Kalimi i kohës cilësore së bashku është një nga dhuratat më të çmuara që familjet mund t’i japin njëra-tjetrës. Jo vetëm që koha e kaluar së bashku i forcon dhe i afron anëtarët e familjes, por edhe krijon një ndjenjë përkatësie dhe sigurie për secilin prej tyre, përmes komunikimit dhe lidhjes së drejtpërdrejtë.
Hulumtimet kanë treguar se kur familjet kanë lidhje të forta mes tyre, fëmijët kanë më shumë gjasa të shënojnë rezultate të larta në treguesit e mirëqenies, si pranimi i vetvetes, zhvillimi personal, ndjenja e qëllimit në jetë dhe marrëdhëniet pozitive me të tjerët.
Lidhjet e forta familjare gjithashtu nxisin sjellje më të mira te fëmijët, përmirësojnë rezultatet akademike, forcojnë komunikimin mes prindërve dhe fëmijëve dhe i mësojnë fëmijët se si të jenë shokë të mirë. Cilësia e marrëdhënieve familjare është një tregues i mirëqenies së përgjithshme të fëmijës, ndërsa studimet kanë gjetur një lidhje mes kohës që prindërit kalojnë me fëmijët dhe lumturisë së përgjithshme të fëmijëve.²
Si prind, ju luani një rol kyç në krijimin dhe ruajtjen e këtyre lidhjeve familjare. Megjithatë, ndërtimi i marrëdhënieve të forta brenda familjes nuk ndodh gjithmonë vetvetiu. Në jetën tonë të përditshme, shpesh të ngarkuar, mund të kërkohet përpjekje e vetëdijshme për të gjetur kohë për familjen. Nëse dëshironi të krijoni një bazë të qëndrueshme familjare, ku koha cilësore është përparësi, provoni të përfshini në rutinën tuaj të përditshme disa nga këto 10 praktika thelbësore për forcimin e lidhjeve familjare.
Planifikoni kohë për familjen
Pavarësisht nëse keni fëmijë të moshës shkollore apo adoleshentë, nevojitet planifikim për t’u siguruar që po kaloni mjaftueshëm kohë cilësore së bashku.
Ndani kohë për njëri-tjetrin
Shikoni oraret e të gjithë anëtarëve të familjes për të gjetur periudha që mund t’i kushtohen kohës familjare. Mes stërvitjeve sportive, takimeve dhe aktiviteteve të tjera jashtëshkollore, kjo mund të duket e vështirë, por ia vlen përpjekja.
Provoni të caktoni një mbrëmje të rregullt, ndoshta një herë në javë, kur e gjithë familja mblidhet për një aktivitet argëtues, siç është mbrëmja e lojërave. Gjithashtu, nëse oraret jua lejojnë, mund të përpiqeni të hani darkë së bashku çdo mbrëmje. Kur kjo mbrëmje të bëhet pjesë e një rutine të rregullt, të gjithë do ta dinë se duhet ta mbajnë atë kohë të lirë për familjen.
Planifikoni shëtitje dhe dalje familjare
Një mënyrë tjetër për ta përfshirë kohën familjare në orarin tuaj është të planifikoni rregullisht udhëtime ditore. Nëse kjo tingëllon si një ide argëtuese për familjen tuaj, përpiquni ta planifikoni daljen të paktën një muaj përpara. Shënojeni në kalendarin familjar dhe sigurohuni që të gjithë të jenë në dijeni të planit.
Krijoni tradita të reja
Përdoreni kohën së bashku për të krijuar tradita familjare, si për shembull përgatitja e kungujve së bashku në vjeshtë ose mbledhja e luleshtrydheve të para të sezonit të verës. Disa familje kënaqen duke marrë pjesë çdo vit në të njëjtin festival lokal ose duke u regjistruar së bashku në një ecje apo vrapim prej pesë kilometrash.
Hani vakte së bashku
Zgjidhni disa mbrëmje gjatë javës kur të gjithë pritet të mblidhen rreth tryezës së darkës. Mos lejoni që telefonat ose pajisjet e tjera elektronike t’ju shpërqendrojnë. Thjesht hani së bashku dhe bisedoni. Nuk është e nevojshme të përgatisni ushqime të ndërlikuara.
Studimet kanë treguar se ngrënia e vakteve së bashku si familje ndikon pozitivisht në mirëqenien fizike dhe mendore të fëmijëve. Ajo gjithashtu mund të përmirësojë komunikimin dhe të forcojë lidhjet familjare. Ushqimi mund të jetë fare i thjeshtë. Sanduiçët me djathë të pjekur, takot apo edhe drithërat e mëngjesit janë zgjedhje të përshtatshme dhe mund të jenë ndër ushqimet që fëmijët tuaj i pëlqejnë.
Nëse oraret e ngarkuara nuk ju lejojnë të hani darkë së bashku, provoni të organizoni një mëngjes ose drekë familjare gjatë fundjavës. E rëndësishme është të mblidheni dhe ta shijoni vaktin së bashku, pa shpërqendrime.
