Çfarë janë në të vërtetë memet?
Memet janë bërë një gjuhë e re e komunikimit digjital. Ato janë përzierje e humorit, ironisë dhe përvojës sociale të shndërruar në imazhe, video apo tekste të shkurtra që përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale.
Fëmijët dhe të rinjtë i përdorin çdo ditë për të shprehur emocione, për të komunikuar me miqtë dhe për të ndërtuar identitetin e tyre online. Por ajo që duket si shaka e padëmshme, në fakt ka ndikim të thellë në mënyrën si ata e perceptojnë realitetin dhe si ndërtojnë marrëdhëniet me të tjerët.
Memet mund të duken si shaka të thjeshta, por për shumë adoleshentë ato përbëjnë një gjuhë të përbashkët kulturore. Ato krijohen dhe përshtaten shpejt, përhapen në rrjetet sociale si imazhe me tekst ose video të shkurtra. Gati tetë në dhjetë adoleshentë ndajnë meme çdo javë, duke i bërë ato pjesë të pandashme të jetës digjitale. Megjithëse nxisin krijimtarinë dhe pjesëmarrjen, memet mund të përhapin keqinformim ose të forcojnë stereotipe të dëmshme.
Cilat janë rreziqet?
Përhapja e keqinformimit
Ndërsa memet ndihmojnë në komunikimin e ideve mbi tema të përbashkëta, ato mund të shpërndajnë edhe informacione të rreme. Shpesh përmbajnë fakte të pasakta, që përforcojnë paragjykime politike apo shoqërore. Duke qenë se shpërndahen me shpejtësi, të rinjtë rrallë ndalojnë për të verifikuar saktësinë e tyre.
Ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme
Memet qarkullojnë gjerësisht dhe jo gjithmonë janë të përshtatshme për moshën e të rinjve. Shumë përmbajnë gjuhë eksplicite, përmbajtje seksuale ose imazhe të papërshtatshme që mund të shfaqen edhe pa u kërkuar. Për shkak të ritmit të shpejtë të shpërndarjes në platforma si Instagram, TikTok apo WhatsApp, është pothuajse e pamundur të filtrohen plotësisht.
Mesazhe të fshehura
Disa meme janë krijuar për të qenë të paqarta ose për të pasur shtresa të shumëfishta kuptimi, gjë që e bën të vështirë për prindërit apo edukatorët të kuptojnë mesazhin real. Disa prej tyre mund të duken si shaka të pafajshme, por në thelb përmbajnë përmbajtje fyese, të dëmshme apo mashtruese.
Dëme të fshehta dhe humbje ndjeshmërie
Kur memet trajtojnë tema serioze si dhuna, racizmi apo shëndeti mendor me humor, fëmijët mund të bëhen më pak të ndjeshëm ndaj tyre. Mesazhet që tallet me grupe të caktuara apo që nxisin sjellje të rrezikshme mund të ndikojnë negativisht në mirëkuptimin e tyre për atë që është e drejtë dhe e gabuar. Me kalimin e kohës, kjo mund të shtrembërojë perceptimin e tyre për humorin dhe të dëmtojë marrëdhëniet me të tjerët.
Çfarë duhet të dinë prindërit dhe kujdestarët përreth INFLUENCERËVE?
Gjurmë të përhershme digjitale
Ndryshe nga shakatë e zakonshme, memet lënë gjurmë. Ato mund të shpërndahen, kopjohen dhe ruhen për vite të tëra, madje edhe kur synimi fillestar ishte i pafajshëm. Çdo meme e krijuar ose ndarë mund të ndikojë në mënyrën se si një person shihet nga mësuesit, punëdhënësit apo bashkëmoshatarët në të ardhmen.
Këshilla për prindërit dhe edukatorët
Nxisni biseda të hapura
Flisni rregullisht me fëmijët dhe përpiquni të kuptoni botën e tyre digjitale. Pyetini pse u pëlqen një meme dhe çfarë kuptimi ka për ta. Duke dëgjuar pa gjykim, krijoni besim dhe ua bëni më të lehtë të flasin hapur nëse diçka i shqetëson.
Mësoni shprehitë digjitale
Ndihmoni fëmijët të mësojnë të dallojnë burimet e besueshme të informacionit. Edukimi për median i pajis ata me aftësinë për të kuptuar se si përhapet një mesazh dhe për të njohur kur memet shtrembërojnë faktet apo i përdorin për të manipuluar opinionin publik.
Vendosni kufij të shëndetshëm
U tregoni fëmijëve modele sjelljeje pozitive, siç është vendosja e kohës së kufizuar për përdorimin e telefonit ose rrjeteve sociale. Krijimi i rutinave të qarta ndihmon në parandalimin e varësisë dhe i mëson fëmijët që argëtimi digjital duhet të jetë vetëm një pjesë e jetës, jo qendra e saj.
Nxitni empatinë në internet
Kujtojuni fëmijëve se humori nuk duhet të dëmtojë të tjerët. Shpjegojuni se një meme mund të jetë qesharake për dikë, por fyese për dikë tjetër. Nxisni ndjeshmërinë, respektin dhe kulturën e kujdesit në komunikimin online.
Njihuni me eksperten
Dr. Cristina Monroe-Almeida është pedagoge në Queen Mary University of London, e specializuar në kulturën digjitale dhe identitetin online të të rinjve. Ajo studion mënyrën se si kultura digjitale dhe memet ndikojnë në formësimin e identitetit dhe sjelljes sociale.
Burim origjinal: The National College – WakeUpWednesday, 16 tetor 2025
