Gjatë disa dekadave të fundit të shekullit të 20-të, ka pasur një rritje të shumë trendeve shoqërore: individualizmi, materializmi dhe narcizmi (Twenge et al., 2008). Të gjitha këto trende kanë çuar në një pikëpamje egoiste për botën, e cila sillet rreth vetëpëlqimit përmes arritjeve, posedimit dhe imazhit të lartë për veten. Me një pikëpamje të tillë “unë” për botën, është e lehtë ta kuptojmë se si ndryshimet sociale të padëmshme mund të shndërrohen në plagë të traumave.
Disa studiues ia atribuojnë një pjesë të kësaj rritjeje të prirjeve narcisiste te të rinjtë asaj që quhet lëvizja e vetëbesimit e viteve të 1980-ta (Twenge et al., 2008). Kjo fushatë u fokusua në përforcimin e vetëbesimit përmes vlerësimit të zbrazët. Kjo ishte një prej atyre modave që erdhi dhe iku. Nuk ka dyshim se tingëllonte e këndshme kur u prezantua në fund të viteve të 1980-ta, sepse premisa e saj ishte e thjeshtë: le t’u themi fëmijëve se janë të veçantë dhe unikë; ta festojmë çdo gjë të vogël që ata bëjnë përmes fjalëve dhe trofeve; t’i legjitimojmë ndjenjat e tyre dhe ata sigurisht do të bëhen njerëz me besim në vete.
Avokuesit e kësaj qasjeje besuan në mënyrë të pamohueshme se vetëbesimi mund të dhurohej. Sidoqoftë, shpejt u bë e qartë se këto qëndrime çuan në çdo gjë tjetër, përveç fëmijëve të sigurt në veten e tyre. Kjo lëvizje me qëllim të mirë i çoi të rinjtë, egot e të cilëve ishin të ndikuara nga madhështia, drejt perceptimeve imagjinare të mëdha për veten. Brenda një dekade erdhën thirrje për ta denoncuar lëvizjen e vetëbesimit (Colvin, 1999). Fatkeqësisht, përderisa shkencëtarët u larguan nga strategjitë e vetëbesimit të zbrazët, prindërit dhe mësuesit po e bëjnë këtë gjë shumë më ngadalë.
Vetëbesimi nënkupton thjesht ta shohësh veten si të aftë për të pasur ndikim mbi jetën tënde. Një jetë e mbushur me suksese mjaftueshëm të mira dhe dështime është boshti i një jete të pasur me mësime që ushqejnë konceptin pozitiv të vetes.
Dështimet dhe sukseset janë të dyja instrumente të rëndësishme. Pa u ballafaquar me dhimbjen e dështimit dhe gabimeve, si dhe pa i transformuar ato në mësime jete, individët nuk do ta kultivonin qëndrueshmërinë e nevojshme për t’i menaxhuar vështirësitë. Pa qenë të suksesshëm në disa fusha, individët nuk do të besonin në aftësinë e tyre për të kontribuar dhe për të pasur një jetë me kuptim.
Vetëbesimi nuk do të thotë të qenit perfekt – është krejt e kundërta. Vetëbesimi nënkupton t’i njihni mangësitë tuaja dhe të mësoni si t’i menaxhoni ato, duke ushqyer kështu fuqitë tuaja. Vetëbesimi përfshin edhe ditët e mira edhe të këqijat, edhe anët pozitive edhe ato negative, të cilat bashkohen për të krijuar një përzierje unike që është inkurajuese dhe produktive.
Rrjedhimisht, lëvizja boshe e vetëbesimit e viteve të 1980-ta dështoi sepse fokusohej më shumë në rritjen e egos sesa në ofrimin e hapësirës për fëmijët që të mësonin përmes përvojave të jetës. Duke i ruajtur fëmijët nga situatat negative jetësore – nga ndjenja e zemërimit dhe pikëllimit, refuzimet, gabimet, kritika konstruktive etj. – fëmijët po pengoheshin në zhvillimin e tyre emocional.
Ata nuk mund të zhvillonin “muskujt” e tyre emocionalë për t’u përballur me vështirësitë e jetës. Ata u bënë një gjeneratë me Sindromën e të rriturit të brishtë.
Shenjat e Sindromës së të rriturit të brishtë:
- Impulsiviteti;
- Vështirësi në marrjen e vendimeve;
- Zemërim nëse nevojat dhe dëshirat nuk plotësohen;
- Një jetë që sillet rreth kënaqësisë së menjëhershme;
- Vështirësi për të punuar shumë për arritjen e një qëllimi;
- Ndjeshmëri e skajshme në ndërveprimet sociale;
- Fajësimi i të tjerëve në vend që të fokusohen në atë që mund të bëhet;
- Varësi nga të tjerët për zgjidhjen e problemeve;
- Vetëpëlqim i tepruar;
- Obsesione;
- Ankth dhe depresion.
Antidota ndaj këtij fenomeni janë tri mjete të Disiplinës Pozitive:
- Inkurajimi;
- Shikimi i gabimeve si mundësi për të mësuar;
- Fuqizimi.
Një tjetër antidot është trajnimi i fëmijëve për të marrë përgjegjësi për emocionet e tyre. Një aspekt dobësues i lëvizjes së vetëbesimit ishte fokusimi në reflektimin e ndjenjave të fëmijës, pa e mësuar atë t’i shprehte dhe t’i menaxhonte ato emocione.
Rezultati përfundimtar ishin fëmijë të cilët kishin vështirësi të përballeshin me sfidat, merrnin qëndrime viktimash dhe prisnin që të tjerët t’i shpëtonin ata.
Nuk mjafton vetëm legjitimimi i ndjenjave. Duhet të ketë edhe një veprim shtesë:
“Si do të donit të kujdeseni për veten tuaj?”
“Çfarë do t’ju ndihmonte të qetësoheni tani?”
Përfundimisht, Sindroma e të rriturit fragjil është e parandalueshme. Familjet që fillojnë zbatimin e Disiplinës Pozitive në shtëpitë e tyre do të rrisin të rritur që janë të përgjegjshëm, të pavarur, të aftë, empatikë, bashkëpunues, llogaridhënës, të ndershëm, mendimtarë kritikë dhe shumë më tepër.
Artikull nga: Nora Alshugairi, ”The Fragile Adult Syndrome’‘
Përkthim në shqip: Prindërimi.com
