REAGIM PUBLIK DHE APEL URGJENT NGA RRJETI I PRINDËRVE TË KOSOVËS
Shkollat tona nuk janë strehë për predatorët: Institucionet të veprojnë menjëherë kundër drejtorit abuzues në Gjakovë!
Drejtuar: Medias, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Prokurorisë së Shtetit, Komunës së Gjakovës dhe mbarë shoqërisë.
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ndjek me tronditje të thellë dhe indinjatë ekstreme video-investigimin e publikuar nga emisioni “Piranjat”, i cili ka nxjerrë zbuluar një akt të shpifur dhe kriminal: ngacmimin seksual të një të miture 17-vjeçare nga drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani” në Demjan të Gjakovës, z. Nazmi Pnishi.
Fakti që një individ i besuar për të drejtuar një tempull të dijes dërgon video intime dhe kërkon favore seksuale nga një fëmijë, duke e kryer këtë akt të turpshëm direkt nga zyra e drejtorit të shkollës, nuk është thjesht një thyerje e etikës profesionale, por një kambanë alarmi për sigurinë fizike dhe mendore të fëmijëve tanë.
Heshtja e Institucioneve është Bashkëfajësi
Gjatë dëshmive të siguruara theksohet arroganca e personit në fjalë, i cili dyshohet se krenohet me mbështetje të fuqishme partiake. Është krejtësisht e papranueshme dhe skandaloze që pushteti lokal në Gjakovë, ende nuk duket se kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret, asnjë deklaratë publike denoncuese për këtë rast nuk ka ndodhur.
Të lejosh, të emërosh apo të mbrosh në pozita drejtuese apo si personel edukativ individë me karakteristika dhe sjellje pedofilie, është një skandal monumental. Por, mosmarrja e masave të menjëhershme për t’i izoluar këta individë nga fëmijët, e kthen shtetin në bashkëfajtor.
Rrjeti i Prindërve të Kosovës kërkon me urgjencë absolute nga institucionet përgjegjëse sa më poshtë:
- Ndjekje Penale dhe Shkarkim të Menjëhershëm: Prokuroria e Shtetit të nisë menjëherë arrestimin dhe hetimin e plotë të personit në fjalë. Komuna e Gjakovës ta shkarkojë atë me efekt të menjëhershëm nga çdo funksion publik dhe edukativ.
- Kutitë e Ankesave në Çdo Shkollë: MASHTI, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale, të vendosë urgjentisht “Kutitë e Ankesave” në të gjitha shkollat e Kosovës, ku nxënësit mund të raportojnë abuzimet në mënyrë anonime dhe të sigurt.
- Platforma Digjitale Nacionale: Krijimi i menjëhershëm i një platforme nacionale digjitale nga ana e MASHTI-t, ku nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit mund të denoncojnë ngacmimet apo dhunën direkt në organet qendrore, pa kaluar nëpër filtrat (shpesh të korruptuar ose të ndikuar politikisht) të pushtetit lokal.
- Veting psikologjik dhe etik për Mësimdhënësit dhe Drejtorët: Të mirren hapa emergjentë për të evidentuar dhe parandaluar raste të tjera në të ardhmen përmes vlerësimeve periodike të stafit shkollor.
Thirrje për Prindërit dhe Nxënësit
Ky rast duhet të shërbejë si një zgjim për të gjithë ne. Edukimi dhe përgatitja e prindërve dhe nxënësve për të mos heshtur është nevojë urgjente kombëtare. Rrjeti i Prindërve u bën thirrje të gjitha familjeve që të flasin hapur me fëmijët e tyre.
I ftojmë të gjithë nxënësit: Mos kini frikë! Denonconi çdo rast të dyshimtë, çdo mesazh të papërshtatshëm apo sulmues mbi integritetin tuaj trupor dhe mendor!
Shkolla duhet të jetë vendi më i sigurt për një fëmijë pas shtëpisë së tij. Ne, si prindër, nuk do të lejojmë që politika apo indiferenca institucionale të mbrojë predatorët. Kërkojmë drejtësi, tani!
Rrjeti i Prindërve të Kosovës
