Nga Lira Gjika
Daniellle Delloz një psikanaliste për fëmijë dhe të rritur shumë e njohur në Francë e përcakton xhelozinë “si fenomen natyror, një ndjesi origjinare, një udhëtim i detyruar per një njeri kur takon një njeri tjetër. Është një kalim themelor për të qenë i hapur ndaj të tjerëve. Është shumë e rëndësishme që fëmijët ti shprehin xhelozitë e tyre. Që të mund të mësojnë si ti përballojnë dhe të gjejnë vendin e duhur në familje”.
Prindër kur dalloni shqetësime te fëmija i parë kur vjen fëmija i dytë, përpiquni ti tregoni fëmijës që edhe ju keni provuar dyshime për prindërit se mbase nuk ju donin më dhe prandaj kishin bërë edhe një fëmijë tjetër. Apo që nuk do të ishit më në qendër të vëmendjes së tyre. Se do të kishit më pak vend te nëna dhe babai,por me kohë kuptuat që nuk ishte e vërtetë. Prindër tregojani fëmijës që ju, nëna dhe babai, jeni njëlloj për të dy apo tre fëmijët që keni.
Që nëna është plotësisht me të ashtu siç është plotësisht me motrën apo vëllanë më të vogël. Kujdes prindër me fjalët dhe sjelljen tuaj ndaj fëmijës më të madh. Padashur mund të bëheni shkak për vuajtje shpirtërore të fëmijës tuaj që mund ta bëjnë fëmijën të dyshojë te vetja dhe të mos besojë te prindërit. Prindër shëndeti mendor nuk është shaka dhe ai fillon e ndërtohet në fëmijëri te besimi i fëmijës te prindërit që e duan shumë dhe janë me të në çdo çast që ka nevojë dhe jo vetëm kur bën ashtu si duan ata. ata e duan edhe kur nuk i bën ende si duhen veprimet apo përdor fjalë që nuk i di kuptimin.
Ata, mami dhe babi janë aty me të dhe e duan shumë./dritare.net