Të dëgjuarit e mirë nuk vjen automatikisht tek shumica e njerëzve. Është një aftësi që më tepër mësohet, aplikohet, analizohet dhe praktikohet. Ne bombardohemi vazhdimisht nga zhurmat që konkurojnë për të tërhequr vëmendjen tonë. Ne i dëgjojmë gjithë këta tinguj. Por, kur dëgjojmë, marrim vendime se cilat zhurma do tërheqin vëmendjen tonë. Dëgjimi i qëllimshëm dhe i drejtuar diku quhet të dëgjuar.
Në klasën fillore, mësuesit përpiqeshin të rrënjosnin tek ju zakonin e të qenit një dëgjues i mirë. Kujtoni për shembull, se sa herë ishit ulur në bankë dhe mësuesi ju thoshte “shhhh”, ty dhe shokut tënd. A mund të kujtoni disa shenja të veçanta që mësuesi mund të ketë përdorur për t’ju treguar që ishte koha për të dëgjuar? Ndoshta dritat u fikën për një moment apo u ngritën dy gishta lart, ose ndoshta mësuesi juaj i ra një zileje të vogël që rrinte mbi tavolinën e tij apo të saj. Këto praktika shkollore ishin projektuar për t’i ndihmuar fëmijët të mësonin, që kishte një kohë për të folur dhe një kohë për të dëgjuar. Në disa familje, të dëgjuarit është shumë i rëndësishëm dhe fëmijëve aty u thuhet shpesh që duhet t’i dëgjojnë më të rriturit. Në familje të tjera, duket se asnjë nuk dëgjon njeri – duket se secili flet gjithë kohën pa e vrarë mendjen nëse dikush po e dëgjon apo jo.
Kur rritemi, zakonet tona të të dëgjuarit drejtojnë nevojat dhe interesat tona në situata të ndryshme. Ne jemi më të ndërgjegjshëm që të dëgjuarit është një aktivitet i vullnetshëm dhe që mund ta fillojmë ose ndërpresim qëllimisht, sipas zgjedhjes. Kur e ndërpresim, komunikimi ndalon dhe mesazhet që na dërgohen bëhen të papërçueshme. Por, kur zgjedhim të dëgjojmë, të gjitha llojet e njohurive dhe të të kuptuarit bëhen të mundura. Vendimi juaj për të qenë ose jo dëgjues aktiv mund të ketë një ndikim të madh në suksesin në universitet dhe karrierë.
Koha që kalojnë studentët në universitet duke dëgjuar nëpër klasa është e konsiderueshme krahasuar me aktivitetet e tjera shkollore. Disa studime thonë që studentët harxhojnë më shumë se 50 përqind të kohës në klasë duke dëgjuar mësuesit e tyre. Me këtë shembull, mund të kuptohet se pse është e nevojshme të zhvilloni strategi të efektshme të të dëgjuarit.
Autor: Jill Lewis, “Studimi akademik”
Përgatiti: Prinderimi.com