Im bir mund të mbështetet tek unë
Të gjithë prindërit duan t’ia plotësojnë nevojat fëmijës së tyre. Ata e dinë që ka nevojë për ushqim, për ngrohtësi, për dashuri, për disiplinë, për miq, për një vesh që ta dëgjojë, si edhe t’i jepet zemër që t’i kuptojë gjërat.
Përveç kësaj, çdo fëmijë ka edhe natyrën e tij të veçantë, aftësitë e tij të pashoqe, ashtu si edhe dobësitë. Nuk është gjithmonë edhe aq e lehtë për prindërit të pranojnë fëmijën që kanë para syve dhe të braktisin atë që shohin në ëndrrat e tyre. Megjithatë, ky është një hap tejet i rëndësishëm nëse dëshiron që t’u përgjigjesh nevojave të caktuara që ka secili prej fëmijëve.
Prandaj është e nevojshme që çdo prind ta pyesë veten nëse fëmija i tij mund të ketë besim tek ai vetë, dhe kjo vjen nga shkalla e njohjes së nevojave të të voglit, pavarësisht nga mosha (bebe, zbulues, vendimmarrës apo magjistar).
Më poshtë vijojnë me titull tregues nevojat bazë të fëmijëve:
NEVOJA FIZIOLOGJIKE
⚫️ ushqimi, gjumi, jashtëqitja, ngrohtësia, banjat, përkëdheljet dhe përkundjet;
⚫️ t’i japin kurajë që të zbulojë dhe të lëvizë;
⚫️ ta mbrojnë sepse kureshtja e tij e çon vend e pa vend;
⚫️ ta ruajnë nga vetë guximi i tij i marrë, që e bën të kacavirret gjithandej;
⚫️ ta mbrojnë kur kalon kriza;
⚫️ të mësojë ta kontrollojë jashtëqitjen;
⚫️ t’i ushtrojë aftësitë e tij motorike në veprime të gjera dhe të imta.
NEVOJA NDJESORE
⚫️ dashuri, prekje fizike;
⚫️ një njeri që t’i flasë, ta ngacmojë dhe t’i qëndrojë pranë;
⚫️ përjetimi i zhgënjimeve të vogla;
⚫️ një njeri që e nxit të lëvizë e të zbulojë;
⚫️ dikë që t’i japë një mundësi të vogël veprimtarie;
⚫️ një person që i tregon qartë se cilët janë kufijtë;
⚫️ të bëjë zgjedhje të vogla;
⚫️ të fitojë;
⚫️ ta qetësojnë e t’i krijojnë besim pas ndonjë krize;
⚫️ të dallohet si mashkull ose femër;
⚫️ të ketë mundësi t’i përdorë fuqinë e tij/e saj joshëse
⚫️ të tërheqë vëmendjen e së ëmës nëse është mashkull, ose të të atit nëse është vajzë;
⚫️ të bashkëpunojë me prindërit e tij.
NEVOJA MËSIMORE
⚫️ nxitje në planin pamor, dëgjimor dhe të prekjes;
⚫️ një njeri që t’i flasë e ta dëgjojë;
⚫️ t’i respektohet ritmi i jetës;
⚫️ t’i lejohet të zbulojë në një ambient të sigurt;
⚫️ të mund të ngjitet, të ecë, të vrapojë;
⚫️ t’u japë një emër sendeve, ndjenjave
⚫️ t’i nxitet pavarësia, duke i krijuar besim;
⚫️ të mund të vishet vetë (të paktën pjesërisht);
⚫️ t’i lejohet të zgjedhë disa ushqime;
⚫️ ta çojnë nëpër sheshe lojërash;
⚫️ të ndihet i lirë për të bërë përpjekje;
⚫️ t’i propozohen lojëra që lidhen me imagjinatën;
⚫️ t’i nxitet krijimtaria me anë të plastelinës;
⚫️ t’i lejohet të vizatojë e presë me gërshërë;
⚫️ një njeri që t’i japë përgjigje pyetjeve të tij.
NEVOJA SHOQËRORE
⚫️ të ketë të paktën një njeri të rëndësishëm për të, që të përkujdeset (mamanë, babanë, edukatoren e çerdhes);
⚫️ herë pas here, të ketë të bëjë me persona të tjerë më pak të rëndësishëm;
⚫️ të krijojë lidhje të forta me të dy prindërit;
⚫️të ketë mundësi ta imitojë sjelljen e fëmijëve të tjerë;
⚫️ të ketë lidhje me fëmijë të tjerë;
⚫️ të krijojë marrëdhënie me të rritur të tjerë;
⚫️ të mësojë t’i ndajë gjërat… nga pak;
⚫️ të ketë miq;
⚫️ të krijojë marrëdhënie me më shumë të rritur.
Disa foshnja janë më të vështira se të tjerat. Kërkojnë më shumë vëmendje dhe shpesh është shumë e ndërlikuar të kuptosh se cilat janë nevojat e tyre të vërteta. Në këto rrethana, nuk duhet ta lëmë veten të bjerë pre e panikut, por të çojmë nëpër mend se cilat janë nevojat e tij thelbësore, të mbushemi me frymë e të bëjmë durim. Këto foshnja shpesh shndërrohen në shejtanë të vërtetë gjithë gjallëri.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”