Republika e Kosovës
Qeveria
Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë
Kabineti i Ministrit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në mbështetje të nenit 145 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh nenet; 4, 21 dhe 22 të Ligjit nr. 03/L-189 për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, nenin 49 paragrafi 1 të Ligjit të Arsimit Parauniversitar (Gazeta Zyrtare nr. 17, dt. 16 shtator 2011), duke u bazuar në nenin 8 paragrafi 1.4, shtojcën 6 dhe neni 33.2 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive 22.03.2011, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë nxjerr :
NUMËR: 491/01 B
DATË: 23.12.2011
UDHËZUES KODI I ETIKËS PËR VLERËSIMIN E NXËNËSVE NR: 491/ 01 B DATË: 23.12.2011
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij Udhëzuesi është zbatimi i kodit të etikës për vlerësimin e nxënësve me bazë në shkollë, ku ka për qëllim që t’i sqarojë disa nga vlerat themelore etike që duhet të jenë pikënisje në procesin e vlerësimit të nxënësve në shoqëritë demokratike civile.
1
Neni 2
Funksioni i Kodit të Etikës për Vlerësim
1. Kodi i Etikës plotëson Standardet Kombëtare të Vlerësimit me bazë në shkollë, i cili u dedikohet të gjitha palëve të interesit:
1.1. Drejtorëve të shkollave,
1.2. Mësimdhënësve, nxënësve dhe
1.3. Prindërve.
2. Kodi përcakton parimet themelore të sjelljes etike.
3. Kodi Etik për vlerësimin e nxënësve ndihmon që vlerësimi të kryhet në përputhje me parimet themelore etike të shoqërisë civile: korrektësi, drejtësi, respekt për të gjithë individët dhe parimet demokratike.
4. Dokumenti është konceptuar si mjet ndihmës të cilin e përdorin të gjitha palët e interesit për procesin e vlerësimit me bazë në shkollë.
5. Përmes Kodit Etik për vlerësimin e nxënësve informohen të gjitha palët e interesit për sjelljet dhe qëndrimet e tyre gjatë procesit të vlerësimit.
Neni 3
Rëndësia e Kodit të Etikës për Vlerësim
1. Kodi i Etikës për vlerësimin e nxënësve plotëson Standardet Kombëtare të Vlerësimit me bazë në shkollë. Sikur standardet, po ashtu edhe Kodi Etik i dedikohet të gjithë atyre që në një mënyrë apo në tjetrën janë të përfshirë në vlerësimin e të arriturave të nxënësve, siç janë: drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit. Standardet i përcaktojnë parimet themelore për vlerësimin me bazë në shkollë, ndërsa Kodi Etik përcakton parimet themelore të sjelljes etike.
2. Vlerësimi me bazë në shkollë i arritjes së të nxënit të nxënësve, është i rëndësishëm për nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe për drejtorët e shkollave. Kur vlerësimi përdoret për të përmirësuar mësimdhënien dhe nxënien (Vlerësimi për Nxënie) ose të raportojë të nxënit e arritur (Vlerësimi i të Nxënit), atëherë ai duhet të kryhet saktë dhe drejtë, duke respektuar rregullat, udhëzimet dhe dokumentet zyrtare, po ashtu duhet respektuar parimet demokratike, dhe të drejtat e barabarta të të gjithë individëve, pa marrë parasysh etninë, fenë, gjininë, gjendjen sociale apo ndonjë faktor tjetër.
3. Është shumë e rëndësishme që nxënësit të jenë të vlerësuar sa më saktë që të jetë e mundur, për çfarëdo qëllimi të vlerësimit. Nëse vlerësimi është formativ (vlerësimi për nxënie) ai përdoret për të përmirësuar të nxënit apo për të planifikuar të nxënit e ardhshëm, që do të thotë se vlerësimi i drejtë është shumë i rëndësishëm për një
2
planifikim më të mirë në të ardhmen. Nëse vlerësimi është përmbledhës (vlerësimi i të nxënit) dhe është i saktë atëherë ai është çelës për të siguruar që mundësitë të shkojnë te më i merituari, dhe se certifikimi siguron që një individ posedon aftësitë dhe njohuritë e nevojshme. Kjo kërkon që të gjithë pjesëmarrësit e procesit të vlerësimit, ata që janë duke u vlerësuar dhe ata që janë duke e administruar vlerësimin – e respektojnë procesin e vlerësimit dhe zbatojnë standardet më të larta të ndershmërisë.
