nuk janë gjithmonë të mësuar të përballen me kohën e lirë pa stimul të vazhdueshëm.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Disa nga rregullat që prindërit mund t’i vendosin janë:
- Vendosni rregulla të qarta
Tregojuni fëmijëve sa kohë mund të përdorin ekranin çdo ditë dhe qëndroni konsekuentë në zbatimin e tyre.
- Bëhuni model për fëmijët tuaj
Fëmijët imitojnë prindërit shumë herët, prandaj përdorimi i ekraneve nga prindërit ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e tyre.
Detyrat e thjeshta i ndihmojnë fëmijët të ndihen të dobishëm dhe të zhvillojnë ndjenjën e pavarësisë.
- Përdoreni teknologjinë së bashku
Shikoni një film ose program edukativ dhe diskutoni mbi të. Kjo e kthen teknologjinë në një mjet mësimi dhe komunikimi.
- Pranoni rolin e monotonisë në jetën e fëmijës tuaj
Monotinia nuk është gjithmonë negative. Ajo shpesh nxit kreativitetin dhe imagjinatën.
- Bëni pyetje dhe luani rol aktiv në përditshmërinë e fëmijës tuaj
Kjo nënkupton ta pyesni atë se si po ndihet, çfarë ka nevojë, nëse i duhet ndihmë në punë apo detyra, dhe nëse don të bëjë diçka ndryshe nga dita në ditë.
Si ndikon përdorimi i tepërt i ekranit tek fëmijët?
Efektet psikologjike
Sipas Psychology Today, një pjesë e madhe e zhvillimit të trurit ndodh në vitet e para të jetës, prandaj ekspozimi i tepërt ndaj ekraneve mund të ndikojë në zhvillimin e gjuhës, vonimin e të folurit, hiperstimulim dhe vështirësi në përqendrim.
Efektet sociale dhe emocionale
Përveç kësaj, përdorimi i pakontrolluar mund të ndikojë edhe në aspektin social-emocional. Fenomeni FoMO (Fear of Missing Out), sipas Psychology Today, përshkruan ndjenjat negative që lindin kur fëmijët mendojnë se të tjerët po përjetojnë diçka më interesante se ata, gjë që shpesh përforcohet nga rrjetet sociale.
Kur ndërveprimi real zvogëlohet, fëmijët mund të kalojnë më pak kohë në lojë me bashkëmoshatarët dhe më shumë kohë në botën digjitale, gjë që ndikon në zhvillimin e aftësive sociale.
Roli i teknologjisë dhe kufijtë e saj
Me rritjen e përdorimit të teknologjisë dhe mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT apo Siri, fëmijët mund të kërkojnë më shumë ndërveprim digjital për ide apo argëtim. Megjithatë, këto mjete duhet të shihen si ndihmëse dhe jo zëvendësuese të komunikimit real, lojës dhe marrëdhënieve njerëzore.
Qëllimi nuk është t’ua ndalojmë fëmijëve teknologjinë, por t’i ndihmojmë të krijojnë një marrëdhënie të shëndetshme me të. Pushimet verore janë një mundësi e shkëlqyer për të rikthyer balancën mes ekranit, lojës, natyrës dhe kohës cilësore me familjen, e cila mbetet thelbësore për zhvillimin e tyre emocional dhe social.