Siç e dimë fëmija vjen në botë pa ditur asgjë për të. Në fillim gjithçka mund t’u duket armiqësore dhe mund të jenë të brengosur kur ndeshen me çdo gjë të huaj. Andaj në fillim duhet t’u rrëfejmë tregime që e njohin fëmijën me gjërat përreth nesh dhe t’i njohim me disa gjëra të mjedisit të afërt.
Në të vërtetë, ky proces i të kuptuarit të mjedisit zgjat për shumë vite, mirëpo ne duhet të fillojmë me këtë proces të gjatë. Për shembull, ne e dimë se fëmija frikësohet nga insektet, nga errësira, zhurmat e mëdha dhe gjërat e panjohura që nuk i ka parë më herët, mirëpo nëpërmjet tregimeve mund t’ia largojmë këtë frikë.
Për shembull, një fëmijë katërvjeçar i quajtur Mahmud ishte ulur dhe shikonte televizorin, kur e pa një merimangë dhe e thirri babin që ta mbronte nga merimanga. Kur erdhi babai dhe e pa, ai i tha: “Shiko atë merimangë.” Babai e qetësoi dhe filloi t’i tregonte një tregim: “Njëherë e një kohë, ka qenë një fëmijë që e quanin Mahmud dhe derisa po hante dhe pinte, erdhi një merimangë ta vizitonte…” Fëmija e ndërpreu: “Babi, a të kafshon merimanga?” Ai ia ktheu: “Jo, biri im, merimanga është fqinji ynë dhe ajo nuk e lëndon askënd.” Djaloshi e pyeti: “Atëherë pse hyn në shtëpinë tonë?” Babai u përgjigj: ” Vetëm të na vizitojë dhe të na përshëndes, pastaj shpejt kthehet në familjen e saj për t’i ushqyer të vegjlit.”
Kur e dëgjoi këtë, fëmija i vogël u kthye kah televizori dhe e injoroi merimangën dhe lëvizjet e saj. Një tregim si ky do t’i jap fëmijës ndjenjën e sigurisë dhe do të mbjellë tek ai një ndjenjë simpatie për insektet e dobëta. Ai do të lëviz përreth shtëpisë dhe do të flejë në paqe. Kjo gjithashtu do t’ia përmirësojë njohjen e tij me mjedisin përreth nesh.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”