4. Po ashtu, është e rëndësishme që vlerësimi të kryhet në përputhje me parimet themelore etike të shoqërisë civile si në korrektësi, drejtësi, respekt për individët dhe me parime demokratike. Përvoja e nxënësve në shkolla është një element kyç në socializimin e tyre si qytetarë. Nëse ata përjetojnë padrejtësi apo trajtim të pabarabartë, nëse shohin korrupsion në procesin e vlerësimit, ose nuk janë në gjendje të marrin përgjigje në pakënaqësitë e tyre, ata me siguri se do ta kenë të vështirë t’i respektojnë të drejtat e njeriut, parimet demokratike dhe sundimin e ligjit kur të rriten. Për këtë arsye, është e rëndësishme që procesi i vlerësimit në shkolla të jetë jo vetëm teknikisht i shëndoshë dhe të zbatohet me ndershmëri, por duhet që të jetë edhe shembull i vlerave që shoqëria civile dëshiron t’i promovojë.
5. Kodi i Etikës për vlerësimin e nxënësve me bazë në shkollë ka për qëllim të plotësojë Standardet Kombëtare për vlerësimin me bazë në shkollë (vlerësimin e brendshëm), i cili jep udhëzime profesionale për mësimdhënësit në procesin e vlerësimit të nxënësve të tyre.
Neni 4
Përkufizimi, parimet dhe zbatimi i Kodit të Etikës për Vlerësim
1. Përkufizimi
1. Etika është pjesë e sistemit të vlerave që posedon një person. Andaj, Kodi i Etikës për vlerësimin e nxënësve me bazë në shkollë përcakton sjelljen etike të personit që është pjesë e procesit të vlerësimit të të nxënit të nxënësve. Ky dokument u dedikohet drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve. Kodi merr formën e një kontrate, si formë e rregullave për sjellje, për të cilën çdo palë bie dakord ta ndjekë dhe ta zbatojë.
2. Parimet
1. Kodi i Etikës për vlerësimin e nxënësve përcakton gjashtë parime themelore që duhet të respektohen në të gjitha aspektet e jetës së shkollës:
1.1. Respektimi i ligjit dhe i parimeve demokratike.
1.2. Respekti për individët, të drejtat e tyre dhe dallimet individuale.
3
1.3. Drejtësi dhe korrektësi të barabartë për të gjithë në zbatimin e rregullave dhe procedurave të vlerësimit të nxënësve.
1.4. Standardet më të larta të integritetit në të gjitha aspektet e procesit të vlerësimit.
1.5. Saktësi në mbledhjen e informatave për të arriturat e nxënësve dhe raportimit të Tyre.
1.6. Promovimi i standardeve më të larta të sjelljes dhe të arritjes së të nxënit gjatë gjithë kohës.
1.7. Këto janë parime themelore të cilat duhen të zbatohen gjatë procesit të vlerësimit.
3. Zbatimi
3.1. Kodi i Etikës për vlerësimin e nxënësve me bazë në shkollë nuk e ka forcën e ligjit, as nuk është menduar të jetë një udhëzim administrativ apo rregullore e plotë. Kodi nuk mund ta adresojë çdo situatë që do të paraqitet, por thekson disa parime të qarta që mund të ndiqen. Këto parime përcaktojnë përgjegjësi individuale morale në lidhje me vlerësimin e të arriturave të nxënësve, si dhe përgjegjësi të përbashkëta të të gjithë atyre që janë të përfshirë ose të angazhuar në këtë proces. Administrimi cilësor i vlerësimit si dhe mësimnxënia dhe vlerësimi më cilësor mund të arrihen me një bashkëpunim dhe pajtueshmëri të ndërsjellë.
