Rritja e një fëmije të suksesshëm nuk është çështje fati, por rezultat i përkushtimit, vëmendjes dhe përzgjedhjes së vetëdijshme të metodave të edukimit. Në vend që të ndjekim vetëm rezultatet e jashtme si notat apo fitoret në konkurse, fokusi duhet të jetë tek ndërtimi i karakterit./prindërimi
Tiparet që fëmijët zhvillojnë në moshë të hershme janë tregues të qartë të suksesit të tyre të mëvonshëm në jetë. Kjo nuk nënkupton thjesht sukses akademik, por një qëndrueshmëri të brendshme, marrëdhënie të shëndetshme dhe qëllime të qarta.
Sipas psikologes amerikane Jamie Bloh, pesë janë tiparet kyçe që çdo prind duhet të kultivojë te fëmija që në moshë të vogël për të ndikuar pozitivisht në formimin e tij.
1. Rezistenca: forca për të ringritur pas çdo rënieje
Jeta sjell sfida të pashmangshme dhe një fëmijë i suksesshëm nuk është ai që i shmang ato, por ai që mëson si të qëndrojë në këmbë pas çdo rrëzimi. Rezistenca është tipari që ndihmon fëmijët të përballen me dështimet me mendje të kthjellët, duke i parë ato si mundësi për të mësuar e jo si fundi i një përpjekjeje.
“Fëmijët që kultivojnë rezistencën nuk dorëzohen lehtë, dhe kjo i bën emocionalisht më të qëndrueshëm dhe më të pjekur”, shprehet Bloh.
Për ta ndihmuar fëmijën të zhvillojë këtë aftësi, është e domosdoshme që prindërit të mos ndërhyjnë menjëherë në çdo vështirësi. Tregimi i përvojave personale kur diçka ka shkuar keq dhe mënyra se si jeni përballur me të, ka efekt të madh edukues.
2. Kurioziteti: motori i të nxënit
Një fëmijë që pyet është një fëmijë që mëson. Kurioziteti nuk është thjesht dëshirë për të ditur më shumë, por një shtysë e brendshme që e çon fëmijën drejt hulumtimit, zbulimit dhe mendimit kritik. Ai nxit kreativitetin dhe e bën fëmijën më të vetëdijshëm për botën që e rrethon.
“Fëmijët kuriozë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë pasione të thella dhe të vazhdojnë të mësojnë gjatë gjithë jetës së tyre,” thekson Bloh.
Kjo kërkon që prindërit të tregojnë durim, të inkurajojnë pyetjet dhe të mos i shkurajojnë ato me përgjigje të shkurtra ose të prerë.
3. Empatia: ndjeshmëria që ndërton shoqëri të shëndetshme
Në një botë ku individualizmi po zë gjithnjë e më shumë vend, ndjeshmëria për ndjenjat e të tjerëve është një dhuratë që pak e kultivojnë siç duhet. Empatia i ndihmon fëmijët të ndërtojnë marrëdhënie të forta dhe të tregojnë kujdes për të tjerët, duke krijuar një ndjesi përgjegjësie shoqërore.
“Fëmijët që janë në gjendje të kuptojnë dhe të reagojnë ndaj emocioneve të të tjerëve, krijojnë komunitete më të bashkuara dhe më humane,”
Leximi i tregimeve me personazhe që përjetojnë emocione të ndryshme është një mënyrë efektive për të kultivuar empatinë.
4. Vetëkontrolli: disiplina që rritet nga brenda
Në një kohë ku shpërqendrimet janë gjithkund, vetëkontrolli është aftësia që e dallon një fëmijë të vendosur nga një që nuk përfundon asnjë detyrë. Nuk bëhet fjalë për rreptësi, por për një disiplinë të brendshme që e ndihmon fëmijën të njohë kohën për detyra dhe kohën për lojë.
Vendosja e rutinave të qarta dhe pjesëmarrja aktive e fëmijës në vendosjen e objektivave ndihmon shumë në këtë drejtim.
5. Vetëbesimi: ndjenja që e shtyn fëmijën të përpiqet sërish
Vetëbesimi është baza e çdo iniciative të guximshme. Një fëmijë që beson në veten e tij, ka më shumë gjasa të përballet me sfida, të përpiqet për gjëra të reja dhe të mos trembet nga dështimi. Ai nuk ka nevojë të jetë perfekt, por duhet të ndiejë se ka mbështetjen dhe besimin tuaj.
Lëvdoni përpjekjet, jo vetëm arritjet. Jepni fëmijës mundësinë të marrë vendime, të zgjidhë probleme dhe të ndërtojë një identitet të qëndrueshëm.
Këto pesë tipare nuk formohen brenda natës. Ato janë rezultat i edukimit të qëndrueshëm, modelimit nga prindërit dhe përvojave të jetuara. Çdo ditë është një mundësi për t’i ushqyer dhe forcuar këto vlera që do ta shoqërojnë fëmijën tuaj për gjithë jetën.

