Kur prindërit arrijnë të njohin dhe të verifikojnë ndjenjat e fëmijës së tyre, duke treguar empati ndaj tyre, fëmija ka më shumë gjasa të ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar. Ky gjest i thjeshtë mund të jetë një faktor kyç në parandalimin e përshkallëzimit të shumë situatave të vështira. Fëmijët, por edhe të rriturit, shprehin pakënaqësinë e tyre përmes ankesave, lotëve, britmave apo tërheqjes së tyre emocionale.
Ky është mekanizmi ynë për të komunikuar me botën ndjenjat tona. Aftësia për të shprehur dhe interpretuar emocionet me një kompleksitet të tillë është një nga burimet tona më të çmuara mendore. Megjithatë, shpesh përpiqemi t’i injorojmë këto ndjenja, t’i shtypim apo t’i shmangim ato. Emocionet, në fakt, janë si një udhërrëfyes që na orienton në jetën tonë të përditshme.
Zhvillimi i inteligjencës emocionale është thelbësor për të ndihmuar individët të kuptojnë më mirë veten dhe të lidhen me të tjerët. Ky proces fillon duke njohur dhe pranuar emocionet tona. Diferenca kryesore mes modifikimit të thjeshtë të sjelljes dhe përdorimit të empatisë për të kuptuar rrënjën e një sjelljeje qëndron pikërisht në këtë njohje.
Ndryshimi i vetëm i sjelljes nuk e zhvillon inteligjencën emocionale; ai mund të çojë në shmangie apo largim emocional. Metodat që synojnë vetëm korrigjimin e sjelljeve të padëshiruara rrezikojnë t’u mësojnë fëmijëve të shtypin ndjenjat e tyre, duke krijuar një perceptim të gabuar se ndjenjat e tyre duhet të shtypen për të shmangur bezdisjen e të rriturve.
Një qasje e tillë jo vetëm që është e dëmshme për zhvillimin emocional, por shpesh nuk funksionon në planin afatgjatë, pasi ndjenjat e shtypura do të dalin në sipërfaqe me kalimin e kohës. Veçanërisht për një fëmijë që ende po mëson të kontrollojë emocionet dhe sjelljen, ky proces është i rëndësishëm. Nëse emocionet janë gjithnjë të fshehura, kjo mund të tregojë një “bllokim emocional,” i cili e pengon fëmijën të përfitojë nga jeta, të mësojë dhe të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme.
Gjithashtu, fëmijët janë ende në procesin e zhvillimit të kontrollit të impulseve. Ata mund të dinë se cila është sjellja e pritur, por ndonjëherë harrojnë ta zbatojnë atë në momente të caktuara. Veprimet e nxituara dhe të papërmbajtura që pasojnë ndjenjat e tyre të padurimit dhe frustrimit, shpesh janë sfiduese për prindërit. Sidoqoftë, këto momente janë gjithashtu mundësi të vlefshme për të njohur emocionet e tyre dhe për të forcuar lidhjen emocionale me fëmijën, duke mbështetur zhvillimin e inteligjencës së tyre emocionale.
Burimi: J. Milburn, ”Sfidat e lidhjes përkundër korrigjimit”
© Prinderimi.com Të gjitha të drejtat e rezervuara.