Një studim i fundit nga Universiteti Ludwig Maximilian i Mynihut (LMU) ka zbuluar se prindërit që imitojnë sjelljet dhe tingujt e foshnjave të tyre në moshën rreth 6 muajsh kanë më shumë gjasa të rrisin fëmijë të vegjël që, në moshën 18 muajshe, janë më të prirur të imitojnë prindërit e tyre. Ky zbulim thekson rëndësinë e ndërveprimit të vazhdueshëm mes prindit dhe fëmijës në vitet e para të jetës. Nëse foshnja juaj lëshon zëra apo bën ndonjë gjest të veçantë, përgjigjuni duke i imituar ato! Nëse fëmija duartroket, ju gjithashtu duhet të duartrokisni. Kjo ndërveprim stimulon ndjenjën e pranimit tek foshnja dhe i jep asaj mesazhin se është e vëzhguar dhe e dëgjuar, duke e inkurajuar ta përsërisë këtë sjellje.
Ky proces imitimi është më shumë sesa thjesht një lojë; është një stimulim i drejtpërdrejtë i qendrës gjuhësore të trurit të fëmijës. Çdo herë që imitojmë foshnjën, krijojmë një lidhje të fortë që kontribuon në zhvillimin e gjuhës dhe aftësive komunikuese. Ndërveprimet e ndërsjellta janë themelore për rritjen e fëmijës, duke ofruar një bazë të rëndësishme për zhvillimin e tij të mëtejshëm intelektual dhe emocional.
Por, nëse deri tani nuk e keni përdorur këtë teknikë, mos u shqetësoni – asnjëherë nuk është tepër vonë për të filluar! Studimet tregojnë se edhe fëmijët më të mëdhenj përfitojnë nga imitimi i sjelljeve të tyre. Nëse dëshironi që fëmija juaj të mësojë një fjalë të re dhe kjo nuk po funksionon, provoni të imitoni sjelljet dhe tingujt që ata bëjnë. Kopjoni shprehjet e fytyrës, tingujt dhe lëvizjet e tyre… më pas prisni dhe shikoni sesi ata reagojnë! Ky lloj ndërveprimi mund të sjellë përmirësime të jashtëzakonshme në zhvillimin e tyre të gjuhës dhe komunikimit.
Burimi: Bridget Hillsberg, MA CCC-SLP
https://www.instagram.com/p/C664OvQPCUz/
© Prinderimi.com Të gjitha të drejtat e rezervuara