Sot shënohet Dita Botërore e Përqafimit të Fëmijëve – një ditë që na fton të ndalemi për pak nga ritmi i përditshëm dhe të kujtojmë rëndësinë e një gjesti të thjeshtë, por shumë të fuqishëm: përqafimit.
Le të mësojmë më shumë rreth dobive të shumëta të tij…
Kur e mbështillni fëmijën tuaj me krahët tuaj, ju po bëni shumë më tepër sesa thjesht po i tregoni dashuri. Një përqafim është një mënyrë e fuqishme komunikimi që shkon përtej një kontakti të shkurtër fizik. Ai i përcjell fëmijës një mesazh të rëndësishëm: “Je i sigurt. Je i dashur. Ke rëndësi për mua.”
Studimet tregojnë se përqafimet e rregullta mund të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin emocional, mendor dhe fizik të fëmijëve. Përmes afërsisë fizike, fëmijët mësojnë empatinë, rregullojnë më mirë emocionet e tyre dhe krijojnë një ndjenjë më të fortë sigurie në marrëdhënien me prindërit.
Përqafimet ndihmojnë zhvillimin e trurit
Fëmijët nuk zhvillohen vetëm përmes mësimit dhe lojës, por edhe përmes përvojave shqisore. Kontakti i ngrohtë fizik, si përqafimi, ndihmon në krijimin e lidhjeve të rëndësishme në tru që lidhen me të mësuarit, kujtesën dhe zhvillimin emocional.
Një studim i njohur mbi fëmijët në institucione kujdesi në Rumani tregoi se mungesa e afërsisë fizike dhe dashurisë ndikonte negativisht në zhvillimin e tyre. Edhe pse ata merrnin kujdes bazë, mungesa e kontaktit emocional solli vonesa në zhvillim. Kjo na tregon se prekja dhe afërsia janë nevoja të rëndësishme për rritjen e shëndetshme të fëmijës.
Përqafimi qetëson trupin dhe sistemin nervor
Një përqafim i butë mund ta ndihmojë fëmijën të qetësohet jo vetëm emocionalisht, por edhe fizikisht. Kontakti i sigurt me prindin aktivizon sistemin nervor që ndihmon trupin të kalojë në gjendje qetësie.
Kur e merrni fëmijën në krahë, uleni pranë tij ose e përqafoni gjatë një momenti të vështirë, ju po i ndihmoni trupit të tij të mësojë se si të rikthehet në qetësi pas stresit.
Përqafimet ndihmojnë në menaxhimin e shpërthimeve emocionale (Tantrums)
Kur një fëmijë zemërohet ose shpërthen në lot, shpesh nuk po përpiqet të sfidojë prindin – ai thjesht po përjeton emocione që ende nuk di t’i menaxhojë.
Në këto momente, një përqafim mund të funksionojë si një mënyrë bashkë-rregullimi emocional. Qetësia e prindit ndihmon sistemin nervor të fëmijës të qetësohet. Në vend që ta largojmë fëmijën në momentin e vështirë, afërsia dhe prania jonë i tregojnë se emocionet e forta mund të përballohen.
Përqafimet çlirojnë hormonin e dashurisë
Kontakti fizik i ngrohtë lidhet me çlirimin e oksitocinës, e njohur shpesh si “hormoni i dashurisë”. Ky hormon lidhet me ndjenjat e besimit, sigurisë dhe lidhjes emocionale.
Fëmijët që rriten me më shumë afërsi dhe dashuri kanë më shumë mundësi të zhvillojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe një ndjenjë më të fortë të vlerës së tyre personale.
Përqafimet forcojnë vetëvlerësimin e fëmijës
Një përqafim është një mënyrë pa fjalë për t’i thënë fëmijës:
“Ti je i vlefshëm. Ti je i rëndësishëm.”
Kur fëmijët ndihen të dashur dhe të pranuar, ata ndërtojnë një bazë më të fortë vetëbesimi. Kjo i ndihmon të marrin vendime më të shëndetshme dhe të krijojnë marrëdhënie më të mira me të tjerët.
Përqafimet mësojnë empatinë
Dashuria është diçka që fëmijët e mësojnë edhe përmes shembullit. Kur prindi e përqafon fëmijën, i tregon atij se si shprehet kujdesi dhe si ofrohet ngushëllim.
Përmes këtyre momenteve të vogla, fëmijët mësojnë të kuptojnë emocionet e të tjerëve dhe të bëhen më të ndjeshëm ndaj nevojave të njerëzve përreth.
Në fund, një përqafim mund të zgjasë vetëm disa sekonda, por mesazhi që ai mbart mund të zgjasë gjithë jetën. Fëmijët mund të mos kujtojnë çdo dhuratë apo gjë materiale, por do të kujtojnë gjithmonë mënyrën se si i kemi bërë të ndihen.
Artikull nga: Momlovesbest.com
Përkthim: Prindërimi.com
