Pra, katër virtytet e prindit sipas Nikos Sideris janë: Origjinaliteti, Gjerësia, Ndjeshmëria dhe Vetëdija.
Le të shohim pak, disi në hollësi, se çfarë do të thotë secili prej këtyre katër virtyteve.
1. Origjinaliteti
Origjinalitet do të thotë saktësisht të jesh ai që je.Ta dish dhe ta njohësh, ta pranosh me kënaqësitë dhe vështirësitë e veta, ta çmosh dhe ta vlerësosh sa për të mirën tënde, aq edhe për të mirën e të tjerëve. Se çfarë do të thotë “prind” e pamë me hollësi në analizën tonë të deritanishme.
Pra, një prind ftohet të jetë prind. T’i përgjigjet një vetie të panegociueshme, të pandryshueshme dhe të shumanshme, me mënyrën që e paraqitëm më sipër dhe që përmblidhet në togfjalëshin dashuri dhe rregulla.Dhe çelësi që një prind të jetë prind është, sikurse pamë, të mos ketë frikë të jetë prind. Duke mundur dhe duke kapërcyer vuajtjen e frikës së të qenit prind, mund të fitojë virtytin e origjinalitetit.
2. Gjerësia
Gjerësi do të thotë që ai ose ajo që gjendet në vendin e prindit nuk e humbet ndjesinë e figurës tërësore të ekzistencës së vet. Domethënë se nuk pakëson, nuk rrudh të gjithë ekzistencën e tij në atë që është prind. Ka një koncept të qartë për atë se nuk është vetëm prind, por më gjerë se kaq, edhe shumë gjëra të tjera: shok në jetë ose në dashuri, punonjës, krijues, bletërritës amator, etj.
Cilësia “prind” karakterizon një aspekt të jetës dhe të ekzistencës së tij – pa dyshim që bëhet fjalë për një aspekt të rëndësishëm dhe të pasur, të larmishëm.Por nuk e konsumon jetën dhe ekzistencën e tij. Që marrëdhënia e tij me fëmijën ta jetojë në këtë mënyrë, ka dy gjëra negative: së pari, ia ngarkon fëmijës lumturinë e tij – në thelb, “debiton” një fëmijë me misionin që ta bëjë të lumtur.
Domethënë, nëse prindi nuk humbet brenda idhullit të fëmijës së vet, por jeton jetën e tij sa në fushën që është prind, aq edhe në fushën që nuk është prind.Duke bërë në këtë mënyrë veprimin e gjerësisë.
3. Ndjeshmëria
Ndjeshmëri do të thotë të mundesh të kuptosh gjendjen e tjetrit – ndjenjat, mendimet dhe veprimet e tij. Domethënë të mundesh edhe të marrësh pjesë në botën e tjetrit dhe, kur nuk është e mundur që të bëhet diçka e tillë, ta kuptosh, ta rrethosh atë me simpati dhe të respektosh natyrën e tij të ndryshme dhe veçanësinë e tij – madje edhe në rastin kur ti nuk arrin ta mirëkuptosh!
Që të jesh edhe nëse nuk je do të thotë që, në disa rrethana të caktuara, në disa situata, në disa momente, prindi ftohet të bëhet edhe si fëmijë për njëfarë kohe, që kështu të mundet të luajë me fëmijën e tij. Që të mundet të ndajë dyshimet dhe mundimet e fëmijës së tij, që të mundet të kuptojë disa biseda, lëvizje ose veprime të fëmijës.
4. Vetëdija
Vetëdije do të thotë që prindi, edhe kur bëhet “fëmijë” (sikurse përgjatë një loje), nuk ka luksin që të harrojë që ajo që është e vërtetë në çdo moment të vetës. Dhe sikurse përgjatë një loje, është “dy herë” – njëkohësisht i referohet gjendjes së tij dhe të fëmijës (dhe kundrejt botës në mënyrë më të përgjithshme).
Shembulli klasik: fëmija kthehet nga shkolla i zemëruar dhe akuzon mësuesit e tij, që e sollën keq me të, e qortuan, i tërhoqën vërejtje. Dhe prindi pa u menduar “dy herë” ngre receptorin e telefonit ose merr makinën dhe mësyen drejt e në shkollë, ku trembet, kërcënon, akuzon…
Është e qartë në raste të tilla prindi “harrohet” dhe bëhet një me fëmijën e tij. Zhytet brenda fantazive dhe imagjinatave që një fëmijë përjeton. Por një njeri i rritur duhet t’i dëgjojë edhe të tijat, por ashtu si janë: si imagjinata të fëmijës, të përfillshme dhe të dhimbshme, që kanë nevojë për përkujdesje, përmbajtje dhe mbrojtje.
Tundimi i fantazisë, i imagjinatës – kënaqësia e iluzionit – është sëmundja e prindit që ftohet këtu të vetëdijë. Që të mos harrohet dhe të mos jetë ai që nuk është (“qoftë edhe një fëmijë” në shtëpi, në shkollë etj.).
Këto katër virtyte kryesore të prindit mund të zhvillohen dhe të përpunohen me qëllim që të rrjedhin edhe në marrëdhëniet familjare, që ato të zhvillohen edhe në shpirtin e fëmijës duke pasur gjithnjë ndjesinë se prindërit i gjenden pranë, edhe pse ata kurrë nuk bëhen krejtësisht të njëjtë me të.
Dhe vetë prindërit të zhvillojnë shpirtin e tyre nëpërmjet përvojës prindërore, me qëllim që të jetojnë në gjendje të shoqërojnë nga afër fëmijën e tyre, pa pasur ndjesinë dhe pa besuar se nuk ka asgjë për të bërë ose nuk ka mënyrë apo detyrë që t’i japë fëmijës mësime jete.
Pjesë nga libri: Fëmijët nuk duan psikolog. Duan Prindër! nga Nikos Sideris
