Me afrimin e vitit të ri shkollor, sigurimi i teksteve dhe materialeve mësimore mbetet një nga shqetësimet praktike për shumë familje. Për vitin shkollor 2026–2027, MASHTI ka hapur procesin e aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e klasave I–IX përmes platformës eKosova. Aplikimet janë hapur më 27 korrik dhe afati i njoftuar ishte 9 gusht 2026.
Megjithatë, nga komunikata e fundit e MASHT për shtyerjen e përzgjedhjes së librave, kur librat nuk janë ende në duart e fëmijëve ose kur prindërit nuk kanë informacion të qartë se kur do t’i marrin, pritja mund të krijojë pasiguri. Fëmijët mund të pyesin nëse janë të përgatitur për shkollë, ndërsa prindërit mund të ndihen nën presion për të blerë materiale pa e ditur saktësisht çfarë do t’u nevojitet.
Mos nxitoni të blini gjithçka
Një nga mënyrat më të mira për ta menaxhuar situatën është të shmangni blerjet e panevojshme. Para se të blini libra ose materiale shtesë, prisni udhëzimet e shkollës dhe mësuesit për listën përfundimtare të nevojave.
Nëse një material është i domosdoshëm për javët e para, prindi mund të kërkojë informacion të drejtpërdrejtë nga kujdestari i klasës. Kjo është më e sigurt sesa të mbështeteni vetëm te informacionet që qarkullojnë në rrjete sociale ose në grupet e prindërve.
Përgatitni fëmijën edhe pa libra
Mungesa e përkohshme e teksteve nuk do të thotë se fëmija nuk mund të përgatitet. Ditët para fillimit të mësimit mund të shfrytëzohen për të rregulluar çantën, fletoret, mjetet shkollore dhe hapësirën ku do të mësojë.
Prindërit mund ta ndihmojnë fëmijën të rikthehet gradualisht në rutinën e gjumit, të lexojë për pak minuta çdo ditë ose të përsërisë njohuritë bazë të vitit të kaluar. Qëllimi nuk është të fillojë mësimet para kohe, por të rikthehet gradualisht në ritmin shkollor.
Mos ia përcillni ankthin fëmijës
Fëmijët e kuptojnë shumë shpejt shqetësimin e prindërve. Në vend të shprehjeve si “Nuk e dimë çfarë do të bëhet me librat”, mund të përdorni një komunikim më qetësues: “Shkolla do të na njoftojë për hapat e ardhshëm dhe ne do të sigurohemi që t’i kesh materialet që të duhen.”
Kjo nuk do të thotë të fshihni problemin, por ta paraqisni atë në mënyrë që fëmija të mos e përjetojë si krizë.
Kontrolli i informacionit zyrtar është jetik-jo dezinformimit
Në vend që të mbështeteni te thashethemet, prindërit duhet të kontrollojnë njoftimet e MASHTI-t, shkollës dhe platformës eKosova. Për më tepër, prindërit mund të komunikojnë drejtpërdrejt me shkollën për çdo paqartësi.
Përgatitja për shkollë nuk varet vetëm nga librat. Një fëmijë që ka një rutinë të qëndrueshme, mbështetje nga familja dhe një qasje të qetë ndaj fillimit të vitit shkollor është më i gatshëm për të mësuar. Pritja mund të jetë e bezdisshme, por me informacion të saktë dhe pak planifikim, prindërit mund ta bëjnë këtë periudhë shumë më të menaxhueshme.
Prinderimi.com