3.2. Në shumicën e rasteve, përgjigja për një dilemë etike duhet të jetë e qartë. Në situatat kur përgjigja nuk është e qartë ose ka pak dilemë etike, referohuni tek “Udhëzuesi për vendim-marrje etike” (shtojca 1) më poshtë. Kjo i jep disa shembuj të situatave tipike lidhur me vlerësimin që mund të haset në shkolla.
3.3. Kodi i Etikës për vlerësimin e nxënësve me bazë në shkollë duhet të zbatohet në çdo kohë në përputhje me planin vjetor të shkollës mbështetur në parimet e përcaktuara të Kornizës së Kurrikulës së Kosovës dhe ligjit përkatës; udhëzimeve administrative dhe rregulloreve.
Neni 5
Përdoruesit e Kodit të Etikës për Vlerësim
1. Drejtori i shkollës pranon të:
1.1. Publikojë një kod të etikës së shkollës për vlerësimin e nxënësve, dhe të sigurojë që është vepruar dhe zbatuar gjatë gjithë procesit të vlerësimit.
1.2. Krijojë një kulturë në shkollë që mbështetë vlerësimin e drejtë dhe të saktë.
1.3. Mbështesë përpjekjet apo iniciativat që synojnë përmirësimin e cilësisë së vlerësimit në shkollë.
1.4. Informojë plotësisht të gjitha palët (mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, komunitetin (shoqërinë) në lidhje me praktikat dhe aktivitetet e vlerësimit në shkollë, përfshirë edhe parimet e notimit.
4
1.5. U përgjigjet menjëherë ankesave për procedurat e vlerësimit apo rezultateve, në mënyrë të drejtë dhe transparente.
1.6. Hetojë tërësisht ndonjë neglizhencë të dyshuar, dhe nëse vërtetohet, e ndëshkon atë me masat e duhura.
1.7. Rezistojë çdo presion për të dyshuar apo përmirësuar rezultatet e vlerësimit, dhe mbron mësimdhënësit dhe nxënësit nga presione të tilla.
1.8. Respektojë dhe mbrojë privatësinë e nxënësit në lidhje me rezultatet e vlerësimit dhe parandalojë keqpërdorimin e mundshëm të rezultateve të vlerësimit në shkollë.
1.9. Sigurojë që rezultatet e vlerësimit janë vënë në dispozicion për përdoruesit në kohën e duhur.
2. Mësimdhënësit pranojnë të:
2.1. Ndjekin kodin e etikës së shkollës për vlerësimin e nxënësve në veprimtarinë e tyre personale të vlerësimit.
2.2. Kërkojnë udhëzim nga drejtori i shkollës apo në rast të ndonjë dyshimi në lidhje me interpretimin e kodit.
2.3. Vendosin një shembull të mirë të sjelljes etike për nxënësit e tyre.
2.4. Respektojnë të drejtat e të gjithë nxënësve, dhe kërkojnë t’i trajtojnë të gjithë nxënësit njësoj, pavarësisht nga gjinia, etniciteti, feja, faktorët social dhe faktorët tjerë.
2.5. Kushtojnë vëmendje karakteristikave individuale të nxënësve në vlerësim dhe në dallime të veçanta në stilin e të nxënit ose karakteristikat personale.
2.5. Vlerësojnë të gjithë nxënësit objektivisht dhe paanshmërish.
2.6. Shmangin ndonjë situatë që mund të paraqesë ndonjë konflikt interesi apo sjellje të njëanshme dhe joparimore në procesin e vlerësimit.
2.7. Shmangin t’i japin ndonjë nxënësi qasje të padrejtë për përgjigjet gjatë vlerësimit të të nxënit.
2.8. Raportojnë menjëherë ndonjë dyshim ose dëshmi të keqpërdorimeve të mundshme të mësimdhënësit në fjalë ose drejtorit të shkollës.
