Paqja fillon me individin. Dr. Tarik Ramadan thotë: “Nëse nuk jeni i qetë me veten tuaj, nuk mund të përhapni paqe.” Të pasurit e një ndjenje të paqes dhe kënaqësisë personale e tejkalon ambientin e shtëpisë. Familjet e forta ia dalin të krijojnë dhe promovojnë familje të lumtura dhe të qeta për të gjithë anëtarët e familjes.
Në vitin 2000, Projekti hulumtues Australian “Familja Fuqizon” identifikoi tetë karakteristikat e mëposhtme si pjesë të familjeve të forta. Ato janë: komunikimi, aktivitetet e përbashkëta, bashkësia, mbështetja, dashuria, pranimi, përkushtimi dhe qëndrueshmëria.
Tabela e përmbajtjes
ToggleKomunikimi
Familjet përfitojnë nga komunikimi që është i dashur, i kuptueshëm dhe i durueshëm. Mënyrat se si familjet mund ta zhvillojnë komunikimin janë:
- Duke qenë të sinqertë me njëri-tjetrin.
- Duke dëgjuar njëri-tjetrin me vëmendje të plotë.
- Duke qëndruar në kontakt me njëri-tjetrin.
- Duke u siguruar secili për dashurinë e tjetrit përmes fjalëve afirmuese.
- Përmes përqafimit dhe kohës për tjetrin.
- Duke ndarë mendimet dhe ndjenjat pa censuruar dhe kritikuar njëri-tjetrin.
- Duke inkurajuar sjelljen pozitive.
- Duke lejuar shprehjen e duhur të emocioneve negative dhe pozitive.
- Duke punuar së bashku për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve.
- Duke qeshur së bashku.
Aktivitetet e përbashkëta
Familjet e lumtura i ndajnë së bashku aktivitetet. Disa nga mënyrat se si familjet mund të ndërtojnë përvoja të përbashkëta janë:
- Të bëjnë darkën një mundësi për diskutime familjare.
- Të luajnë së bashku.
- Të dalin jashtë së bashku rregullisht.
- Të krijojnë tradita familjare duke vendosur së bashku si t’i festojnë përvjetorët dhe festat fetare.
- Të planifikojnë pushime të cilat i shijon e gjithë familja.
Bashkësia
Fëmijët kanë nevojë të përfshihen në ndonjë formë të vendimmarrjes nëse prindërit duan që ata të ndihen sikur janë pjesëtarë të denjë të familjes. Familjet e qeta e kanë ndjenjën e bashkësisë dhe kjo ndodh kur:
- Ato bashkëndajnë një ndjenjë të përkatësisë.
- Kur kanë të njëjtat besime dhe vlera.
- Kur kënaqen në vendin që e quajnë shtëpi.
- Kur festojnë së bashku.
- Kur krijojnë kujtime.
Mbështetja
Familjet e qeta ndjejnë një ndjesi të mbështetjes dhe inkurajimit për qëllimet dhe ëndrrat e tyre. Mënyrat se si ato i tregojnë mbështetjen për anëtarët e familjes janë:
- Kujdesen për njëri-tjetrin.
- Ndarin të njëjtat përgjegjësi dhe detyra.
- Janë aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe të vështira.
- E inkurajojnë njëri-tjetrin të provojë gjëra të reja.
- Interesohen për hobitë e njëri-tjetrit.
Dashuria
Në familjet e qeta, anëtarët e familjes e duan njëri-tjetrin pa kushte dhe shprehin dashuri për njëri-tjetrin. Mënyrat se si familjet mund ta shprehin dashurinë janë:
- Thuajuni anëtarëve të familjes: “Të dua.”
- Tregoni dashuri për njëri-tjetrin përmes përqafimeve.
- Konsideroni ndjenjat e njëri-tjetrit.
- Kujdesuni për mirëqenien e njëri-tjetrit.
- Bëni gjëra për njëri-tjetrin.
Pranimi
Familjet përbëhen prej individëve të ndryshëm me nevoja, dhe ndonjëherë edhe vlera dhe besime të ndryshme. Familjet e forta ia dalin t’i pranojnë këto dallime individuale kur:
- I pranojnë ndryshimet.
- I japin njëri-tjetrit hapësirë.
- Janë në gjendje ta falin njëri-tjetrin.
- Marrin përgjegjësi për veprimet personale.
Përkushtimi
Familjet e qeta kanë një ndjenjë të vërtetë përkushtimi për anëtarët e familjes dhe fokusohen në mbajtjen e lidhjeve pozitive me njëri-tjetrin. Mënyrat se si familjet e riafirmojnë përkushtimin janë:
- Duke i besuar njëri-tjetrit.
- Duke i mbajtur premtimet.
- Duke bërë gjëra për komunitetin.
- Duke pasur rregulla.
- Duke u ndjerë i sigurt me njëri-tjetrin.
Hulumtuesit po ashtu kanë gjetur se familjet e palumtura, që nuk funksionojnë mirë, kanë tipare të caktuara të përbashkëta. Ato përfshijnë:
- Ndarje të padrejtë të fuqisë, si p.sh. një prind udhëheq tërë shtëpinë.
- Probleme me mbajtjen e një negocimi paqësor të konfliktit.
- Mungesë të respektit për njëri-tjetrin si individë.
- Mosdëgjim i tjetrit.
- Refuzim i mendimit apo perspektivës ndryshe.
- Një prirje për t’u mbështetur në forma negative të komunikimit, siç janë britmat dhe kritika.
- Përdorimi i ndëshkimit fizik, siç është goditja.
Qëndrueshmëria
Familjet e qeta janë të qëndrueshme dhe fleksibile në qasjen e tyre ndaj jetës.Disa nga mënyrat se si familjet mund ta zhvillojnë qëndrueshmërinë janë:
- Të bisedojnë për gjërat
- T’i ndryshojnë planet kur është e nevojshme.
- Të mësojnë nga kohërat e vështira.
- Ti japin shpresë njëri-tjetrit.
- Të jenë bashkë në kriza.
- T’i diskutojnë problemet.
Të gjitha familjet janë ndryshe dhe të gjitha ato i kanë përparësitë dhe fushat e tyre të rritjes.
Artikull nga: Munira Lecovic Ezzeldine, ”Positive Parenting in Muslim Home”
Përkthim: Prindërimi.com
