Mësuesit mund ta zbatojnë të nxënit e bazuar në projekte duke ndjekur interesat natyrore të fëmijëve dhe duke dokumentuar procesin e tyre të të nxënit.
Shumë mësues të arsimit parashkollor janë të interesuar dhe madje entuziastë për mundësitë që ofron të nxënit e bazuar në projekte (PBL). Ata imagjinojnë se sa shumë mund të mësojnë fëmijët duke hulumtuar çështje reale që u interesojnë, duke krijuar mundësi domethënëse për eksplorim, duke bashkëpunuar me bashkëmoshatarët, duke zhvilluar kuptim më të thellë dhe duke ndërtuar aftësi të reja.
Megjithatë, shumë mësues mund të hezitojnë të ndërmarrin hapin e parë. Ata shpesh pyesin veten se si do të reagojnë fëmijët dhe si mund të sigurohen që, si mësues, po i përmbushin pritshmëritë e kurrikulës. Shpesh, hezitimi buron nga pasiguria për rolin e mësuesit në këtë qasje: Si mund ta di nëse fëmijët po mësojnë? Si mund ta dokumentoj procesin? Si mund t’ua tregoj familjeve dhe drejtuesve të shkollës atë që është arritur?
Kur mësuesit nuk ndihen të sigurt për përgjigjet e këtyre pyetjeve, shpesh kthehen te mënyrat e mëparshme të mësimdhënies, pa i dhënë mundësi të nxënit të bazuar në projekte të zhvillohet.
Megjithatë, zbatimi i kësaj qasjeje kërkon të kuptuarit se nuk bëhet fjalë aq për të mësuar një metodë krejtësisht të re, sa për t’u bërë vëzhgues më aktivë dhe për të zhvilluar këndvështrime të reja mbi mësimdhënien dhe të nxënit. Nga përvoja ime, kam vërejtur se tri ndryshime kryesore në mënyrën e të menduarit i ndihmojnë mësuesit e arsimit parashkollor të kalojnë nga pasiguria te vetëbesimi gjatë zbatimit të kësaj qasjeje.
Nga drejtimi i çdo hapi te udhëheqja e qëllimshme e të nxënit
Nëse fëmijët përcaktojnë drejtimin e projektit, cili është roli i mësuesit? Kjo është një nga shqetësimet kryesore të mësuesve lidhur me të nxënit e bazuar në projekte, por njëkohësisht pasqyron një keqkuptim rreth qasjes së përqendruar te nxënësi.
Në një klasë ku kjo qasje zbatohet në mënyrë efektive, mësuesit vazhdojnë të jenë përgjegjës për mësimdhënien dhe udhëheqjen e procesit të të nxënit. Ata duhet t’i vëzhgojnë fëmijët, të identifikojnë lidhjet domethënëse me kurrikulën dhe të hartojnë përvoja që nxisin zhvillimin e mëtejshëm të të menduarit. Roli i tyre është t’i ndihmojnë fëmijët t’i lidhin interesat e tyre me kurrikulën dhe më pas t’i inkurajojnë të hulumtojnë.
Për shembull, nëse fëmijët magjepsen nga zogjtë që ndërtojnë fole jashtë klasës, mësuesi mund të identifikojë mundësi që ata të vëzhgojnë, të bëjnë matje, të numërojnë, të vizatojnë, të zbatojnë të menduarit shkencor dhe të ushtrojnë aftësitë e komunikimit.
Në vend që të mendojë vetëm se si t’i mbajë fëmijët të përqendruar në detyrë, mësuesi mund të pyesë veten: Si mund t’i shfrytëzoj pyetjet e tyre për të arritur objektiva domethënës të të nxënit, të lidhur me kërkesat e kurrikulës?
Nga zbatimi i kurrikulës te zbulimi i saj përmes hulumtimit
Një keqkuptim i zakonshëm është se të nxënit e bazuar në projekte bie ndesh me kërkesat e kurrikulës. Shpesh, mësuesit mendojnë se projektet mund të përdoren vetëm në fund ose në fillim të një njësie mësimore. Të tjerë besojnë se mund t’u kushtojnë projekteve një ditë në javë, ndërsa ditët e tjera të vazhdojnë me mënyrën e zakonshme të mësimdhënies.