2.9. Bashkëpunojnë me kolegët e tyre në mënyrë që t’i përmirësojnë praktikat e vlerësimit të shkollës.
2.10. Ju bëjnë me dije nxënësve për rezultatet e vlerësuara të nxënies dhe kriteret e suksesit që do të aplikohen gjatë çdo vlerësimi.
2.11. Informojnë nxënësit paraprakisht për kohën e vlerësimeve përfundimtare dhe vlerësimeve përmbyllëse, si dhe procedurat që do të ndiqen.
2.12. Ju përgjigjen pyetjeve të nxënësve në lidhje me procesin e vlerësimit, dhe shpjegojnë ndonjë paqartësi.
2.13. Përgjigjen për çdo shqetësim ose ankesë rreth procesit apo rezultateve të vlerësimit
5
shpejtë, drejtë, në mënyrë transparente dhe në mënyrë sa më të duhur që të jetë e mundur.
3. Nxënësit pranojnë të:
3.1. Ndjekin kodin e etikës për vlerësimin e nxënësve në vlerësimin e tyre.
3.2. Respektojnë procedurat dhe kërkesat e procesit të vlerësimit.
3.3. Përpiqen të shfaqin më të mirën e mundshme në ndonjë vlerësim të arritjeve të tyre.
3.4. Raportojnë menjëherë ndonjë dyshim apo dëshmi të gabimeve të mundshme të mësimdhënësve të tyre apo të ndonjë personi tjetër përgjegjës.
3.5. Konsultohen me mësimdhënësit e tyre ose me ndonjë person tjetër përgjegjës kur kanë ndonjë paqartësi ose dyshim para, gjatë apo pas vlerësimit.
3.6. Pranojnë këshilla dhe sugjerime nga mësimdhënësit bazuar në vlerësimin e tyre.
3.7. Nuk kopjojnë apo marrin përgjigje nga dikush tjetër gjatë testeve apo detyrave.
4. Prindërit pranojnë të:
4.1. Vendosin një shembull të mirë për fëmijët e tyre duke u sjellë në përputhje me kodin e etikës së shkollës për vlerësimin e nxënësve.
4.2. Dekurajojnë fëmijët e tyre në çdo mënyrë të mundshme nga çdo formë e mashtrimit ose e kopjimit.
4.3. Monitorojnë performancën e fëmijëve të tyre rregullisht dhe e informojnë shkollën apo mësimdhënësin për ndonjë shqetësim ose dyshim.
4.4. Bashkëpunojnë me fëmijët e tyre dhe mësimdhënësit për ta bërë vlerësimin gjatë gjithë vitit dhe në fund të vitit që ai të jetë sa më i saktë që është e mundur.
4.5. Asnjëherë nuk kërkojnë të ndikojnë tek mësimdhënësit në vlerësimin e fëmijëve të tyre nga ndonjë mënyrë e padrejtë.
4.6. Raportojnë menjëherë ndonjë dyshim apo dëshmi të ndonjë trajtimi të padrejtë të mundshëm të mësimdhënësit në fjalë ose të drejtorit të shkollës.
4.7. Raportojnë në nivele hierarkie menjëherë për ndonjë dyshim ose dëshmi të gabimeve të mundshme të mësimdhënësit në fjalë apo drejtorit të shkollës.
5. Situatat e krijuara reale
1. Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave duhet të veprojnë dhe të reagojnë në situatat e krijuara kur:
1.1. Kuptojnë se një mësimdhënës/e i/e shkollës i ofendon nxënësit kur ata janë të dobët në mësim duke u thënë se janë torollakë, përtacë etj.
1.2. Nxënësit ankohen se mësimdhënësi/sja, nuk i vlerëson ata objektivisht në fund të vitit shkollor dhe në mënyrë të padrejtë u falë nota disa nxënësve.
6
1.3. Nxënësit ankohen se mësimdhënësi/ja i/e ndonjë lënde u ka vënë nota të dobëta të gjithë nxënësve sepse nuk kanë dashur të bëjnë test, edhe pse nxënësit kanë treguar se po atë ditë kanë pasur test në ndonjë lëndë tjetër.