Kryeni punët e shtëpisë si familje
Bëjeni pastrimin e shtëpisë ose kujdesin për oborrin një përgjegjësi të përbashkët për të gjithë anëtarët e familjes.Përgatitni një listë të punëve të shtëpisë dhe lërini të gjithë të zgjedhin detyrat e tyre. Më pas, caktoni një kohë gjatë javës ose fundjavës kur secili t’i kryejë punët në të njëjtën kohë.
Nëse adoleshentët tuaj kanë orare të ngarkuara dhe kanë nevojë për më shumë fleksibilitet, caktojuni një afat kohor për përfundimin e detyrave. Megjithatë, kujtojuni se kryerja e punëve së bashku e përfundon punën më shpejt sesa kur secili punon i vetëm.Për më tepër, kryerja e punëve së bashku mund të nxisë frymën e ekipit dhe bashkëpunimin, veçanërisht kur një anëtar e përfundon detyrën më herët dhe ndihmon një tjetër.
Për ta bërë këtë përvojë më shpërblyese, planifikoni një aktivitet të vogël pasi të përfundojnë punët, si ngrënia e akullores së bashku, shikimi i një filmi ose luajtja e një loje tavoline.
Krijoni një deklaratë të misionit familjar
Kur njerëzit mendojnë për deklaratat e misionit, zakonisht u shkojnë në mendje organizatat jofitimprurëse dhe bizneset. Megjithatë, këto deklarata mund të jenë të dobishme edhe për familjet. Edhe pse mund të tingëllojë paksa formale, hartimi i një deklarate të misionit familjar mund t’ju ndihmojë t’i përcaktoni qartë përparësitë e familjes suaj.
Një deklaratë e tillë mund t’ua kujtojë të gjithë anëtarëve vlerat themelore të familjes dhe atë që e duan më shumë te njëri-tjetri. E gjithë familja mund të kontribuojë në përgatitjen e saj, duke e kthyer procesin në një aktivitet të thjeshtë dhe argëtues. Kjo mund të jetë një ide e shkëlqyer për një mbrëmje familjare.
Deklarata nuk ka nevojë të jetë e gjatë apo e ndërlikuar. Një fjali e thjeshtë, si për shembull: “Në familjen tonë, ne e duam njëri-tjetrin dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin”, është e mjaftueshme. Nëse fëmijët dëshirojnë të propozojnë më shumë ide, lërini të kontribuojnë.
Pasi ta përfundoni, vendoseni deklaratën në një vend të dukshëm në shtëpi. Lexojeni, referojuni asaj dhe bisedoni rreth saj shpesh. Kjo ndihmon në përforcimin e vlerave dhe përparësive të familjes.
Nëse mendoni se familja juaj ka humbur drejtimin ose nuk po u kushton rëndësi gjërave më të rëndësishme, krijimi i një deklarate të tillë mund t’ju ndihmojë të riktheheni te vlerat tuaja.
Organizoni mbledhje familjare
Mbledhjet familjare janë një mundësi e mirë që të gjithë të interesohen për gjendjen e njëri-tjetrit, të shprehin shqetësimet ose të diskutojnë planet e ardhshme. Për shembull, gjatë një mbledhjeje familjare mund të diskutoni për pushimet e ardhshme, mënyrën se si do t’i kryeni punët e shtëpisë gjatë fundjavës ose planet e fëmijës suaj pas përfundimit të shkollës.
Këto mbledhje mund të caktohen paraprakisht në kalendarin familjar. Gjithashtu, ato mund të organizohen spontanisht, duke i lejuar secilit anëtar të kërkojë një mbledhje kur e ndien të nevojshme. Mbledhjet familjare mund të përdoren edhe për vendosjen e qëllimeve të përbashkëta.
Mund të jetë e dobishme të vendosni disa rregulla, si kufizimi i kohës së të folurit për secilin dhe mosndërprerja e personit që e ka fjalën. Theksoni rëndësinë e mirësisë, konsideratës dhe respektit ndaj njëri-tjetrit. Qëllimi i këtyre mbledhjeve është që problemet familjare të diskutohen dhe të zgjidhen në mënyrë konstruktive.
Nxitni mbështetjen reciproke
Ndjenja se familja ju mbështet është një nga elementet më të rëndësishme për krijimin e lidhjeve të forta familjare. Për të ndërtuar këtë ndjenjë, inkurajoni secilin anëtar të familjes të mësojë se çfarë është e rëndësishme për të tjerët, qoftë kjo një aspiratë profesionale, një interes personal apo një hobi. Nxitini të gjithë që të bëjnë çmos për t’i mbështetur interesat e njëri-tjetrit.
Secili anëtar i familjes duhet të ndihet i lirë të ndajë si lajmet e mira, ashtu edhe ato të këqija, duke pritur një reagim të dashur dhe mirëkuptues. Qëllimi është që familja të gëzojë së bashku kur gjërat shkojnë mirë dhe ta mbështesë njëri-tjetrin kur planet nuk realizohen siç pritej. Kur anëtarët e familjes ndihen të mbështetur, përballimi i periudhave të vështira bëhet shumë më i lehtë.
Artikull nga Parents
Përkthim: Prinderimi.com