Megjithatë, në këtë qasje, projekti nuk është një aktivitet shtesë që realizohet përtej mësimit të zakonshëm. Projekti e përfshin vetë kurrikulën.
Kurrikula zhvillohet përmes interesave të fëmijëve, ndërsa projektet e planifikuara mirë i bëjnë objektivat e saj të dukshme. Hulumtimi i fëmijëve krijon natyrshëm mundësi për zhvillimin e shkrim-leximit, matematikës, arsyetimit shkencor, komunikimit, bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemeve. Detyra e mësuesit është t’i vërejë këto mundësi dhe t’i lidhë qëllimisht me objektivat e të nxënit.
Gjatë planifikimit të mësimit, mësuesit duhet të përcaktojnë objektivat që dëshirojnë të arrijnë fëmijët, përvojat që mund t’i mbështesin këto objektiva dhe dëshmitë që mund të vërehen gjatë procesit. Ndërsa hulumtimi zhvillohet, plani mund të rishikohet për të identifikuar çfarë po mësojnë tashmë fëmijët dhe cilat përvoja shtesë mund të nevojiten.
Në vend të pyetjes “Si do ta përfundoj përmbajtjen e kurrikulës?”, mësuesi mund të pyesë: “Ku po bëhet e dukshme kurrikula përmes këtij projekti?”
Nga dokumentimi për llogaridhënie te dokumentimi i të nxënit
Mësuesit shpesh hasin vështirësi në dokumentimin e përparimit të fëmijëve në raport me kurrikulën. Ky është një nga aspektet më sfiduese të të nxënit të bazuar në projekte.
Gjatë zhvillimit të një projekti, fëmijët mësojnë përmes hulumtimit, bisedave, eksperimentimit, lojës dhe bashkëpunimit. Të nxënit nuk përfundon gjithmonë me një produkt të gatshëm. Kjo nuk e bën procesin më pak të rëndësishëm apo më pak kërkues, por kërkon një qasje tjetër nga mësuesi për ta bërë të dukshëm atë që fëmijët kanë mësuar.
Për shembull, dokumentimi mund të fillojë me vëzhgimin e kujdesshëm dhe shënimin e një parashikimi që bën fëmija para se të nisë hulumtimin. Më pas, mësuesi mund të nxisë dhe të vëzhgojë një diskutim mes bashkëmoshatarëve ose të fotografojë një aftësi që fëmija ka zotëruar.
Mësuesit mund të kombinojnë disa forma të dokumentimit, si:
– Vëzhgimet dhe shënimet për sjelljet e fëmijëve.
– Fotografitë.
– Vizatimet.
– Transkriptet e bisedave.
– Panelet e reflektimit.
– Përshkrimet narrative të të nxënit.
– Dosjet individuale ose grupore të punimeve (portofolat).
Të gjitha këto janë dëshmi të të nxënit. Është e rëndësishme që dokumentet të jenë të qasshme, në mënyrë që mësuesit dhe fëmijët t’u kthehen atyre me kalimin e kohës dhe të vërejnë përparimin që përndryshe mund të mbetej i pavërejtur.
Dokumentimi ndihmon gjithashtu në forcimin e komunikimit me familjet, duke u mundësuar mësuesve të shpjegojnë se çfarë kanë menduar, pyetur, testuar, rishikuar dhe mësuar fëmijët gjatë projektit. Kur familjet familjarizohen me këtë proces, ato fitojnë një kuptim më të plotë të zhvillimit të fëmijëve të tyre.
Në të nxënit e bazuar në projekte, mësuesit vazhdojnë të projektojnë mjedise të përshtatshme për të nxënit dhe të vëzhgojnë zhvillimin e të kuptuarit te fëmijët. Ata i lidhin idetë e fëmijëve me objektivat e kurrikulës dhe e bëjnë të nxënit të dukshëm.
Sa më shumë që mësuesit praktikojnë vëzhgimin, dokumentimin dhe reflektimin mbi mënyrën se si mendojnë fëmijët, aq më të sigurt bëhen në identifikimin e të nxënit domethënës.
Ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm në mënyrën e të menduarit është të kuptuarit se pyetjet e fëmijëve shpesh janë rrugë drejt kurrikulës, e jo largim prej saj.
Artikull nga: Cecilia Cabrera Martirena
Përkthim: Prinderimi.com