1.4. Nxënësit dhe prindërit ankohen se kujdestari/ja i/e klasës nuk angazhohet sa duhet për klasën e tij/saj dhe se nuk intervenon tek mësimdhënësit tjerë që t’ua përmirësojnë nxënësve notat në fund të vitit shkollor.
1.5. Vëreni se një nxënës përnjëherë ka shumë nota të përmirësuara në ditar në shumë lëndë, por megjithatë nuk vëreni ndryshime në të nxënit e saj/tij.
2. Prindërit duhet të veprojnë dhe reagojnë në situatat e krijuara kur:
2.1. Janë të informuar se një mësimdhënës e ofendon fëmijën e tij/saj kur ai nuk shfaq dituri të mjaftueshme duke i thënë fjalë të ndyra dhe nënçmuese etj.
2.2. Njëra nga lëndët mësimore për fëmijën tuaj është problem në vete, thjesht “nuk ka mundësi ta përvetësojë”. Një mik i juaji ju thotë se e ka të afërm mësimdhënësin dhe se në fund “do t’ia rregulloj” notën.
2.3. Fëmija juaj thotë se nuk është i përgatitur për testin e paralajmëruar i cili megjithatë është shumë i rëndësishëm për notën përfundimtare, andaj ju lut që t’i ndihmoni të bëjë fletëza nga të cilat do të përshkruaj ashtu siç kanë bërë më parë edhe disa shokë të tij.
2.4. Prindi i një fëmije të klasës së fëmijës suaj nëpër mbledhje prindërore e merr pjesën më të madhe të kohës dhe nuk i pranon shpjegimet e notave që mësimdhënësit i kanë vënë fëmijës së tij.
2.5. Fëmija juaj ankohet se mësimdhënësi nuk u shpjegon atyre se pse ata kanë nota me të cilat nuk janë të kënaqur.
3. Nxënësit duhet të veprojnë dhe reagojnë në situatat e krijuara kur:
3.1. Një nxënës vazhdimisht nëpër teste të ndonjë lënde mban fletëza për të kopjuar edhe pse e di se kjo nuk është e lejuar.
3.2. E vëreni se një nxënës mungon shpesh kur ka test ose korrigjim për notë e pastaj sjellë vërtetim se ka qenë i/e sëmurë.
3.3. Disa nxënës shpesh kërkojnë t’u pëshpëritin kur ata përgjigjen.
3.4. Disa nxënës nuk humbin kohë t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në shtëpi, andaj gjatë kohës së pushimit të gjatë i përshkruajnë ato nga nxënësit e tjerë.
3.5. Disa nxënës në lëndën e artit figurativ i huazojnë vizatimet nga nxënësit e tjerë dhe kështu marrin nota të mira me vizatime të huaja.
3.6. Disa nxënës më shpesh mundohen të mësojnë në fund të gjysmëvjetorit ose në fund të vitit edhe pse mësimdhënësi u ka thënë se duhet të mësojnë rregullisht.
3.7. Nxënësi fsheh suksesin e tij të dobët dhe i ka përmirësuar vetë notat në ditar.
3.8. Kur mësimdhënësi e cakton testin, disa nxënës vazhdimisht ankohen dhe kërkojnë shkak që testi të shtyhet.
3.9. Disa nxënës kërkojnë që mësimdhënësi/ja mos t’u parashtrojë pyetje të rënda në mënyrë që të marrin nota më të larta.
7
3.10. Disa nxënës nuk kanë mësuar gjatë tërë vitit, ndërsa në fund kërkojnë nga mësimdhënësit t’u bëjnë lëshime në mënyrë që të regjistrohen në shkollën e mesme ku ata dëshirojnë.
3.11. Disa nxënës nuk vijnë në mësim plotësues edhe pse notat i kanë të dobëta, ndërsa pastaj kërkojnë që nota t’u përmirësohet.
Neni 6
Ky Udhëzues pas nënshkrimit të tij nga ministri do të dërgohet në institucionet edukativo-arsimore si model pune.
Prof dr. Ramë Buja, ministër
8
